INSTAT: Shqipëria, mrekulli ekonomike, çdo familje shpenzon 800 mijë lekë në muaj
INSTAT paraqiti dje të dhëna të një anketimi të tij mbi shpenzimet për konsum të familjeve shqiptare, duke thënë se mesatarisht një familje shqiptare shpenzon në një muaj rreth 700 mijë lekë. INSTAT tha se në Tiranë familjet shpenzojnë rreth 830 mijë lekë në muaj, duke qenë kështu familjet që shpenzojnë më shumë. Këto të dhëna INSTAT i nxori pas një anketimi dhe duke pjesëtuar sasinë e parave të shpenzuara për konsum në Shqipëri në një muaj me numrin e familjeve. Duke bërë këtë gjë INSTAT i është referuar një numri prej 720 mijë familjesh në Shqipëri, ndërkohë që numri i familjeve në Shqipëri është së paku 100 mijë syresh më shumë sipas të dhënave zyrtare. Në anën tjetër, Instituti i Statistikave ka llogaritur se konsumi në Shqipëri për një muaj është rreth 52 miliardë lekë në muaj ose më shumë, 700 milionë dollarë në muaj. Është pa diskutim një sajesë një shifër e tillë e konsumit në familjet shqiptare. Sasia e konsumit, për të cilën flet Instituti i Statistikave, nuk është konsumi që bëjnë familjet shqiptare, por shumë më tepër se kaq. Në këtë vlerë INSTAT ka përfshirë edhe të tjera shpenzime që futen në atë zë të konsumit. INSTAT ka marrë të dhënat e doganave dhe ka llogaritur konsumin, duke ia veshur të gjithë këtë konsum familjeve shqiptare. Është e habitshme se ku do t’i gjenin 830 mijë lekë në muaj familjet në Tiranë që t’i shpenzonin. Numri i të punësuarve në të gjithë qytetet e Shqipërisë, sipas po vetë INSTAT, është më pak 400 mijë vetë. Në këta 400 mijë të punësuar në qytet rreth 90 mijë i përkasin sistemit shtetëror dhe pjesa tjetër sektorit privat. Ku do të gjendeshin të tilla paga që një familje në Tiranë të shpenzonte çdo muaj 830 mijë lekë të vjetra?! Pagat mesatare janë rreth 250 mijë lekë të vjetra, ndërsa ato minimalet 140 mijë lekë të vjetra. Edhe sikur çdo familje të kishte tre vetë në punë, do të ishte e pamundur të shpenzonte 830 mijë lekë në muaj. Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëhen edhe më të çuditshme, kur ato krahasohen me vitin 2000 apo me vitin 2005, duke dëshmuar se retorika e krahasimeve me të shkuarën është shumë e rëndësishme. Krahasime të tilla në Shqipëri janë bërë paprerë prej dhjetëra vjetësh.