INSTAT: Italia partner kryesor për importet gjatë janarit 2009

Gjatë muajit janar 2009, Italia ka qënë partneri kryesor i vendit tonë për importet, duke arritur në 7,606 miliardë lekë, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Sipas të njëjtave burime, pas Italisë vijnë Greqia me 4,920 miliardë lekë dhe më pas Kina, Turqia dhe Gjermania. Ndër grupmallrat kryesore të importit, vendin e parë e zënë makineri, pajisje e pjesë këmbimi me 1,9 miliardë lekë, tekstile e këpucë me 1,530 miliardë lekë, materiale ndërtimi e metale me 1,121 miliardë lekë etj.
Importet me Turqinë
Importi me Turqinë gjatë muajit janar 2009 ishte në shumën e 1,804 miliardë lekë, bëjnë të ditur burime nga Instituti i Statistikave. Ndër grupmallrat kryesore të importit, vendin e parë e mbajnë materiale ndërtimi dhe metale me 586 milion lekë, makineri, pajisje e pjesë këmbimi me 309 milion lekë, tekstile e këpucë me 255 milion lekë etj. Sipas të njëjtave burime, shifra e eksportit me Turqinë gjatë muajit janar 2009 ishte 26 milion lekë. Ndër grupmallrat kryesore të eksportit ishin produkte kimike e plastike me 11 milion lekë, ushqim, pije e duhan me 8 milion lekë, materiale ndërtimi dhe metale me 5 milion lekë etj.
...