Rajonet kroate, në kapërcyell drejt BE
Në zbatim të programeve që ekzistojnë nga mjaft organizma joqeveritare në Shqipëri për trajnimin e kapaciteteve të administratave rajonale e lokale, për shkëmbimin e përvojës së përparuar, por më tepër, të marrjes së kësaj përvoje prej vendeve që janë disa shkallë përpara nesh në procesin e integrimit në BE, kryesisht të menaxhimit rajonal dhe të funksionit që do të kenë rajonet në kuadër të këtij integrimi, Zyra e PNUD në Shqipëri organizoi një vizitë studimore në Kroaci, me përfaqësues të disa qarqeve të Shqipërisë, me drejtues dhe specialistë të fushave të integrimit e programin zhvillimit. Vizitat tona studimore u përqendruan në tri konté: Zadar, Zagreb dhe Varazhdin. Zadari është njëra prej shtatë konteve bregdetare që ka Kroacia. Megjithatë, vetëm gjysma e sipërfaqes së kontesë konsiderohet bregdetare dhe gjysma tjetër kontinentale. Në përbërje të kësaj konteje ka 34 njësi lokale, nga të cilat 7 janë qytete. Ka 160 ishuj, nga të cilët 100 janë të banuar. Pozita gjeografike e orienton këtë rajon në drejtimin kryesor të saj nga deti. Banorët e Zarës konsiderohen si themelues të kulturës detare në Mesdhe. Është veçanësi se kultura detare nuk është “pronë” vetëm e banorëve të gjysmës bregdetare, por edhe asaj malore të Zadarit. Nga ana e vet, Varazhdini konsiderohet si qyteti më i vjetër në Kroaci. Konteja e Varazhdinit ka 184 mijë banorë. Zhupanët (kontët) e saj datojnë që përpara 6 shekujsh. Përpara Zagrebit, Varazhdini ka qenë kryeqytet i vendit.
Disa përvoja rajonale: Këshilli i Partneritetit
Ky këshill është formuar me qëllim thithjen e mendimeve paraprake, diskutimin e nevojave e të prioriteteve të investimeve dhe përcjelljen e këtyre përfundimeve në organe vendimmarrëse, siç është Këshilli i kontesë. Në fillim nuk janë kuptuar mirë roli dhe detyrat e këtij partnershipi. Për këtë problem ka pasur edhe diskutime, si mes aktorëve që përbëjnë këtë partnership ashtu edhe në mes të konteve të ndryshme. Qëllimi ishte që të përcaktohej mirë roli dhe detyrat që duhet të zgjidhte ky këshill. Partnershipi është një trupë që, në bashkëpunim, përfaqëson interesat e të gjitha niveleve.
Anëtarë të këtij partneriteti janë: niveli shtetëror (ministritë), niveli rajonal (zhupanjet-kontetë), niveli lokal (komunat e qytetet), ku përfaqësohet edhe komuniteti, komuniteti i biznesit, sindikatat, pakicat kombëtare, institucionet arsimore, si dhe faktorë të tjerë që janë të interesuar për zhvillimin e rajonit. Anëtarët e partneritetit marrin pjesë aktive në hartimin e dokumentit strategjik. Hartimi i një dokumenti kalon përmes diskutimeve të shumta dhe duhet të miratohet nga partneriteti. Për përmbushjen e funksionit të tij, ky partneritet krijon nëngrupe të ndryshme, të cilat funksionojnë sipas sektorëve e llojeve të prioriteteve. Nëse numri i anëtarëve të partnershipit rajonal është rreth 30 veta, numri i personave të përfshirë në dhënien e mendimeve 4-5-fishohet. Nëngrupet krijojnë dhe thërrasin grupe ekspertësh të fushave të ndryshme, të cilët janë të njohur dhe të aftë për të pikasur prioritetet që përfundimisht programi i zhvillimit të një sektori apo prioritetet e atij sektori të jenë sa më të sakta dhe gjithëpërfshirëse. Në Zadar numri i personave aktivë në dhënien e mendimeve shkon deri në 200 veta, ndërsa në Varazhdin, deri 150 veta. Këto forume në Zadar dhe Varazhdin janë krijuar prej 2-3 vitesh. Gjatë kësaj periudhe këto forume kanë bërë mbi 15 takime, ku kanë marrë pjesë më shumë se gjysma e pjesëtarëve të ftuar si ekspertë.
