INSTAT: Rriten kostot për ndërtimin

Rritja e cmimit për metër katror, jo vetëm në Tiranë, ka ndikuar nga shtrenjtimi i lëndëve të para, ku sipas INSTAT-it, në periudhën korrik-shtator 2008 kanë pësuar një luhatje prej 1.5 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Konkretisht, në tremujorin e tretë të 2008-ës, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.8 për qind (krahasimi bazë me 1999), duke shënuar një rritje 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Edhe pse vërehet një rritje mesatare prej 1.5 për qind, INSTAT-i sqaron se kostot në ndërtim kanë regjistruar nivelet më të larta në 2007-ën, pra me një rritje prej 2.1 për qind. Në lidhje me lëndët e para, shifrat tregojnë se, indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.5 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Brenda këtij grupi rritje kanë shënuar nëngrupet "Shpenzime materiale" prej 0.7 për qind dhe "Shpenzime për paga" prej 0.1 për qind. Po sipas INSTAT-it, brenda nëngrupit "Shpenzime materiale" mund të përmendim rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.7 për qind dhe çmimet e materialeve hidro-sanitare prej 0.1 për qind.
Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, indekset e çmimeve të grupeve të tjera me përjashtim të grupit "Ngritje kantieri" nuk kanë ndryshuar.