E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rritja ekonomike për 2012-n, 1.7 për qind

03-04-2013 / Gazeta 55

Në kulmin e krizës ekonomike, kur asnjë nga vendet e rajonit s’regjistron rritje ekonomike, Shqipëria i shmanget recesionit dhe regjistron një rritje më të lartë sesa parashikimet e Bankës Botërore dhe FMN-së. Aktiviteti bujqësor bën diferencën në tremujorin e katërt të vitit 2012, ku krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 6.1 për qind

Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2012 u rrit me 1.7 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012  u rrit me 0.1 për qind. 
Sipas INSTAT, aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2012  krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 6.1 për qind dhe u rrit 1.6  për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2012. 
Industria shënoi një rritje prej 7.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2012 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012, dega e industrisë shënoi një rënie me 4.8 për qind. Sektori i ndërtimit, në tremujorin e katërt të vitit 2012 pati rënie me 15.4 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 dhe u ul me 1.4 për qind krahasuar me tremujorin para-ardhës. Dega Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rënie me 1.7 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2012 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe nuk ndryshoi krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012. Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2012 u ul me 8.4 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe u rrit me 5 për qind ndaj tremujorit para-ardhës. Dega e post-komunikacionit pati një rritje me 24 për qind këtë tremujor krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 dhe një rritje me 6.3 për qind përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2012.
Megjithatë qeveria Berisha shkon zgjedhjet e qershorit me një bilanc pozitiv për sa i përket kontrollit të treguesve makroekonomik të vendit, përkundër fundjes së ekonomive fqinje të Italisë dhe Greqisë, të cilat ndikojnë jo pozitivisht në remitancat e emigrantëve. Të dhënat e sotme të INSTAT mund të shërbejnë edhe për të vlerësuar performancën e institucioneve të ndryshme.
Në vitet më të vështira të krizës europiane ekonomia shqiptare ia doli të qëndrojë pjesërisht e paprekur nga katastrofa financiare, greke, qipriote dhe italiane.
Sipas Eurostat papunësia në Eurozonë (vendet europiane) prek nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë që prej krijimit të hapësirës së përbashkët monetare në vitin 1999. Të dhënat e publikuara së fundi nga Eurostat tregojnë se niveli i papunësisë në muajin shkurt arriti në 12 për qind. Ky nivel pësoi një rritje me 0.1 për qind krahasuar me muajin pararendës, çka do të thotë se listës së të papunëve iu shtuan 33 mijë persona. Në total, numri i të papunëve arrin në 19 milion e 71 mijë. Në krye të listës së vendeve antare me papunësinë më të lartë në hapësirën Euro renditet Greqia. Megjithëse të dhënat për dy muajt e parë të këtij viti nuk janë publikuar ende, që prej dhjetorit niveli ndodhet në kuotën 26.4 për qind. E dyta renditet Spanja, me 26.3 për qind në muajin shkurt. Rritje me 0.1 për qind pati edhe në Francë, duke e çuar në 10.8 për qind. Por ndër të tjera Eurostat konstaton se në Portugali, niveli i papunësisë ishte i qëndrueshëm gjatë shkurtit, duke ruajtur kuotën 17.5 për qind.  Ndërsa nivelin më të ulët vazhdojnë ta kenë vende si Austria, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda. Veçanërisht në Gjermani, papunësia mbetet e paqëndrueshme prej më shumë se një viti në kuotat 5.4 për qind, çka tregon se masat antikrizë të orientuara drejt uljes së taksave për korporatat dhe individët, me qëllim nxitjen e konsumit, po japin frytet e duhura. Të njëjtën politikë efektive ndjekin edhe Austria e Hollanda. Efekte negative, duket se po jep rritja e taksave, e aplikuar nga vendet në krizë si Greqia e Spanja por edhe nga Franca.  Ndër 27 vendet e Bashkimit Europian, niveli i papunësisë arriti në 10.9 për qind gjatë shkurtit duke u rritur me 0.1 për qind. Ekspertët parashikojnë rritje të mëtejshme, pasi sipas tyre, gjatë marsit u konstatua një rënie në sektorin e prodhimit në Eurozonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›