E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, Rritja ekonomike më 2010-n arriti 3.9%

SHKRUAN: Sabina Veizaj 01-04-2011 13:32

Ekonomia shqiptare zyrtarisht është rritur me 3.9 për qind gjatë vitit 2010. INSTAT ka nxjerrë dje rezultatet e rritjes ekonomike për tremujorin e katërt të vitit që shkoi, ku rezultoi se ekonomia kishte pësuar rritjen më të lartë, duke u rritur me 5,4%. Duke mbledhur këtë shifër me rezultatet e rritjes të tremujorëve paraardhës, ekonomia shqiptare është rritur në fund të vitit që shkoi me 3.9%. Shifra është më e lartë se parashikimi i FMN-së, i cili ishte 2.6 për qind dhe më i ulët se parashikimi i qeverisë, që ishte 4.2%. Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2010 u rrit me 5.4 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010 u rrit me 1.2 për qind. Degët që kanë pasur rritjet më të larta, sipas INSTAT-it ishin industria, tregtia, transporti dhe shërbimet e tjera, respektivisht me 24.4 për qind, 12.8 për qind, 7.1 për qind dhe 5.7 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm, ishin ndërtimi me 14.8 për qind dhe postë-komunikacioni me 5.0 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010, me rritje më të lartë u paraqitën degët: industria me 6.7 për qind, postë-komunikacioni me 2.8 për qind, tregtia me 1.4 për qind dhe shërbimet e tjera me 1.1 për qind. Dega e ndërtimit dhe e transportit u shfaq me rënie, krahasuar me tremujorin paraardhës, respektivisht me 3.7 për qind dhe 1.0 për qind . Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 2.5 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe 0.6 për qind kundrejt tremujorit paraardhës. INSTAT vlerëson se statistikat që kanë përcaktuar rritjen ekonomike për periudhën shtator-dhjetor janë të bazuara në informacionin e mbledhur deri në muajin mars të vitit 2011 dhe janë subjekt i revizionimeve të mëvonshme me përmirësimin e informacionit në të ardhmen. Ekspertët e INSTAT-it kanë bërë të ditur se për vlerësimin e PBB-së tremujore është përdorur një metodë indirekte. Kjo metodë bazohet në supozimin se për periudhën në të cilin po analizohet raporti midis vlerës së shtuar dhe prodhimit është konstant. Nga ana tjetër metoda direkt bën vlerësime të prodhimit dhe konsumit ndërmjetës më vete, diferenca e të cilëve jep si rezultat vlerën e shtuar. Ndryshe nga sa kishte ndodhur këto tre vitet e fundit, sektori privat ka marrë frenat e rritjes ekonomike në vendin tonë gjatë vitit që shkoi. Më parë kontributin kryesor në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto e kishte dhënë sektori publik, kryesisht me investimet në rrugë dhe në sektorët e tjerë, duke nxitur kështu kërkesën e brendshme. Roli i privatëve ka qenë më dominues në pjesën e dytë të vitit, pasi roli i ekonomisë publike erdhi në rënie, sidomos pas shkurtimit të buxhetit të vitit 2010 me rreth 40 miliardë, ose 320 milionë euro që ishin parashikuar të investoheshin në ekonominë vendase, por që janë anuluar për shkak se të ardhurat publike nuk u mblodhën sipas parashikimeve. Por rritja ekonomike e vitit 2010 ka rezultuar më e lartë se e vitit 2009, ku ritmet e rritjes shënuan 3.3%. Rritja ekonomike gjatë vitit që shkoi është mbështetur më shumë në kërkesën e huaj dhe në aktivitetin e gjeneruar nga një sezon i mirë turistik gjatë tremujorit të tretë.

Ndryshe nga sa kishte ndodhur këto tre vitet e fundit, sektori privat ka marrë frenat e rritjes ekonomike në vendin tonë gjatë vitit që shkoi. Më parë kontributin kryesor në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto e kishte dhënë sektori publik

Rritja ekonomike sipas sektorëve

Bujqësia Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 2.5 për qind dhe 0.6 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2010.

Industria Grupi i industrive pati rritjen më të madhe, me 24.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar kjo me tremujorin e katërt të 2009-s. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010, dega e industrisë pati një rritje prej 6.7 për qind.

Ndërtimi Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2010 pati rënien më të madhe, me 14.8 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009 dhe me 3.7 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010.

Tregti, Hotele dhe Restorante Ky grup pati një rritje prej 12.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.4 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010.

Transporti Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2010 u rrit me 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie me 1.0 për qind ndaj tremujorit paraardhës.

Postë-komunikacioni Dega e postë-komunikacionit u shfaq me rënie 5.0 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010, përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe një rritje me 2.8 për qind përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2010.

Shërbimet Dega e shërbimeve në tremujorin e katërt të vitit 2010 pati rritje me 5.7 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe një rritje prej 1.1 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›