INSTAT: Tregtia me pakicë u rrit me 12 për qind
se gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, indeksi i volumit të shitjeve me pakicë në grupin tregtia dhe riparimi i automjeteve është rritur me 25.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa kundrejt tremujorit të mëparshëm është shënuar një rritje prej 12.2%. INSTAT ka evidentuar gjithashtu se në rritje janë edhe shpenzimet që bëjnë qytetarët për karburantet, kjo pavarësisht shtrenjtimit të cimeve të naftës dhe benzinës. Kështu gjatë 3 mujorit të parë të 2010-ës indeksi i volumit të shitjeve në grupi tregtia me pakicë e karburanteve është rritur 17.1% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2009. Zhvillimi i biznesit të tregtisë dhe riparimit të automjeteve është shoqëruar edhe me hapje të vendeve të reja të punës në këtë degë të ekonomisë. Nga të dhënat e Institutit të Statistikave rezulton se indeksi i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti u rrit me 5.6% kundrejt të njëjtës periudhë të viti të kaluar. Shpenzimet për automjetet pritet të pësojnë rritje të mëtejshme gjatë muajve të verës për shkak të turistëve por edhe të kthimit në atdhe të emigrantëve për pushime.
Kurum: Qeveria të mbrojë prodhimin vendas
Kompania Kurum kërkon nga Qeveria marrjen e masave mbrojtëse për prodhimin vendas. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Presidenti i kësaj kompanie, Zeki Kaya, u shpreh se "ne hasim pengesa nga shtetet e tjera edhe pse janë nënshkruar Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë apo edhe marrëveshja INTERIM, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, pasi shtete si Italia, Spanja apo edhe Greqia kanë hartuar ligje që favorizojnë prodhimin vendas dhe dëmtojnë kompanitë që eksportojnë". Duke bërë një prezantim të aktivitetit të kësaj kompanie, z. Kaya, tha se Kurum ka investuar deri tani në Shqipëri rreth 120 milionë euro, ndërsa pritet të vihet në funksion në muajin shtator edhe një fabrikë e re një investim ky prej 16 milionë eurosh me teknologjinë e re të prodhimit të çelikut që e bën atë mjaft rezistent ndaj lëkundjeve sizmike. Aktualisht Kurum prodhon 500 mijë ton çelik në vit ndërsa kapaciteti i saj është 800 mijë ton, ndërsa furnizon 60 % të nevojave të tregut shqiptar me çelik dhe 40 % të nevojave të tregut rajonal.
Bankat, të rrezikuara nga deficitet buxhetore
Qeveritë duhet ti shkurtojnë me vendosmëri deficitet, dhe bankat qendrore nuk duhet të presin gjatë për të rritur kostot e huamarrjes, pasi efektet anësore të masave të parashkruara për të trajtuar recesionin global mund të krijojnë krizën e ardhshme, thotë Banka për Marrëveshje Ndërkombëtare apo Bank for International Settlements (BIS), organizata ndërkombëtare e bankave qendrore në botë. Ekonomia globale, si dhe tregjet financiare, janë në rikuperim e super, edhe pse mëkëmbja mbetet e brishtë në ekonomitë e zhvilluara, ndërsa në eurozonë kriza e borxheve e ka vënë në rrezik këtë rimëkëmbje, thotë BIS në raportin e vet vjetor, të publikuar të hënën. Liderët botërorë u takuan në Toronto këtë fundjavë dhe ranë dakord të ndjekin udhë të ndryshme për të shkurtuar deficitet buxhetore dhe ta bëjnë më të sigurt sistemin bankar, ndërsa Uashingtoni në veçanti ka paralajmëruar kundër shkurtimeve të shpejta në ekonomi. Por kreu i BIS-it thotë se nuk ka më kohë për të humbur.