Programin e konsiderojnë si një dokument të gjallë, i cili lëviz, ndryshon sipas fazës, në të cilën ndodhet. Në Këshillin e Partneritetit prezantohet ajo që është arritur deri në atë moment. Aty sugjerohet se çfarë pjesësh janë për t’u plotësuar dhe si duhet të ecet më përpara. “Në këtë Këshill nuk mblidhemi që të zihemi mes vedit, - të thonë në këto rajone, - por të diskutojmë e secili të sjellë përvojën e të japë mendimet e tij”. Eksperienca ka treguar se anëtarët e Forumit të Partneritetit, të cilët vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore apo prej profesioneve të ndryshme, gjithsesi jashtë mureve të institucioneve zyrtare, kanë më tepër informacion sesa ne. Ky është një përfundim që e kanë nxjerrë në Varazhdin. Këta vijnë nga baza dhe të dhënat që sjellin ata janë shumë më të sakta.
Asnjë prej anëtarëve të këtij forumi nuk merr kompensim financiar, pasi të gjithë ata vijnë prej strukturave apo institucioneve që janë të interesuara për zhvillimin e rajonit të tyre. Pra, ai është një grupim i organizuar vullnetar bazuar në interesa themelore të përbashkëta. Tash që njerëzit e shohin se vendi po hedh hapa drejt anëtarësimit të plotë në BE, ata bëhen edhe më aktivë për të marrë pjesë në forume të tilla, ku diskutohen programe zhvillimi e prioritete të rajonit të tyre.
Gjithsesi, partneriteti ka një rol këshillues (por, një organ i rëndësishëm dhe serioz, ndaj nuk duhet t’i hedhin pas krahëve këshillat e tij). Ato programe dhe prioritete që miraton partneriteti shkojnë në Këshillin e kontesë. Si përfundim, nuk ka ndonjë kornizë të funksionimit apo rolit të këtij partneriteti.
Agjencia e Zhvillimit Rajonal.
Duhet të themi që në fillim se në Kroaci nuk ka akoma një ligj të zhvillimit rajonal. Me këtë duam të sqarojmë se mjaft prej përvojave që gjenden atje janë zgjidhje e vetë rajoneve. Pra, kemi të bëjmë me iniciativa rajonale dhe me modele të menduara nga vet zhupanjet-kontetë. Megjithëse agjencitë e zhvillimit rajonal (AZHR), janë të ngritura pothuaj në të gjitha rajonet e Kroacisë, ato nuk funksionojnë me të njëjtin model në të gjithë vendin. Pra, ato nuk janë një politikë kombëtare. Çdo konte vepron në harmoni me interesat e veta.
AZHR konsiderohet si një trupë zhvillimore në rajon, e cila zbaton projektet që i rekomandohen nga departamentet e kontesë. Agjenci të tilla zhvillimi gjen jo vetëm në rajone, por edhe në qytete apo komuna. Ato janë të pavarura nga njëra-tjetra, por edhe bashkëpunojnë mes tyre. Pse ngrihet një agjenci në një rajon (konte), kjo nuk do të thotë se njësitë administrative që përbëjnë kontenë, nuk kanë të drejtë të ngrenë agjencitë e tyre. Ngritjen e AZHR në një konte (ose te ne në një qark), ne po e konsiderojmë si projektin e parë të modeluar dhe të zbatuar, nga i cili rrjedhin edhe të gjitha projektet e tjera. Mendojmë se këtej duhet të fillohet puna në rajonet tona.
Ngritja e agjencisë mund të jetë një projekt i përbashkët, pra mund të jenë disa bashkëthemelues (rajoni dhe disa qytete) si në Zadar, ose mund të jetë një themelues i vetëm, (vetëm rajoni) si në Varazhdin.
Në këtë agjenci mund të jenë të punësuar 8 apo 9 specialistë si në Zadar, ose mund të jenë të punësuar 2-3 duzina njerëzish, si në Varazhdin.
Agjencia mund të ketë 6 departamente (i biznesit të vogël, i studimit të zonave të biznesit, i zhvillimit rajonal, i fondeve të BE, i bashkëpunimit ndërkufitar dhe i financimeve), ashtu siç e kishte Zadari, por mund të jetë vetëm me tri departamente (i zhvillimit rajonal, i përgatitjes së projekteve dhe i zbatimit të projekteve) siç e kishte Varazhdini.
