E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shqiptarët blenë më shtrenjtë gjatë Nëntorit

Hyrja në fuqi e nivelit të ri të akcizave ka rritur ndjeshëm çmimet e pijeve alkoolike dhe të cigareve

TIRANË- Shqiptarët kanë harxhuar më shumë para për blerjen e mallrave të konsumit të përditshëm gjatë muajit nëntor. Instituti i Strtistikave raporton se gjatë muajit të shkuar inflacioni arriti në nivelin e 2.8 për qind, duke pësuar një rritje me 0.5 pikë për qind në krahasim më muajin paraardhës.


Ky nivel inflacioni është më i larti i arritur gjatë këtij viti por gjithsesi duke qëndruar brenda kufirit maksimal të vendosur nga Banka e Shqipërisë prej 4 për qind. Vërehet se treguesit në lidhje me inflacionin kanë ardhur në rritje sapo ka hyrë stina e vjeshtës. Në muajin shtator ai ka qënë në nivelin e 2 për qindve, në tetor 2.3 për qind për të arritur në nëntor në 2.8 për qind.


Shtrenjtim i konsiderueshëm çmimesh është vërejtur në nëngrupin perimeve me rreth 11.9 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen me mbi 50 për qind të çmimeve të specave, kastravecave dhe patellxhaneve.


Po ashtu, rritje me 30.6 për qind ka pësuar edhe çmimi i spinaqit, ndërsa bishtajat janë shtrenjtuar me 19.8 për qind dhe domatet me 4.7 për qind. Duket se shkaku i kësaj rritjeje është ndryshimi i sezonit duke bërë që kërkesa të plotësohet me mallra të importit.


Gjatë muajit nëntor çmimet janë rritur edhe për disa produkte të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, "sheqer, reçelna, mjaltë, etj" me 0.8 për qind, nëngrupi "qumësht, djathë e vezë" 0.3 për qind, "peshk" 0.8 për qind, etj.


Për t'u theksuar është ulja prej 8.3 për qind që është vërejtur në çmimet për nëngrupin e frutave. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të mandarinave me 24.5 për qind, limonave me 22.5 për qind, portokalleve me 21.5 për qind, kivit me 17.6 për qind, bananeve me 3.2 për qind, etj.


Gjatë muajit nëntor, janë vërejtur edhe efektet e ndryshimeve të bëra së fundmi nga qeveria në nivelin e akcizave për pijet alkoolike dhe paketat e cigareve. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i grupit "pije alkoolike dhe duhan" pësoi një rritje me 1 për qind. Shtrenjtimin më të madh e kanë pësuar paketat e cigareve duke u shitur mesatarisht 2 për qind më shtrenjtë se muajin paraardhës.


Rritje gjthashtu ka pësuar edhe Indeksi i grupit "Transport" me rreth 0.6 për qind. Muaji nentor u karakterizua nga një rritje e çmimit të karburanteve. Konkretisht çmimi i naftës u rrit me rreth 2.5 për qind,ndërsa ai i benzinës më 1.4 për qind.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›