Referendumi i LSI, sot në Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese do të marrë sot në shqyrtim kërkesën për të votëbesuar në popull ndryshimet Kushtetuese që u bënë më 21 prill. Mes firmëtarëve të kërkesës edhe Moisiu, Meidani e Agolli
TIRANE- Gjykata Kushtetuese do të marrë sot në shqyrtim kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, për nisjen e procedurave për organizimin e një referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Kërkesa për referendum u depozitua fillimisht në KQZ muaj më parë, edhe me firmat e mjaft figurave të njohura nga fusha e politikës, ish-presidentëve Moisiu, Meidani, shkrimtarit Dritëro Agolli, etj. Nga ana e saj KQZ-ja tha se kjo çështje nuk kishte të bënte me të dhe kompetencat e saj. Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 5 qershor e hodhi poshtë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, “me pa të drejtë dhe duke tejkaluar kompetencat e veta”, kërkesën e nismëtarëve për të tërhequr formularët tip të nevojshëm për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët. Vetë grupi nismëtar për referendumin dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës kanë shprehur kritikat e tyre mbi këtë qëndrim të KQZ-së, duke e komentuar si një shprehje të ndikimit të drejtpërdrejtë të lidershipit të PS-së dhe PD-së në vendimmarrjen e këtij institucioni. Për KMK-në dhe gjithë mbështetësit e një referendumi popullor lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, “mbetet i papranueshëm jo vetëm fakti i kryerjes së ndryshimeve të dokumentit themelor të shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër, pa një debat transparent si të specializuar ashtu edhe publik, por edhe fakti që amendamentet kanë cenuar rëndë parimet liberal-kushtetuese të ndarjes, baraspeshimit dhe pavarësisë së pushteteve në Shqipëri”. Njëri nga anëtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Andrea Stefani u shpreh dje se “shpresojmë që drejtësia të japë drejtësi”, duke iu referuar asaj çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese pas ankimit të tyre. “Kemi shumë shpresë që Gjykata Kushtetuese do të na japë të drejtën për të marrë të paktën formularët, sepse ne këtë i kërkuam edhe KQZ-së”, - sqaroi Stefani. Ai shpjegoi se formularët janë të nevojshëm për mbledhjen e 50 mijë firmave që duhen për t’i depozituar më pas në KQZ dhe për të bërë zyrtarisht kërkesën për mbajtjen e referendumit. Nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas Stefanit, “e refuzoi pikërisht pajisjen me formularë duke hyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me kompetencat e tij. Pra KQZ u shndërrua në gjykatë dhe dha vendim për pavlefshmëri, që nuk është kompetencë e tij”, - saktësoi Stefani. “Kjo është njëlloj si të shkosh në sportelin e një ambasade dhe atje të mos të japin formularin për ta plotësuar për të kërkuar vizë, në një kohë që ti ende nuk e ke shprehur arsyen se përse do të shkosh jashtë shtetit”, - krahasoi Stefani këtë proces. “Kemi shumë shpresë që do të jetë një vendim në favorin tonë”, - tha anëtari i KMK-së. Pas seancës së sotme që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësues të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës do të shprehen për mediat pas prezantimit të pretendimeve të tyre në seancën gjyqësore.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)