Kapitali fillestar për ngritjen e agjencisë mund të jetë 500 mijë euro si në Zadar, por mundet edhe 1.1 milion euro si në Varazhdin. Ky financim mund të jetë vetëm i kontesë, por mund të financojnë edhe donatorë të ndryshëm, për realizimin e këtij projekti, siç po e quajmë.
Pra, gjithsesi, ndryshon forma e agjencisë, por jo përmbajtja. Ato janë me status ligjor sh.p.k. dhe si të tilla janë prezente në treg dhe nuk janë të privuara që të përfitojnë nga kjo prezencë. Por roli i saj nuk është që të funksionojë si privat.
AZHR funksionon si një kompani dhe nuk konsiderohet si pjesë e shërbimit civil. Si e tillë, pagat dhe emërimet e specialistëve që punojnë këtu nuk i nënshtrohen ligjeve që rregullojnë funksionimin e administratës civile. Pra, tërheqjen e ekspertëve më të mirë në këtë agjenci nuk e pengon paga e zakonshme e administratës civile, sepse ata paguhen në masën 70 për qind nga të ardhurat që realizon kompania (AZHR). Në përbërje të themeluesit (ose bashkëthemeluesve) të agjencisë, funksionon “këshilli udhëheqës”, i cili bën emërimin e drejtorit të kësaj agjencie.
Agjencia është e drejtuar nga projektet. Ajo jo vetëm që funksionon si një organizatë e tillë, por ajo nuk ekziston pa projektet. Por, nga ana tjetër, edhe numri i projekteve (e si rrjedhim marrja e fondeve) pa agjencinë është i paktë. Në Zadar njihej me dy shifra që përfaqësojnë vlerën e projekteve përpara dhe pas krijimit të agjencisë: 6 dhe 250 milionë euro. Shumëfishimi i kësaj shifre është rezultat vetëm i funksionimit të agjencisë dhe i numrit të projekteve që janë realizuar.
Duhet thënë se modelin “agjenci” nuk e kanë shpikur rajonet kroate. Ai është një model evropian. Siç e kanë marrë ata nga të tjerët, këta janë të gatshëm të na ndihmojnë edhe ne, nëse vendosim që t’i krijojmë këto agjenci.
Krijimi i agjencisë i jep fund konceptit të gabuar që: “Na jepni fondet, se dimë ne se çfarë të bëjmë me to”. Ky qëndrim nuk është i drejtë. Fondet që mund të marrësh, harxhohen dhe këto nuk mjaftojnë për të të mësuar se si mund të marrësh fonde të tjera që janë edhe më të shumta.
Disa nga detyrat që kryen agjencia janë: Hartimi i strategjisë zhvillimore dhe përgatitja e planit operativ rajonal konsiderohet si një ndër detyrat bazë të agjencisë. Programi operativ përbëhet nga prioritetet dhe masat e përbashkëta që zbatohen nga ministritë e linjës.
Në planin rajonal duhet të jetë gjithçka e përcaktuar. Nëse komuna apo qyteti kërkon që të investohet në një objekt që nuk është prioritet i përcaktuar që më parë në planin operativ, ajo nuk realizohet. Në këtë rast duhet të veprojë njësia administrative me fondet e veta.
Bën studimin e zonave të biznesit (industriale): fizibilitetin, drejtimin që do të marrin, programet, marketingun etj.
Merr pjesë në zbatimin e projekteve të ndryshme. Në projektet për zhvillimin e biznesit të vogël, agjencia shërben si ndërmjetës midis tyre dhe bankave në dhënien e kredisë. Jo vetëm që ndihmon në procesin e plotësimit të dokumentacionit të marrjes së kredisë, por ajo bëhet edhe garanti në ato raste, kur përpara kemi një projekt të mirë, por jo bindës për bankat. Në këtë rast agjencia manovron me “fondin e garantimit”, një fond që është i krijuar nga shteti për të hyrë në marrëveshje me bankat, të cilat të garantohen për sigurinë e kredisë që ato akordojnë. Paraprakisht bëhen marrëveshje me bankat e nivelit të dytë. Në Zadar, p.sh., kishte tetë banka që kishin lidhur marrëveshje me agjencinë.
