INSTAT: Inflacioni arriti në 3.5% në muajin prill
Instituti i Statistikave njoftoi se inflacioni u ul për të dytin muaj me radhë duke arritur në nivelin 3.5 për qind në muajin prill, nga 3.9 për qind që ishte në mars. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin prill 2010, arriti 107.6 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin prill është 3.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.9 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.4 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të trangujve me 44.9 për qind, spinaqit me 25.8 për qind, sallatës jeshile me 19.5 për qind, patëllxhanëve me 19.4 për qind, qepëve të njoma me 13.5 për qind, domateve me 3.0 për qind, specave me 2.3 për qind etj. Gjatë muajit prill çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, “peshk” 0.4 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 0.2 për qind, ”pije joalkoolike” 0.4 për qind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një rritje prej 1.4 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të kivit me 4.3 për qind, limonëve me 2.1 për qind, bananeve me 1.8 për qind, portokajve me 0.7 për qind, etj. Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.2 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me 0.3 për qind, këpucëve për burra me 0.5 për qind, këpucëve për gra me 0.3 për qind, etj. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.4 për qind. Indeksi i grupit ”Transport” shënoi një rritje prej 0.2 për qind. Edhe gjatë këtij muaji vazhdoi rritja e çmimit të karburanteve dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 5.8 për qind, dhe çmimi i benzinës 4.5 për qind. Indeksi i grupit ”Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të medikamenteve me 2.1 për qind.
Kriza, prodhimi bujqësor rritet vetëm me 1 për qind
Rendimenti i sektorit bujqësor në vend rezulton në shifra tepër modeste. Vlera e shtuar nga sektori bujqësor në prodhimin e brendshëm bruto shënoi një normë vjetore rritëse rreth 1.7 për qind dhe një kontribut pozitiv prej 0.2 pikësh përqindjeje në tremujorin e katërt të vitit 2009. Të dhëna zyrtare më të detajuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, dëshmojnë për një rritje vjetore të prodhimit bujqësor me rreth 1 për qind gjatë vitit 2009. Kjo normë ishte 4 pikë për qind më poshtë se një vit më parë. Kontribuuesi kryesor në rritje është dega e blegtorisë. Megjithatë, ekspertët e sektorit parashikojnë për vitin 2010 një përmirësim të prodhimit bujqësor, drejtuar kryesisht prej prodhimit të lidhur me pemëtarinë. Në dy vitet e fundit qeveria e ka rritur fondin mbështetës për fermerin përmes politikave subvencionuese, por sërish vërehet ngërç, pasi problemi për bujqësinë qëndron tek aftësia menaxhuese dhe marketingu për shitjen e produktit. Shumë fermerë ankohen se mungon linja që e çon produktin te konsumatori final, ndërsa importuesit e kanë më të kollajtë gjetjen e tregut.
11 Maj 2010