E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Çdo parti e lirë në zgjedhjen e vet, Kushtetuta i garanton qeverisjen PD

03-04-2013 / Gazeta 55

2 prilli - kryeparlamentarja nderon në Shkodër 4 dëshmorët e demokracisë

“Çdo parti është e lirë të bëjë zgjedhjen e vet, por Kushtetuta i garanton qeverisjen Partisë Demokratike deri më 23 qershor”.
Kështu deklaroi nga Shkodra, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 2 prillit, ka komentuar lëvizjen e fundit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Topalli u shpreh se gjithsesi çdo vendim i tillë duhet respektuar.
“Unë mendoj se çdo forcë politikë është e lirë për të bërë zgjedhjet e veta. Jam shumë optimiste për të ardhmen. Si kryetare e parlamentit do të garantoj se Kushtetuta do zbatohet pikë për pikë. Kushtetutën për fatin tonë Edi Rama na e ka bërë të fortë dhe ne do vazhdojmë të qeverisim për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit ishte në qytetin e Shkodrës ku mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të 2 prillit 1991, ku gjatë demonstratës antikomuniste u vranë 4 të rinjtë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, të cilët më pas u shpallën dëshmorë të demokracisë.
Në shenjë respekti për veprën e tyre, në prani edhe të familjarëve të katër dëshmorëve, si dhe të shumë qytetarëve shkodranë, pranë memorialit kushtuar  katër dëshmorëve të demokracisë  u bënë homazhe dhe u  vendosen kurora  me lule.
“Në Shkodër, të gjithë bashkë,  siç e shikoni, unë jam e rrethuar nga familjarët  e katër dëshmorëve të 2 prillit. Ne kujtojmë atë ditë të veçantë, kur Shkodra u ngrit dhe me një besim  dhe shpresë të pabesueshme, duke menduar dhe realizuar hapjen e një epoke të re, një epoke të lire dhe të një epoke ku secili mund të bënte atë që do të dëshironte”, tha zonja Topalli në prononcim për mediat.
“Me nderimin më të madh për katër djem të rinj, për katër shkodranë të dashur e të nderuar  që sakrifikuan jetën e tyre ne jemi sot këtu, jemi nje vend anëtar i NATO-s, ku të rinjtë lëvizin të lirë pa viza. Vendi ynë është një ndër vendet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, ne kemi kapërcyer krizën, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera që na rrethojnë dhe do të ecim, përpara me besim të plotë. Unë jam shumë optimiste që edhe me 23 qershor, shkodranët dhe jo vetëm shkodranët, shqiptarët, do të dinë të zgjedhin atë që është më e mira për vendin e tyre. Sot Shqipëria është më e mirë, ne e dimë që ka shumë probleme të tjera për të zgjidhur, kemi bërë shumë punë, por shumë të tjera na presin përpara”, theksoi Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›