Kanë prioritet në marrjen e kredive bashkimet e biznesit. P.sh., punishtet e përpunimit të metaleve janë të bashkuara me prodhuesit e makinave ose janë financuar në kooperativë prodhuesit e gurit (punishte tradicionale me prodhime autoktone) etj. Në këto raste, marrja e kredisë është më prioritare.
Ka fonde që jep Ministria e Arsimit për edukimin e punonjësve të bizneseve të vogla e të mesme. Në këto raste, agjencia, ashtu si edhe kompani të tjera, konkurron për të fituar të drejtën e organizimit të këtyre seminareve.
Organizon trajnime e seminare të administratave lokale e rajonale për të mundësuar pjesëmarrjen në projekte.
Kërkon ndihmë e aktivizon edhe organizata joqeveritare për të shkruar projekte.
Agjencia ndikon, por edhe ajo vetë punon për përcaktimin e qëllimeve kryesore. Sipas përvojës në Kroaci, nuk mund të vendosim më shumë se tri qëllime (objektiva). Kur shkruhen më tepër, ato nuk janë më qëllime, por dëshira.
Disa prioritete dhe projekte të ndryshme të realizuara: Kroacia është një vend që vjen nga lufta. Prandaj, ndër prioritetet e para është çminimi i fushave. Zhvillimi i qëndrueshëm i këtyre hapësirave, sidomos në Zadar, si rajoni më i prekur. Vetëm këtu janë investuar 2 milionë euro.
Infrastruktura në përgjithësi. Prioritet ujësjellësit në veçanti. Në Zadar janë investuar mbi 2.2 milionë euro.
Investime me mjete të pakthyeshme 2.240 milion euro
Investim për themelimin e qendrës për zgjerimin e sektorit të turizmit. Në dy parqe kombëtare janë investuar 280 mijë euro.
Vetëm nga një investim prej 220 mijë eurosh për sistemimin e ambientit përreth liqenit Vransko në Zadar, ishte pesëfishuar numri i turistëve (nga 20 në 100 mijë)
Projekte për zhvillimin e bujqësisë, kryesisht për rritjen e sipërfaqes së fermave. Sot, shumë rajone kroate vuajnë nga sipërfaqja e vogël e parcelave. Në Varazhdin, sipërfaqja më e madhe e parcelave ishte 0.13 ha. Ferma më e madhe bujqësore ishte 35 ha, edhe kjo e përbërë prej 95 parcelave të ndryshme.
Projekte për rrugët e ushqimit tradicional, ku kombinohet turizmi dhe ofertat ekonomike.
Investime të pakthyeshme për rritjen e fermave të derrave etj.
Zyra Rajonale në Bruksel
Hapja e zyrave rajonale në Bruksel jo se është një ëndërr për rajonet evropiane, sepse shumë e kanë realizuar atë, por gjithsesi është një shqetësim edhe i shoqatës së Asamblesë Rajonale të Evropës. Në kontenë e Varazhdinit të njohin me faktin se rajoni i tyre e ka hapur zyrën në Bruksel. Sipas përvojës së rajoneve evropiane ka disa lloje të këtyre zyrave si: zyra vetëm e një rajoni, e disa rajoneve së bashku, zyrë më partnership (një rajon i një vendi i bashkëngjitet një rajoni të një vendi tjetër etj.). Varazhdini dhe disa konte të tjera në Kroaci kanë hapur një zyrë të përbashkët rajonale ne Bruksel. Atje ka një personel të reduktuar që paguhet me periudha të caktuara gjatë vitit prej të gjitha rajoneve. Kanë gjithashtu edhe një apartament-zyra që e kanë të blerë të gjithë së bashku. Zyra në Bruksel - është barometri që mat “klimën” në ambientet e institucioneve financiare të Evropës. Të dhënat e kësaj “klime”, falë kësaj zyre, më parë i marrin vesh rajonet e Kroacisë sesa vetë qeveria apo institucionet qendrore kroate. Në fund të fundit, “kush rri nën dardhë, i ha kokrrat”, - thotë populli ynë.
Hapja e kësaj zyre të përbashkët të disa rajoneve është veç të tjerash edhe një tregues i bashkëpunimit të rajoneve kroate, pavarësisht nga pushteti politik në konte-zhupanje, që rrjedh nga zgjedhjet rajonale.
