KLSH: Koncensionet, problemi i financave publike
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gati amendimet që do t’i bëhen ligjit për mirëfunksionimin e këtij digasteri, amendime të cilat synojnë një liri më të madhe kontrolli në institucione. Robert Ceku, kreu i KLSH-së, gjatë raportimit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave të punës, për vitin 2010, për institucionin që drejton, bëri me dije se amendimet që i janë bërë ligjit aktual janë gati dhe do të sillen në komision. Ai deklaroi se është kundër abuzimit me fondet, të cilat kanë sjellë copëzimin e investimeve. Gjithashtu, ai bëri me dije se ka pasur probleme me reklamat e shfaqura nëpër televizione. “Përsa i përket shpenzimeve qeveritare, për festat dhe reklamat kemi firmosur diçka. Ka shumë pak ndryshime. Do vazhdojmë me kontrollet. Edhe investimet janë problem. Nga kontrollet në veprat e mëdha publike rezulton se mbeten në ato nivele fatkeqësisht” - tha Ceku. Sipas tij, me ndryshimet që do t’i bëhen ligjit të ri, KLSH do të ketë autoritet të plotë në kontrollin e koncensioneve. Në këtë mënyrë, Ceku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës të pranishëm në komision, të cilët gjatë diskutimeve akuzuan qeverinë për abuzime me fondet në lidhje, me infrastrukturën rrugore dhe konkretisht me rrugën Durrës-Kukës dhe Levan Vlorë. Deputeti socialist Erion Braçe, gjatë diskutimit theksoi se, kanë marrë rimbursime fiktive nga buxheti i shtetit, importuesit e ilaçeve dhe të naftës, duke akuzuar sërish qeverinë në lidhje me përgjegjësinë që duhet të mbajë për kontrabandën e naftës. Nga ana e tij, Ceku pranoi se ka shumë pak ndryshime në lidhje me TVSH-në, por kontrollet do vazhdojnë. “Ligji për rimbursimin e TVSH-së ka 11 vjet në fuqi. Duhet rishikuar i gjithi. Thembra e Akilit është pikërisht rimbursimi. Çdo ligj, sado i mirë të jetë, me kalimin e kohës tregon defekte në zbatim. Prandaj duhet rishikuar”, deklaroi Ceku. Duke iu referuar raportit të KLSH-së për vitin 2010, dëmi efektiv për veprimtarinë ekonomiko-financiare, në periudhën kohore 2008-2009 dhe në 9-mujorin e parë të 2010-ës, në shumë fusha dhe sektorë shtetërorë arrin në total 1,613,661 mijë lekë. Gjatë leximit të raportit, Ceku citoi se KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit në masën 100%. Duke iu përmbajtur të dhënave të raportit të KLSH-së, për vitin 2010 janë ushtruar 19 kontrolle në Departamentin e Kontrollit të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit, nga të cilat 10 kontrolle janë kryer në degët doganore dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, 8 kontrolle në degët e tatimtaksave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nga të cilat kanë rezultuar parregullsi dhe shkelje të legjislacionit fiskal, madje në disa raste janë shoqëruar me evazion fiskal. Ndërsa, efektet negative në vjeljen dhe arkëtimin e të ardhurave tatimore, nga sistemi tatimor dhe doganor, për llogari të buxhetit të shtetit për 2010-ën, llogariten në shumën 722,615 mijë lekë, nga të cilat 363,171 mijë lekë në sistemin e tatimtaksave dhe 359,444 mijë lekë në sistemin doganor. Ndërsa Departamenti i Kontrollit të Zbatimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike gjatë 2010 ka numëruar 60 kontrolle të ushtruara në ministri, bashki, prefektura, këshilla qarqesh, komuna, agjenci qendrore dhe zyra rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave, zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, njësi të ndryshme buxhetore, etj. Nga 60 kontrollet, sipas raportit të KLSH-së, në 50 prej tyre janë konstatuar dhe evidentuar shkelje me pasojë dëm ekonomik, në shumën prej 321,139 mijë lekë. Sipas Cekut, janë realizuar 88% e masave të KLSH-së.
“Ligji për rimbursimin e TVSH-së ka 11 vjet në fuqi. Duhet rishikuar i gjithi. Thembra e Akilit është pikërisht rimbursimi. Çdo ligj, sado i mirë të jetë, me kalimin e kohës tregon defekte në zbatim. Prandaj duhet rishikuar”, deklaroi Ceku.
KLSH: Shifrat e INSTAT të vërteta, nuk kemi kompetencë kontrolli
Në përgjigje të deputetëve socialistë, kreu i KLSH-së, Robert Ceku ka informuar se institucioni që ai drejton nuk ka kompetencë në kontrollin e vërtetësisë së shifrave të Institutit të Statistikave. Ai theksoi se këtë kompetencë, nuk e ka as Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe as në botë institucioni homolog i KLSH-së këtu. Duke iu referuar pyetjes nëse shifrat e borxhit publik dhe deficitit janë reale, Ceku theksoi se janë absolutisht reale, pavarësisht problemit gjigant që mbartin për ekonominë e vendit. Ai ripërsëriti se është jashtë kompetencave të institucionit që ai drejton, kontrolli i vërtetësisë së shifrave të INSTAT, por siguroi se shifrat që përfaqësojnë borxhin publik dhe deficitin nuk janë fshehur nga institucioni i statistikave.
Ceku: Konflikti i KLSH me Tatimet, do t’i shkojmë deri në fund
Hapësirat e kontrollit nuk mund t’i kufizojë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kreu i KLSH-së, Ceku deklaroi dje se çështja e mbetur me Tatimet, në Gjykatën e Apelit, do t’i shkohet deri në fund. Sipas tij, konflikti me tatimet nuk ka marrë një zgjidhje. “Por shpresojmë ta zgjidhim me paqe. Dhe nëqoftëse do të na duhet ta zgjidhim me luftë, nuk tërhiqemi do luftojmë deri në fund. Nuk mund t’i thuhet KLSH-së ç’institucion do kontrollohet e cili jo. Nuk duhet të ketë kufizime. Ashtu siç kontrollohen shpenzimet, ashtu do të kontrollohen edhe të ardhurat”, - u shpreh Ceku, duke sjellë për analogji shembuj nga institucionet homologe në botë, përsa i përket lirisë së kontrollit. Në këtë mënyrë, ai theksoi se ndryshimet që do t’i bëhen ligjit aktual të KLSH-së do ta zgjerojnë më tepër lirinë e kontrollit të këtij dikasteri.
KLSH nuk ka kompetenca për kontrollin e standardeve të Enteve Rregullatore
Ceku ka deklaruar se KLSH nuk ka kompetencë në kontrollin e standardeve të Enteve Rregullatore. Sipas tij, KLSH i kontrollon Entet Rregullatore, por jo standardet. “KLSH kontrollon përdorimin e fondeve publike” - tha Ceku. Në përgjigje të deputetes Kodheli, përsa i përket çështjeve me sensibilitet social, siç janë çmimet e konsumit të përditshëm, faturat e ndryshme dhe kreditë bankare, Ceku sqaroi se kjo është në kompetencë të Bankës së Shqipërisë. “Të gjitha këto kanë sensibilitet të lartë social, por është e vështirë të them rolin e KLSH-së, përsa i përket kontrollit. Është Banka e Shqipërisë që ndërhyn” - tha Ceku. Ceku i ka bërë deklarimet gjatë raportimit për punën e 2010-ës së KLSH-së, në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave.