Basha takohet me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, do të marrë pjesë në Ministerjalin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s që do të mbahet në Bruksel më datat 4-5 mars 2009, bënë të ditur burime të kësaj ministrie. Tema kryesore e këtij Ministerjali është përgatitja për Samitin e NATO-s të 3-4 prillit në Strasburg-Kehl, ku pritet që Shqipëria të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë Ministerjalit, Ministrat e Punëve të Jashtme të 26 vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të diskutojnë një numër dokumentash të rëndësishme për të ardhmen e NATO-s, të cilat do të paraqiten në Samitin e Strasburg-Kehl për tu adaptuar nga Kryetarët e Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Sot ministri Basha, do të marrë pjesë në Darkën Transatlantike, të organizuar nga Zv. Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Z. Karel De Gucht. Në këtë takim, do të marrin pjesë, përveç Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Komisionerja e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të diskutohet rreth çështjeve të rëndësishme për komunitetin transatlantik.
...