Zonat e biznesit
Termin “zonë e biznesit” ne do ta krahasojmë me termin tonë, që kemi filluar ta përdorim “zonë industriale”. Në Zadar kishte 16 zona të tilla, ndërsa në Varazhdin 30 zona të biznesit. Secila prej zonave kishte një sipërfaqe jo më të vogël sesa 35 ha. Vetë konteja ka organizuar një kompani tregtare, detyra e së cilës është themelimi dhe drejtimi i zonave të biznesit. Sot për sot, këto zona janë në faza të ndryshme ndërtimi. Veç politikës rajonale, edhe pushteti qendror e ka në politikën e vet që të ndihmojë në ndërtimin e disa zonave të biznesit. Detyra e kompanisë është që këto zona të jenë sa më të përmirësuara. Kompania zgjidh disa detyra. Ndër më kryesoret janë: - Shpejtësia e dhënies së informacionit. Në bazë të shpejtësisë së zakonshme, që ekziston sot, do të duheshin 30 vjet për të arritur ndërtimin e një zone. Kompania ka për detyrë të standardizojë e të shpejtojë në dhënien e informacionit për investitorët e huaj. – Krijon zyra të avokatëve, të cilat merren me çështje të pronësisë, të përgatitjes së infrastrukturës së nevojshme ligjore etj. – Ka zyra të projekteve. – Bën bashkërendimin e punës së të gjithë infrastrukturës, aksesorëve, strukturave të ndryshme që kanë interes të përbashkët për zhvillimin e zonave të biznesit.
Sipërfaqja e tokës e një zone biznesi mund të ketë burim të ndryshëm pronësie: Toka mund të vijë nga: pronësi të shtetit, pronësi vetëqeverisëse (pronë e pushtetit vendor) dhe pronë private. Tokën, pronë të shtetit, konteja mund ta marrë në dy mënyra: ose ta fitojë (t’ia dhurojë shteti), ose ta blejë nga shteti, kur ai nuk e pranon variantin e parë. Ndërsa pronën private në çdo rast e ble me çmimet e tregut. Pastaj, për këtë sipërfaqe mendohet se çfarë drejtimi duhet të marrë. Bëhet plani i detajuar i kësaj hapësire dhe futen të gjitha strukturat dhe komponentët që nevojiten për të krijuar një zonë biznesi.
Kompetencat rajonale
Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të funksionimit të pushtetit vendor, rajonet (kontetë) në Kroaci kanë kompetenca në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, ambientit, kulturës, infrastrukturës dhe transportit. Kushtetuta kroate iu jep kompetencë rajoneve të hyjnë në marrëdhënie me simotrat e tyre (jashtë vendit) pa marrë më parë konsensusin e qeverisë qendrore.
Megjithatë, sipas drejtuesve, me të cilët ne biseduam në këto konte, rolin koordinues që ka rajoni, e quajnë të mjaftueshëm për të realizuar misionin e tyre. Do të shtojmë këtu, se në planifikimin hapësinor rajonet në Kroaci kanë kompetencë të plotë, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për një bashkëpunim me të gjitha njësitë administrative. “Edhe ne kemi patur probleme me ndërtimet pa leje në vitet e para postkomuniste, - thonë ata, - por në dy vjet kemi marrë masa të rrepta, që do të thotë shkatërrim total i tyre, dhe tani ato janë krejt të papërfillshme.”
Disa modele në institucionet qendrore
Sekretariati i Shtetit për Planifikimin Strategjik dhe përdorimin e fondeve të BE: Kroacia është përpara nesh drejt anëtarësimit në BE. Ata janë kandidatë, ne jemi kandidatë për kandidatë në BE, ose kandidatë potencialë siç quhet. Strukturat e saj shtetërore që merren me kualifikimin e burimeve njerëzore dhe me trajnimin e institucioneve për t’u marrë me fondet e BE, janë më të detajuara dhe më të strukturuara. Deri përpara dy vitesh edhe Kroacia kishte një drejtori në përbërje të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit që merrej me fondet e ndryshme të BE, ashtu siç e kemi edhe ne sot në Ministrinë e Integrimit. Tani ata kanë një institucion, i cili quhet: Zyra qendrore e shtetit për planifikimin strategjik dhe koordinimin e fondeve të BE. Kjo zyrë, siç po e quajmë, është e organizuar në rang sekretariati dhe drejtohet nga një sekretar Shteti, i cili ka statusin e ministrit. Ky sekretariat ka dy zëvendëssekretarë, të cilët drejtojnë tri departamente në përbërje të të cilëve janë 11 sektorë që mbulojnë koordinimin e projekteve në të gjitha sferat si: fushën politike, shoqërinë civile, drejtësinë, çështjet e brendshme, tregtinë e brendshme, bujqësinë, reformimin e administratës publike, financat publike, statistikat, transportit, telekomunikacionit, zhvillimit rajonal, SME dhe politikat industriale. Sektorë të punësimit, arsimit, kulturës dhe kërkimit shkencor etj.
