E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shton kuotat e universiteteve, ja ndarja sipas degëve

Këshilli i Ministrave shton kuotat e pranimit në universitete për të gjithë maturantët që janë në pritje për të drejtën e studimit. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë u miratua vendimi: “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 8 qershor 2011, për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lart녔 Sipas vendimit të djeshëm, kuotat e përgjithshme të pranimit në universitete për vitin akademik 2011-2012, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë janë 25 363. Vendimi shton me 60 kuota pranimet e reja për programet e studimit të ciklit të parë, ndërsa përcakton 200 kuota për program të dytë studimi, 300 për transferim studimesh dhe 220 kuota për shtetasit e huaj. Sipas ndryshimeve që Këshilli i Ministrave i bëri vendimit të 8 qershorit, numri i kuotave për kandidatët brenda territorit të vendit shkon në 25 143 maturantë, duke pësuar një rritje të ndjeshme. Një rëndësi të veçantë qeveria i ka kushtuar edhe kandidatëve që vijnë nga shtesat sociale në nevojë apo fëmijëve të policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës. Të gjithë këta studentë do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. “Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë dhe që vijnë nga këto shtresa sociale si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”, -thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Vendimi i djeshëm nuk prek tarifat e studimit, të cilat mbeten të njëjtat. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2011 - 2012, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Sakaq, për herë të parë këtë vit, kandidatët që kanë përfunduar me sukses provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të “Maturës Shtetërore” si dhe programin e parë të studimeve me rezultate të shkëlqyera, gëzojnë të drejtën të vijojnë studimet në një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimi, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›