INSTAT: Prodhimet bujqësore vendëse ulin inflacionin e korrikut në 3,6%
Niveli i përgjithshëm i çmimeve në muajin më të nxehtë, atë të korrikut arriti në 3,6% ose 0,7% më i ulët se një muaj më parë. Kanë qenë prodhimet bujqësore vendëse që kanë ndikuar më shumë në uljen e inflacionit për muajin korrik. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikës, inflacioni në muajin korrik 2011 arriti 109.0 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 0.7 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Inflacioni i “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.7 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 9.5 për qind vërehet në nëngrupin ”zarzavate përfshirë patatet”. Këtu përmendet ulja e çmimit të patëllxhanëve me 38.7 për qind, specave me 30.4 për qind, qepëve të thata me 22.0 për qind, domateve me 17.4 për qind, bamjeve me 16.4 për qind, patateve me 15.5 për qind etj. Çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 6.1 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqinit me 50.3 për qind, pjeprit me 40.5 për qind, rrushit me 18.9 për qind, pjeshkave me 17.5 për qind, kumbullave 17.4 për qind, dardhëve me 10.0 për qind etj. Gjatë muajit korrik, çmimet në nëngrupin ”sheqer dhe ëmbëlsira” shënuan një rritje prej 0.6 për qind. Çmimet në nëngrupet e tjera të këtij grupi luhaten nga - 0.4 në 0.1 për qind. Në uljen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve ka ndikuar edhe ulja e çmimeve në grupin “Veshje dhe këpucë” me 0.3 për qind, ku mund të përmendet ulja e çmimit të këpucëve për burra me 1.4 për qind, këpucëve për gra me 1.3 për qind, veshjeve për fëmijë 0.4 për qind etj. Edhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind, ulje kjo që ka ardhur si rezultat i uljes së çmimit të lëndëve djegëse me 0.3 për qind. Ndërsa inflacioni për grupin ”Transport” ka shënuar një ulje prej 0.3 për qind. Gjatë muajit korrik çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.9 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.4 për qind. Ndikimi i madh në uljen e inflacionit të produkteve bujqësore tregon rritjen e prodhimit të tyre. Sipas shoqatës së Agrobiznesit, prodhimet e stinës janë dyfishuar, në këtë mënyrë edhe eksportet janë rritur dhe pretendohet të rriten drejt Kosovës.