E Diel, 1 Nëntor 2026

Murati: Albpetrol, 1 mln dollarë të ardhura në shtatë muaj

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-08-2011 12:23

Z. Murati , si paraqitet gjendja e kompanisë Albpetrol sh.a. para privatizimit?

Kompania Albpetrol, së bashku me kompanitë koncesionare ka arritur të dyfishojë prodhimin e naftës në 6 vitet e fundit. Në vitin 2010 janë prodhuar 726 mijë tonë naftë, ndërsa në 6 muajt e vitit 2011 kemi një prodhim prej mbi 427 mijë tonë, që do të thotë se në fund të vitit prodhimi vjetor shkon në 870 mijë tonë. Sa i takon reformave, ato nuk kanë lidhje me situatën financiare të kompanisë, pasi kanë filluar që prej vitit 1993 si një proces i domosdoshëm dhe i pashmangshëm që i shërben pikërisht përshtatjes së kompanisë me kushtet e ekonomisë së tregut. Pra, përkundrazi, situata financiare e Albpetrol është përmirësuar ndjeshëm falë edhe reformave të kryera ndër vite. Albpetrol si një shoqëri aksionere shlyen të gjitha detyrimet që i ka shtetit shqiptar, paguan në kohë pagat, sigurimet shoqërore të të gjithë punonjësve, investon në rehabilitimin e mjedisit, paguan dhe shlyen në kohë të gjitha taksat dhe trarifat ndaj pushtetit vendor ku shtrin aktivitetin e vet të teknologjisë naftënxjerrëse. Albpetrol shpenzon sasi të konsiderueshme për kurimin e punonjësve brenda dhe jashtë vendit, që kanë të bëjnë me sëmundjet profesionale apo aksidentet në punë, madje trajton me ndihma financiare edhe të afërmit e naftëtarëve. Mbi 15 milionë lekë të reja janë dhënë për këtë vit vetëm për këtë aspekt të trajtimit të punonjësve nga ana shëndetësore. Fitimi i kompanisë për 7-mujorin e vitit 2011 nga 600 mijë dollarë të parashikuara shkoi në 1.1 milionë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kompania kishte një fitim prej 580 mijë dollarë, ndërsa në total për të gjithë vitin ishte 965 mijë dollarë. Pra këto shifra tregojnë se fitimi i kompanisë që është në fund të fundit qëllimi i çdo sh.a.-je rritet nga viti në vit. Përmirësimi i këtyre treguesve ka ardhur falë menaxhimit të mirë të kompanisë nëpërmjet një administrimi të drejte edhe të shpenzimeve.

Si paraqitet situata mjedisore në zonat naftënxjerrëse që varen nga Albpetrol?

Një aspekt i rëndësishëm i Albpetrol sh.a. është ai social dhe mjedisor. Kompania kujdeset për rehabilitimin e mjedisit pranë zonave naftënxjerrëse, por edhe për kompensimin e fermerëve, tokat e të cilëve preken nga mbetjet hidrokarbure. Nga punonjësit e kompanisë është bërë pastrimi i kolektorit kryesor që derdhet në det, si dhe është bërë pastrimi i bregdetit të Semanit nga mbetjet hidrokarbure. Janë vendosur pajisjet që quhen separatore, të cilat bëjnë ndarjen e ujit nga mbetjet e naftës Këto pajisje janë vendosur pranë stacioneve të dekantimit. Rezultati i kësaj pune është i dukshëm në të gjithë bregdetin e Semanit, ku është minimizuar në maksimum derdhja e mbetjeve hidrokarbure nga aktiviteti i Albpetrol. Ky proces pastrimi, kompensimi i fermerëve dhe rehabilitimi i mjedisit pranë puseve të naftës kap vlerën e 60 milionë lekëve të reja për këtë vit. Angazhimi i kompanisë Albpetrol për mjedisin ka më shumë se dy vjet që është prioritet i kompanisë, madje kemi punësuar punëtorë sezonalë vetëm për të realizuar këtë angazhim.

Në ç’fazë është procesi i privatizimit të Albpetrol?

Në këtë moment kompania është në fazën e ristrukturimit të saj, një proces ky i cili buron nga zbatimi i marrëveshjeve me kompanitë koncesionare të naftës të lidhura nga qeveria shqiptare si dhe nga rekomandimet e raportit të ''patën box’’ për procesin e paraprivatizmit. Pra, kompania është në procesin e paraprivatizmit, që do të thotë përgatitje për privatizim. Ky proces synon që privatizimi të bëhet në mënyrën dhe formën më të përshtatshme dhe fitimprurëse për shtetin shqiptar.

Përsa i takon ristrukturimit të kompanisë, kemi të bëjmë me ristrukturim si të administratës qendrore, ashtu edhe të qendrave të prodhimit, shërbimit dhe ndihmës.

E rëndësishme për kompaninë është që të ofrohet trajtimi ekonomik më i mirë i mundshëm për punonjësit që do të preken nga ky proces ristrukturimi. Është rënë dakord si me përfaqësuesit e sindikatave dhe me ministrinë dhe janë përgatitur draftet të cilat janë dërguar në Këshillin e Ministrave për miratim. Propozimet bëjnë fjalë për trajtimin e punonjësve me 1 vit pagë pas përfshirjes në reformë dhe do të shihet mundësia edhe për përfitime të tjera që rrjedhin nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me pagën e 1 viti, këta punonjës do të jenë gjithashtu të siguruar për 1 vit. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë punonjësit që kanë me mbi një vit punë në Albpetrol. E theksoj se ky ristrukturim do të përfundojë përpara kalimit në fazën e privatizimit, që do të thotë se vendimi për trajtimin e punonjësve nuk ka lidhje me formën e privatizimit. Sqaroj gjithashtu se për një vit punonjësit do të marrin pagë, do të kenë sigurimet shoqërore dhe pas 1 viti do të trajtohen me asistencë nga shteti. Ky është dallimi mes asaj që përflitet si asistencë dhe këtij procesi që është ristrukturimi i kompanisë. Pas përfundimit të kësaj faze, Albpetrol bëhet padyshim një kompani vlera e së cilës në treg është më e larta e mundshme për të kaluar më pas në fazën e privatizimit. Dua të sqaroj opinionin publik se që prej 6 mujorit të dytë të vitit 2010, nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar, është zgjedhur kompania prestigjioze amerikane “patton boggs” si kompani konsulente që ka përpiluar një raport rekomandues për mënyrën e privatizimit të Albpetrol. Pas kësaj përsëri nëpërmjet procedurave ligjore do të përzgjidhet një kompani audituese e cila do të përcaktojë vlerën reale të Albpetrol. Më pas do të merret vendimi i Këshillit të Ministrave për privatizimin e kompanisë. Pra aktualisht nuk është përcaktuar vlera financiare e privatizimit të Albpetrol. Kjo do të bëhet vetëm atëherë pasi të kryhet aktualizimi i vlerës financiare të Albpetrol sh.a.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›