E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Rama: Kandidatët, në fillim të fushatës

Kryetari i PS premton harmonizim të moshës dhe gjinisë në procesin e përzgjedhjes së emrave.Lista me 140 pretendentët për deputetë do të shpallet zyrtarisht atëherë kur do të duhet që ata të prezantohen publikisht edhe në publik a në KQZ. 

TIRANE- Kandidatët për deputetë të propozuar nga Partia Socialiste do të bëhen të ditur vetëm në fillim të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Lista me 140 pretendentët për deputetë do të shpallet zyrtarisht vetëm atëherë kur do të duhet që ata të prezantohen publikisht edhe në publik apo në KQZ. Kryetari socialist, Edi Rama tha dje në një intervistë për Top Channel, se “jemi duke menduar mbi formën me të cilën do të thithim opinionin qytetar dhe njëkohësisht mbi mënyrën se si do të harmonizojmë moshat, gjinitë, eksperiencat dhe energjitë e reja në këtë listë, që është shumë herët për të folur konkretisht dhe që do t’u paraqitet zgjedhësve në momentin më të përshtatshëm, që është edhe fillimi i fushatës elektorale”. Kryetari socialist, Rama ka lënë të kuptohet në këtë intervistë, se sistemi i ri zgjedhor do të imponojë dhe rregulla të reja për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Dikur, kandidatët përzgjidheshin nga kryesia e partisë dhe më pas i dërgoheshin bazës për diskutim. Tashmë do të jenë, sipas Ramës, vetë qytetarët ata që do t’i përzgjedhin kandidatët që do të vendosen edhe në listën proporcionale. Për këtë çështje ka pasur edhe një diskutim në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, ku një prej socialistëve të vjetër, Maqo Lakrori propozoi që përzgjedhja e kandidatëve për deputetë të bëhet përmes një procesi të hapur në parti e në publik, pak a shumë i njëjtë me zgjedhjet sipas parimit një anëtar-një votë. Kryetari socialist është shprehur edhe për koalicionet zgjedhore, për të cilat ai vazhdon të ketë të njëjtën ide se koalicion do të bëjë me qytetarët e shumtë të Shqipërisë. “Procesi i formësimit të koalicioneve është një proces në vazhdim dhe unë jam besimplotë se PS-ja do të jetë qendra e gravitetit të formimit të një koalicioni të madh njerëzisht përtej kufijve të vjetër. Sot Shqipëria ka nevojë për një bashkim të ri dhe të madh qytetarësh dhe jo për pazar kryetarësh”, - u shpreh Rama. Kreu i PS-së ka zbuluar detaje të organizimit të PS-së që e kanë bazën tek organizimi partiak, por edhe tek bashkëpunimi me shoqërinë, një filozofi që është përligjur me bordin e qytetarëve jashtë radhëve të PS-së në çdo qark të vendit. Këto borde, sipas Ramës, “janë shprehja e vetëdijes sonë se është partia që duhet të shkojnë te njerëzit dhe jo njerëzit që duhet të vijnë te partia”. Programi qeverisës i PS-së është një tjetër element, për të cilin socialistët kanë më se një vit që punojnë në një tur dialogu të drejtuar nga Rama. “Duam të premtojmë atë që mund të bëjmë dhe të bëjmë gjithçka që premtojmë”, - tha kreu socialist, i cili sapo është zgjedhur edhe kryetar i një komisioni të rëndësishëm në Internacionalen Socialiste, atij të vendeve të Evropës Juglindore. “Është shprehje se reformimi i PS-së ka ngjallur interes edhe në gjirin e Internacionales”, - u shpreh kreu i PS-së për këtë zgjedhje.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›