Duke folur për një ndarje më të thjeshtë të punëve në këtë sekretariat mund të themi se: dy pjesë të kësaj strukture merren me fondet e BE, pra, me komponentët 3 e 4 dhe 1, 2 e 5 të IPA-s. Pjesa e tretë (departamenti i tretë) merret me strategjinë e zhvillimeve kroate, ku janë prioritetet dhe ku duhen drejtuar fondet.
Ky sekretariat bën koordinimin e punës me të gjitha ministritë. Të gjitha ministritë duhet të raportojnë për detyrat e ngarkuara. Sekretariati, të thonë përfaqësues të tij, në një kuptim, është jo fort i dëshirueshëm prej ministrive të tjera, sepse këto të fundit i zvarrisin shpesh detyrat dhe sekretari i Shtetit i raporton ata në mbledhjen e qeverisë te kryeministri.
Kjo është një zyrë që po përgatit historinë e futjes së fondeve strukturore që në pamje të parë duken shumë të largëta. Fondet e BE vijnë deri te niveli lokal e rajonal, por aktorët kryesorë janë në nivel qendror.
Të gjitha kategoritë e fondeve që janë përdorur deri më tash, shkrihen në fondet e paraanëtarësimit (IPA- instrumentet e paraanëtarësimit).
Në sistemin e IPA-s, ky sekretariat po merret me aftësimin e njerëzve që të merren me këto fonde. KE është i interesuar që të ndihmojë nivelin lokal e rajonal për të hartuar projekte. Projektet kanë radhën e tyre prioritare. Ato propozohen nga nivelet e ndryshme të pushtetit, por është apo nuk është prioritet për BE, ajo është një çështje e vetë organizmave të BE. Disa projekte që nuk janë aq prioritare për BE, atëherë ato zgjidhen me buxhetin e shtetit.
Në sekretariat raportojnë të gjitha nivelet që kanë projekte me BE. Për hartimin e politikave të zhvillimit rajonal interesohet vetë BE. Këto politika programohen, bëhet monitorimi i implementimit të projekteve dhe në fund vlerësimi si një hap i rëndësishëm. Vlerësimi i efektshmërisë së një projekti konsiston në atë se sa një projekt i ka arritur rezultatet e parashikuara. Nëse jo, pse. A ka qenë projekti ambicioz apo kanë ndikuar këtu probleme administrative. Vlerësimi bëhet për të mos përsëritur gabimet.
Sekretariati mban kontakte të rregullta me përfituesit e projekteve. Takime kokë më kokë, telefon apo e-mail-e. Ndihmohen për të shkruar projekte, por jo gjithmonë. Nuk i ndihmojmë për të gjitha pyetjet, por i nxisim që të mësojnë vetë, të thonë në këtë sekretariat. Japin asistencë teknike me ekspertë vendas apo të huaj për fusha të caktuara.
Bëhet një edukim sistematik i njerëzve që merren me fondet e BE nëpër të gjitha ministritë. Këta nëpunës edhe mund të mos kenë aftësinë profesionale, por mund të jenë edhe të rinj. Ky edukim bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit dhe të pushtetit lokal. Sekretariati synon që edukimi (trajnimi) për fondet e BE të jetë standard për të gjitha institucionet shtetërore.
Sekretariati për përdorimin e fondeve të BE është ministria më e vështirë, sepse ajo vihet në rolin e koordinuesit. Është shumë e vështirë të koordinosh punën e disa institucioneve që kanë të njëjtin status.
