"Ditar nga Kombinati, nga një student i kthyer për festa
Dita e dytë pa drita, dita e tretë pa dush, një ditë e tërë i mbytur në trafik. Kapsollat e fëmijëve, të përziera me errësirën, sjellin një atmosferë frike: kujtimet e kohëve të vjetra duket sikur nuk janë vjetërsuar kurrë. Dy qirinj digjen ngadalë mbi tavolinë, ndërkohë që lexoj qartë merakun te vështrimi i lodhur i të afërmve të mi. Zonja e shtëpisë nuk rri dot ulur nga meraku: mishi po shkrin në frigorifer dhe koha për të parë fytyrën e të dashurve të vet po shkurtohet pa mëshirë. Nuk është Bosnja e viteve nëntëdhjetë, as Kosova nën masakrën serbe. Ky është "Kombinat City" (si adoleshentët shkruajnë nëpër mure), dhe jemi në Shqipërinë e epokës së internetit.
Shkruaj me grimcat e fundit të baterisë së laptopit, dhe akoma nuk arrij të kuptoj se si epoka dixhitale na ka pushtuar pa pasur nevojë për elektricitetin. Ndoshta jemi në prag të shpikjes së kompjuterëve me karbon, dhe mbase karboni do na vijë fill nga Italia. Shqipëria në epokën e hyrjes në Evropë; Shqipëria në epokën e transformimeve të mëdha; Shqipëria në epokën e gurit.
Dikush më tha që kjo ëtshë një zonë socialistësh dhe që 48 orë pa drita s'është gjë tjetër, veçse një ndëshkim. Buzëqesh hidhur. Në pritje që të bëhemi një potencë energjetike e paparë, jam i indinjuar dhe i habitur.
Njerëzit e mi pulisin sytë nën dritën e zbehtë të qiririt. Do më marrë shumë malli për ta.