E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: “Ndryshimi i madh është në dorën e të rinjve”



Kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, ka zhvilluar dje një takim me banorë të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Veliaj tha se Shqipërinë e ndajnë më pak se dy javë nga ndryshimi i madh. Kreu i G99-s theksoi se ky ndryshim do të jetë në dorë të të rinjve të talentuar. “Kanë mbetur më pak se dy javë nga data e zgjedhjeve, nga data e ndryshimit dhe unë besoj se nuk ka forcë tjetër që ta dojë dhe ta mundësojë këtë ndryshim më fort sesa ne të rinjtë. Nga Tropoja e deri në Gjirokastër, Shqipëria është e mbushur me të rinj të talentuar që kërkojnë vetëm një mundësi, një mundësi për t’ia dalë mbanë, një mundësi për të treguar se dinë të arsimohen, se dinë të punojnë, se dinë të jenë të suksesshëm dhe më datë 28 qershor këta të rinj do ta kenë këtë mundësi”, - tha Veliaj. Gjatë takimit, kreu i G99-s prezantoi kandidatët e kësaj partie në qarkun e Gjirokastrës, Orgen Hasanbegaj dhe Alketa Qëndro.

Divjakë, Ruçi: “Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj”

Kandidatët për deputetë të PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi e Bashkim Fino, janë takuar me banorë të qytetit të Divjakës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kandidati Ruçi ka theksuar se PS-ja do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë arsimimit dhe punësimit të të rinjve dhe për këtë arsye i ftoi banorët që të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ai theksoi gjithashtu se përurimet e veprave publike të kryeministrit, në të vërtetë janë vetëm mashtrime, pasi, sipas tij, Berisha ka përuruar tri herë të njëjtin segment rrugor. “Hidheni votën për Partinë Socialiste, jo vetëm për të votuar një njeri, por për të sjellë një alternativë të vërtetë në qeverisje, që të zgjidhë problemet tuaja. Hidheni votën e 28 qershorit për PS-në, jo për të hedhur hi syve siç bën kryeministri, që rrugën e Rremasit e përuron tre herë, në tre pika të ndryshme të saj. Hidheni votën për PS-në, për të ardhmen e fëmijëve dhe për të ardhmen e familjes tuaj”.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›