E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Prodhimi vendas frenoi rritjen e çmimeve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 13-05-2011 11:58

Besimi i konsumatorëve shqiptarë duket se është përmirësuar gjatë muajit prill, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për blerje. Kjo është reflektuar nga ulja e çmimeve të produkteve ushqimore. Ka qenë çmimi i perimeve që ka ndikuar në uljen e lehtë të nivelit të përgjithshëm të çmimeve për muajin prill. Në të njëjtën kohë, në këtë muaj kanë pësuar një ulje të lehtë veshjet dhe qiratë e banesave. Sipas statistikave të bëra publike dje nga Instituti i Statistikës, në muajin prill, niveli i përgjithshëm i çmimeve për muajin prill ka shënuar 4,1 %, ndërsa në muajin mars shënoi 4,3 %. Inflacioni për muajin prill 2011, sipas INSTAT, arriti 112.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 0.6 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndërsa ndryshimi vjetor në muajin prill është 4.1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku ndryshim ishte 3.7 për qind. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, niveli i çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” shënoi një ulje prej 1.5 për qind. Dhe brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 12.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ndërkaq, ulja e çmimit të kastravecave ishte me 49.5 për qind, spinaqit me 22.9 për qind, domateve me 19.0 për qind, patëllxhaneve me 18.6 për qind, specave me 11.8 për qind, etj, Në të njëjtën kohë, në uljen e inflacionit për muajin prill ka ndikuar edhe ulja e nivelit të çmimeve në grupin “Veshje dhe këpucë” me 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve shënuan një ulje me 0.1 për qind, ndërsa çmimet e këpucëve 0.4 për qind. Gjithashtu edhe niveli i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, çmimi i lëndëve djegëse u ul me 0.3 për qind. Ndërsa, gjatë këtij muaji kanë shënuar rritje frutat me 4.0 për qind, ku çmimi i limonave u rrit me 8.8 për qind, portokalleve me 7.6 për qind, mollëve me 6.5 për qind, kivit me 1.2 për qind etj. Gjatë muajit prill, sipas INSTAT u vu re një rritje e nivelit të çmimeve në “bukë dhe drithëra” me 1.0 për qind, “peshk” me 1.0 për qind, “qumësht, djath e vezë” me 0.3 për qind etj. Gjithashtu, edhe grupi “Pije alkoolike dhe duhan“ shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku çmimi i duhanit u rrit me 1 për qind. Në të njëjtën kohë, edhe grupi “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.1 për qind. Po sipas INSTAT, edhe “Transportet” shënuan një rritje prej 0.7 për qind, ku çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.4 për qind dhe çmimi i benzinës 0.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›