E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Kosto e jetesës, rritje e vogël në nëntor

TIRANË - Gjatë muajit nëntor, kosto e jetesës në vend ka pësuar një rritje të vogël. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë muajit të kaluar, inflacioni arriti në 2.9%, duke shënuar një rritje prej 0.1% kundrejt tetorit.

INSTAT-i bëri të ditur se indeksi i grupit "ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një ulje prej 0.1 % krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 6.1 % vërehet në nëngrupin "fruta". Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të limonave me 21.4 %, portokalleve me 15.2 %, manderinave me 19.8 %, kivit me 7.3 %, mollëve 1.9 %, bananeve me 1.7 %, etj.

Ndërsa çmimet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet" shënuan një rritje prej 3.3 %, ku mund të veçojmë rritjet e çmimit të kastravecave me 38.7 %, patëllxhaneve me 38.4 %, specave me 29.2 %, bishtajave me 6.1 %, etj.

Gjatë muajit nëntor, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupin "qumësht, djath e veze" 1.0 %, "mish" 0.2, %, "peshk" 0.4 % , etj.

Indeksi i grupit "veshje dhe këpucë" ka shënuar një rritje prej 0.1 %, brenda këtij grupi çmimet e veshjeve shënuan një rritje prej 0.2 % ndërsa çmimet e këpucëve një ulje me 0.4 % .

Indeksi i grupit "pije alkolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 0.3 % , rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të duhanit me 0.5 %.

Indeksi i grupit "transport" shënoi një rritje prej 0.5 %. Gjatë muajit nëntor çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.8 % dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.4 %.

Indeksi i grupit "hotele, kafene e restorante" shënoi një rritje prej 0.4 %, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të shërbimeve në kafene e restorante me 0.5%.
(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: INSTAT: Kosto e jetesës, rritje e vogël në nëntor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›