E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë - Elbasan, miratohet marrëveshja 247 mln euro me Bankën islamike

SHKRUAN: Sabina Veizaj 01-04-2011 13:18

Miratohet marrëveshja me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Qeveria ka miratuar dje këtë marrëveshje për përfundimin e projektit më të madh infrastrukturor, i cili në total arrin shifrën e 407 mln dollarëve.

“Në rendin e ditës kemi edhe një seri marrëveshjesh të tjera, por unë do të veçoja marrëveshjen që firmoset me Bankën Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, tunelit të Kërrabës. Një vepër kjo që shndërron distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këta dy qytete të shndërrohen pothuaj në një treg të vetëm. Kostoja totale e projektit është rreth 407 milionë dollarë, por gara e projektit që u bë ka dhënë një kursim të ndjeshëm dhe ne shpresojmë që edhe segmente të tjera do të shoqërohen me kursim. Në çdo rrethanë, qeveria është e vendosur ta financojë këtë projekt me përparësi absolute, qindarkë për qindarkë. “- u shpreh kreu i qeverisë. Ai theksoi se shumë shpejt do të përfundojë edhe projekti tjetër i rëndësishëm infrastrukturor, ai i Qafë-Murrizit, tuneli i rrugës së Arbrit që kërkon një certifikim më të plotë, pasi projekti i parë, tha Berisha, që u bë në një kuotë prej 715 metra, për fat të keq doli se nuk mund të ndërtohej në atë kuotë, për shkak të strukturës gjeologjike. “Projekti i dytë është lartësuar në një kuotë prej 830 metra, por aty po bëhen verifikimet e fundit të shtresave të përbërjes gjeologjike, në mënyrë që të merret vistoja përfundimtare për tenderimin e të tij. Në këtë mënyrë, me tre tunelet, tunelin e Elbasanit, tunelin e Qafë-Murrizit, dhe tunelin e Kalimashit, ne i sjellim fizikisht shqiptarët më afër njëri-tjetrit se kurrë, pasi shpirtërisht ata janë.” – tha kreu i qeverisë. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha bëri me dije se qeveria shumë shpjet do të ndërmarrë një nismë fiskale për të zeruar taksat doganore. Nga kjo nismë do të përfitojnë biznesi fason dhe biznesi i huaj, kryesisht ai arab. “Eksportet ‘made in Albania’ kryesojnë dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por industria fason ka një meritë më të veçantë se të tjerat. Pa diskutim që është sektori më kryesor pas disa shërbimeve. Kjo industri, me avancimet e saj dhe me fuqizimin e kapaciteteve menaxheriale të vendit, po shndërrohet në një industri eksporti vendi”, ka bërë me dije Kryeministri Sali Berisha se, do të heq tarifën doganore. Gjithashtu, duke qëndruar në klimën e biznesit e duke hedhur vështrimin te ngjarjet në Lindjen e Mesme, ai theksoi se shumë biznese në vendet arabe kanë nisur të shohin spostimin e tyre në Shqipëri. Duke menduar se një fenomen i tillë mund të sjellë përfitime për prodhimin dhe punësimin e shqiptarëve, Kryeministri ka deklaruar se do të zerojë taksën doganore. “Revolucioni i jaseminëve i vendeve arabe, që përbën një zhvillim të madh për njerëzimin dhe lirinë e tij, ka krijuar një situatë në të cilën një numër i konsiderueshëm i pronarëve e sipërmarrësve që prodhonin në këto vende të dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, duke e konsideruar atë si vendin me klimën më të përshtatshme për biznes. Kjo përbën një mundësi të madhe reale jo vetëm për fuqizimin e prodhimit, por edhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Në këto kushte, qeveria vendos që tarifën doganore prej 12.5% për mallrat e kësaj industrie ta zerojë, pra ta bëjë zero”, ka theksuar Kryeministri. Ai është shprehur se, megjithëse heqja e kësaj takse do t’i japë një goditje buxhetit të shtetit, ky vendim përbën një inkurajim për biznesin, që, nëse do të ketë sukses, do të sjellë më shumë të ardhura vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›