Marrëveshja: 10 mln euro për Ujësjellësin e Pogradecit
Puna për riparimin e sistemit ujor të Pogradecit është drejt përfundimit. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Pogradec dhe KFW Frankfurt AM MAIN për financimin e programit “Mbrojtja Mjedisore e Liqenit të Ohrit, Kanalizimet Pogradec III””. Projekti parashikon një hua prej 10 mln euro, të cilat qeveria do t’ia nënhuazojë Ujësjellësit të Pogradecit me një interes prej 13,5%, interes i njëjtë me të cilin qeveria e ka marrë kredinë. Gjatë diskutimeve deputetja socialiste e qytetit të Pogradecit, Mimi Kodheli, kërkoi nga përfaqësuesit e financave arsyet se pse ky projekt është vonuar kaq gjatë. Në përgjigje të saj, përfaqësuesit e financave sqaruan se projekti ka përfunduar deri në 70% dhe të tre komponentët e fazës së dytë i shkojnë projektit të vitit 2005. Kjo fazë përfshin zgjerimin e impiantit dhe garantimin e cilësisë së ujit që derdhet në liqen. Projekti synon mbrojtjen e cilësisë së ujit në liqenin e Ohrit dhe reduktimin e rreziqeve për shëndetin e popullatës dhe sigurimin nga ana higjienike e mjedisore i mbledhjes dhe trajtimit të ujërave të zeza në qytetin e Pogradecit dhe në fshatrat përreth komunës Buçimas si dhe sigurimin e ujit të pijshëm në Vërdovë, Rëmenj dhe Gurras.