E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonet dogana zero. Hiqet tarifa per lenden e pare

Një kerkesë e kahershme e bizneseve që operojnë me materiale gjysmë të gatshme ka marrë miratimin nga qeveria. Vetë kryeministri, në mbledhjen e rradhë të qeverisë bëri me dije se një prej taksave doganore, që rëndonte padrejtësisht mbi industrinë fason do të bëhet zero.

“Qeveria vendos që tarifën doganore prej 12.5% për mallrat e kësaj industrie ta zerojnë. E vërteta është që buxheti i shtetit pëson një rrudhje. Natyrisht nuk mund të themi se kjo nuk ka implikacione në arkën e shtetit dhe buxhetin e tij, por nga ana tjetër kjo përbën një nxitje dhe inkurajim të madh për këtë industri” tha Berisha.

Bizneset e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve kanë të regjistruara mbi 70 mijë punonjës në të gjithë vendin. Pjesë dërrmuese e tyre marrin lëndën e parë gjysëm të gatshme dhe finalizojnë procesin e prodhimit në Shqipëri, duke e rikthyer më pas prodhimin jashtë Shqipërisë. Disa dhjetra kompani të tjera, marrin lëndën e parë në vendet e BE-së dhe prodhimet e tyre i shesin në tregjet vendase.

Ashtu siç dhe kishte premtuar pak ditë më parë, kryeministri bëri me dije dhe vendimin e qeverisë për shërblimin e kombëtares së futbollit. “Vendimi i parë është shpërblimi me 10 mijë euro sejcilin lojtar të ekipit kombëtar dhe me 15 mijë euro kapitenin e saj të shkëlqyer dhe golshënuesin, zotin Hamdi Salihi” tha Berisha.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›