Kryesore është të programohet se çfarë është prioritet. Por, ka dy lloje prioritetesh. Prioritet në sytë tanë dhe prioritet në sytë e BE. Ndodh që ministritë të insistojnë në projekte që nuk janë prioritare për BE. Këto insistime, sido që të na duken ne, BE nuk i pëlqejnë dhe kësisoj ne nuk paraqitemi seriozë. Mirëpo të gjitha këto mosmarrëveshje vijnë e përplasen te sekretariati. Kjo është çështje force dhe ne nuk mund t’iu kundërvihemi disa ministrive. Ky debat nuk është në të mirë të punës, sepse mund të kalojë një kohë e gjatë dhe projekti nuk fillon.
Në çdo projekt duhet të kemi mjete financiare për të bashkëpunuar. Ndodh që edhe nuk janë mjetet. Kjo është çështje e buxhetit të shtetit apo e rajonit a njësisë administrative. Projektet e bujqësisë deri më sot nuk kanë patur mjete për të bashkëpunuar e për të marrë fonde. Një numër i madh i fermerëve nuk ka mundur ta arrijë diçka të tillë.
Te përshkrimi i një projekti nuk duhet të jepni shumë detaje, na mësojnë kolegët kroatë. Duhet të lihet më tepër hapësirë për ndryshime, sepse projekti mund të ndryshojë. Siç është thënë edhe për programet, ai është një organizëm i gjallë, që ndryshon, lëviz.
Tek implementimi i projekteve duhet që të kemi numrin e nevojshëm të njerëzve. Ne na qëllon që të kemi pak njerëz për këtë fazë të programit. Duhen njerëz që të punojnë çdo ditë me projektet.
IPA për Kroacinë për periudhën 2007-2011 ka 750 milionë euro. Më shumë fonde ka për zhvillimin rajonal. Më shumë fonde, për herë të parë, ka për investimet sesa për administratën publike. Një prej prioriteteve është edhe forcimi i shoqërisë civile. Pra, organizatat joqeveritare mund të aplikojnë për projekte.
Është për t’u theksuar se, në Kroaci, me gjithë punën e mirë përgatitore dhe hapat që janë hedhur, akoma nuk kanë nisur të përfitojnë nga fondet e IPA-s të vitit 2007. Ata shpresojnë se së shpejti do të fillojnë dhe programin do ta realizojnë brenda vitit 2010, me synim që edhe fondet e 2007 të lëvrohen brenda tre viteve, aq sa ç’është edhe afati që të mos digjen.
Sekretariati ka diçka specifike në punën e tij: Ai më shumë sillet si një organizëm i BE sesa një ministri kroate. Ai ndihmon ministritë në përpilimin e programeve, por është më tepër në anën e BE sesa të vendasve. Ne, thonë ata, iu tërheqim vëmendjen ministrive se cilat duhet të jenë prioritetet. Nuk mund të lejojmë që fondet e BE të shkojnë në fusha që mbulohen nga buxheti i shtetit. Në fakt, akoma nuk ka pasur negociata përfundimtare me BE për prioritetet.
Sekretariati nuk ka shkruar programet e ministrive, por ka ndihmuar (nganjëherë më shumë se sa duhet). Me informacionet që kanë ardhur nga ministritë, këta kanë formësuar programin, duke i bashkuar programet në një të vetëm. “Shkrirja” e gjithë programeve bëhet edhe për arsye që të mos ketë përsëritje të prioriteteve nga ministritë e ndryshme të linjave. Megjithatë, edhe këtë funksion sekretariati e ka kryer deri përpara pak kohëve. Tani puna prapë ka ndryshuar. Nëpër ministritë tash ka njerëz që dinë më shumë dhe sekretariati do të vazhdojë të mbajë vetëm misionin këshillues dhe ministritë do të bëjnë pjesën më të madhe të punës e do të mbajnë përgjegjësi për atë punë.
Menaxhimi i fondeve përpara anëtarësimit, pra të IPA-s, nuk ka ndryshim me ato të pasanëtarësimit, fondet strukturore të BE. Ndryshimi i vetëm është te shuma e fondeve. Ato strukturore janë më të shumta. Kjo kuptohet që do të ketë edhe ngarkesën e vet administrative. Në këtë fazë do të fuqizohet gjithnjë e me shumë roli i rajoneve. Ato mjete financiare që vijnë nga fondet strukturore, kanë për qëllim që të stimulojnë fuqizimin e rajoneve të dobëta brenda BE.
*Zëvendëskryetar i Këshillit të qarkut, Lezhë
**SNV, Tiranë