INSTAT PS, në sherr për rritjen ekonomike
Instituti i statistikave i përgjigjët akuzave të partisë Socialiste për për manipulim të dhënash dhe për deklarata në favor të qeverisë për gjendjen ekonomike në vend.Akuzat e kreut të opozitës Edi Rama për shifrat e INSTAT kanë marrë përgjigje zyrtare nga drejtoresha e INSTAT. Drejtuesja e Institutit të Statistikave, Ines Nurja u ka kërkuar politikanëve
që para se të flasin për të dhëna e përfundime të konsultohen me shifrat dhe metodologjinë e nxjerrjes së tyre. Sipas saj INSTAT është vënë në qendër të akuzave politike, por nuk është përgjegjësi e INSTAT ulja e papunësinë apo rritja e indeksit të çmimeve. Rezultatet e Institutit të Statistikave bazohen mbi mbledhjen e të dhënave përpunim e tyre nxjerrjen e rezultateve pavarësisht se cilës forcës politike i vijnë përshtat. Reagimi "Kohët e fundit INSTAT është vendosur përballë disa akuzave politike duke cënuar rëndë punën e këtij institucioni. Për këtë arsye e ndjejmë për detyrë ti shpjegojmë njëherë e mirë publikisht klasës politike që ne jemi transparent në punën që kryejmë, tha Ines Nujra. Ajo ftoi të gjithë drejtuesit, analist, apo çdo individ që hedh dyshime mbi shifrat që INSTAT llogaritë që më pas të bëj një deklaratë të pamatur, në lidhje me punën e këtij institucioni duke cënuar rëndë imazhin e tij, të vijë në INSTAT për të parë shifrat dhe metodologjinë e përdorur për punën tonë. Puna që bën ky institucion nuk mund të vlerësohet nga dëshirat e politikanëve, çfarëdo spektri qofshin ato, dhe për të theksuar dhe njëherë që INSTAT nuk prodhon politika, INSTAT prodhon statistika", tha Ines Nurja, drejtore e INSTAT.
Statistikat
Ulja e papunësisë dhe norma e ulët e inflacionit në vend, në kufijtë e parashikuar, duket se kanë shtyrë opozitën të kundërshtoje përfundimet e INSTAT. Tashmë edhe zyrtarisht inflacioni i kalon kufijtë e paracaktuar nga institucionet shtetërore. INSTAT raportoi se rritja e çmimeve gjatë muajit shkurt u regjistrua në 4.4 për qind dhe se pothuaj të gjithë grupet e shportës së matjes së inflacionit kanë pësuar shtrenjtime. Ndryshim vjetor i indeksit të çmimit të konsumit është 4.4 për qind, nga 1.9 për qind që ishte një vit më parë. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar që në fillim të vitit rritje të ndjeshme në inflacion ka shkaktuar edhe shtrenjtimi i çmimit të energjisë. Çmimi i energjisë elektrike shënoi një rritje prej 13.1 për qind, rritje kjo e cila u reflektua që në indeksin e muajit janar të vitit 2010. Në raportin e publikuar pak ditë më parë INSTAT bën të ditur se indeksi i grupit Ushqime dhe pije jo alkoolike shënoi një rritje prej 2.4 për qind, me një ndikim prej 0.9 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Ndërkohë që brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 13.2 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. Në statistikat e INSTAT janë pasqyruar edhe produktet që kanë ndikuar në rritjen e indeksit të çmimeve. Kështu mund të përmendim rritjen e çmimit të preshit 40.8 për qind, domateve me 30.9 për qind, lulelakrës me 22.3 për qind, specave me 15.3 për qind, kastravecëve me 10.0 për qind, qepëve të thata me 10.3 për qind etj. Ndërkohë që indeksi i grupit Veshje dhe këpucë shënoi një ulje prej 0.5 për qind, brenda të cilit çmimet e këpucëve shënuan një ulje prej 0.5 për qind dhe çmimet e veshjeve 0.3 për qind. Raporti zyrtar i INSTAT pasqyron se indeksi i grupit pije alkoolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rriten me 0.3 për qind dhe çmimi i duhanit me 0.2 për qind. Indeksi i grupit Transport shënoi një rritje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë rritjet e çmimit të karburanteve, konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.9 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.7 për qind. Ndërsa indeksi i grupit Qera ujë lëndë djegëse dhe energji shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 3.8 për qind. Çmimi i energjisë elektrike shënoi një rritje prej 13.1 për qind, rritje kjo që u pasqyrua që në indeksin e muajit Janar 2010.
Bujqësia
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.8 për qind dhe me 0.3 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2009. Industria Grupi i industrive pësoi një rënie prej 4.5 për qind në tremujorin e tretë të 2009 krahasuar kjo me tremujorin e tretë të 2008. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009, dega e industrisë pati një rritje prej 5 për qind.
Ndërtimi
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u ul me 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008 dhe me 9.5 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009. Tregti, Hotele dhe Restorante Ky grup pati një rritje prej 6.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.6 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.
Transporti
Aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u rrit me 15.5 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rritje prej 3.5 për qind ndaj tremujorit para-ardhës. Post-telekomunikacioni Dega e post-telekomunikacionit pati rritjen me te madhe me 34.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të tretë të 2008 dhe 20.5 për qind përkundrejt tremujorit të dytë të vitit 2009.
Ornela Manjani