Kur arratia nga vendi yt bëhet i vetmi motiv mbijetese
Shqiptarët e kanë një proverb, të cilin e respektojnë dhe si të tillë e kanë frikë: “Ku ka tym ka zjarr”, është thelbi i urtësisë së stërgjyshërve të tyre. Sa herë e përtypin këtë mendësi banale, nguten të gjejnë një alternativë për mbijetesë. Më së shumti është arratia. Ajo është motivi i vetëm për t’i shpëtuar varfërisë, por shpesh edhe vdekjes së sigurt.
Po kush është tymi në këtë rast që po e shkruajmë në këtë rubrikë të “Shekullit”? Një sherr që ka ngjizur diku një sherrnajë. Një rrënjë e largët e një fisi malësorësh është ndeshur po me një rrënjë të largët të një fisi tjetër. Janë banorë të përbashkët të një fshati malor në qarkun e Shkodrës. Deri në një farë caku, fiset nuk janë ndeshur ndërvedi. Por, me ardhjen e “demokracisë”, frika e shtyn njërin fis të mohojë instinktin. Ishte koha kur zhabat dëshironin të bëheshin buellica. Vjen një ditë e vendi yt të bëhet ferrjetesë. Në çdo shteg del ligji i pashkruar, “kanuni”, që të nxit për gjakmarrje.
Cila është nekroza e ngjarjes? Banditë të njërit fis rrethojnë shtëpinë e fisit tjetër dhe kryejnë një masakër. Vetë kryefamiljari arrin të shpëtojë. Dhe u tregua i zgjuar. Zgjodhi arratinë si alternativë mbijetese, e jo hakmarrjen, siç e “këshillonte” “Kanuni” dhe mendësia e krimbur e malësorëve.
Zgjodhi mënyrën për të marrë frymë. Në arrati, ka mundësi ta bëjë gjumin e qetë se hasmi është larg.
Mos vallë lyp “qiqra në hell” ky burrë që ndihet i sigurt vetëm në vendin ku ka emigruar prej vitesh? Jo, ai kërkon krejt pak. Të mos shihet syndërsy me hasmin e vet. Jo se e ka frikë. Por nuk dëshiron ta maisë sherrin që ngjiz sherrnajë. Është për paqe e bashkëjetesë. Por ja që këta dy virtyte nuk realizohen në vendin e tij të origjinës. Në vendin e arratisë po!