Tronditet koalicioni i opozitës - vetëm Gjinushi vetëkonfirmohet si skllav i Ramës
Zemërohen aleatët e PS, Gjinushi, Koçi, Zogaj dhe 99-shat e mbetur tek G-ja protestojnë publikisht. Mesazhi i përbashkët i tyre është “Nuk ka Rilindje, as opozitë të bashkuar, por vetëm riciklim”
Aleatët e Edi Ramës kanë reaguar ashpër dhe në mënyrë të menjëhershme pas ftesës së PS-së për koalicion me LSI-në. Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi ka denoncuar këtë lëvizje të Ilir Metës që sipas tij vjen me bekimin e Berishës. I pyetur nëse PSD do të vijojë të jetë në koalicion, Gjinushi ka komentuar se ata janë në shtëpinë e tyre dhe se hajdutët duhet të nxirren jashtë.
“PSD denoncon lojën e LSI në përpjekje për të mashtruar përsëri të majtën. Lëvizja e LSI synon marrjen e votave të majta për llogari të Sali Berishës. PSD ka qenë dhe mbetet pjesë e së majtës. Ne jemi në shtëpinë tonë. LSI kërkon të hyjë si hajdut në shtëpi. I zoti i shtëpisë nuk del nga shtëpia kur vjen hajduti. Përpiqet të largojë hajdutin. Ai është tepër, nuk jemi ne tepër”, theksoi Gjinushi.
Më i ashpër ka qenë aleati tjetër Preç Zogaj, i cili ka bërë zyrtare shkëputjen nga Opozita e Bashkuar, pasi sipas tij, ajo nuk ekziston më.
“Ne, një koalicion të tillë siç përflitet 4 vjeçar, i bie që Opozita e Bashkuar bie. Duhet të shpiket një term tjetër për të treguar se çfarë gare kemi. Unë nuk kam vend aty. Rama është informuar që në këtë pikë rrugët tona ndahen. Unë i them: Rrugë të mbarë!”, theksoi Zogaj.
Zogaj kërkoi nga Edi Rama që të kërkojë ndjesë për 21 janarin, pasi sipas tij njerëzit dolën në protestë kundër Ilir Metës.
“Është e detyrueshme për të që të bëjë një mea culpa për 21 Janarin, jo për të vrarit sepse ata janë vrasje kriminale që duhen hetuar dhe duhen ndëshkuar deri në fund autorët, por për thirrjen e demonstratës e cila u lëshua në Bulevard pa drejtim nën shenjën e revoltës për videon Meta-Prifti”, theksoi Zogaj.
Ndërsa për Petro Koçin, kryetar i PSV ‘91 ky koalicion dëmton Partinë Socialiste. “Mendoj se është një marrëveshje që i krijon një hapësirë më të madhe të LSI në elektoratin e majtë dhe mund të rrezikojë elektoratin socialist ose votat për PS-në. E vetmja pikë që mund të justifikojë një veprim të tillë është rotacioni politik dhe kuptohet që ne kemi bërë gjithçka në këto vite për të realizuar këtë gjë. Nëse Meta është një garant i Berishës për të mos u hetuar nesër, atëherë kemi të bëjmë me një marrëveshje që është në kurriz të drejtësisë dhe në dëm të interesave të publikut. Unë nuk besoj që të jetë kështu”, theksoi Koçi.
Nga ana tjetër, kryetar i partisë G99 Ervin Mete, është shprehur kundër koalicionit parazgjedhor midis LSI-së dhe PS-së.
“Nuk mendoj se me LSI duhet të bëhet aleancë parazgjedhore”, theksoi Mete.
Sipas tij moralisht një aleancë e tillë do ta dëmtonte koalicionin e majtë.
“Motoja jonë është motoja e Rilindjes dhe mendoj se rilindja do të ishte shumë e cunguar nëse ne do të hynim në zgjedhje përkrah LSI-së”, theksoi ai. Kreu i G99 Ervin Mete vuri në dukje se, “nëse duam Rilindjen ne nuk duhet dhe nuk mund të bëjmë aleancë me Ilir Metën”.