Teatri i të rinjve, 6 projekte priten të ngjiten në skenën teatrore
Regjisorët e rinj pas disa javësh do të ngjisin në skenën e Teatrit Kombëtar veprat e tyre teatrore. Ashtu si dhe vitin e kaluar edhe këtë vit vjen festivali Teatri i të rinjve, i cili është konsideruara si shumë i rëndësishëm nga organizatorët
për promovimin e talenteve të rinj të artit skenik. Këtë vit fondi publik për kompeticionin e artistëve të rinj në Teatrin Kombëtar pëson ulje. Megjithëse projekti dhe java teatrore për të rinjtë tashmë ka startuar dhe janë të shumtë ata që presin të jenë pjesëmarrës në këtë festival teatror, fondi i vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës këtë vit do të jetë më i vogël. Nga 50 milionë lekë të vjetra shifra reduktohet në rreth 40 milion lekë të vjetra për 6 projekte teatrore, që do të rezultojnë fituese nga dy juri të ngritura nga sektori i artit në bashkëpunim me TK. Është një buxhet që del për të qenë pranë atyre talenteve të rinj në fushën e skenës. Regjisorët dhe aktorët do të promovohen dhe të kenë të drejtën të futen në TK dhe të performojnë me talentin e tyre. Do të ketë një kualifikim për regjinë dhe të aktrimit, pohon Nikolla Lena, drejtor i përgjithshëm i politikave të artit në Ministrinë e Kulturës. Ndërsa regjisori i njohur Adonis Filipi pohon: Festivali i të rinjve është një komponent mjaft i rëndësishëm do të thosha i vetë veprimtarisë artistike, dhe mbi të gjitha i sigurimit të individualiteteve të reja krijuese. Gjithashtu është mirë që t'i nxisim disa politika fleksibël, që këto projekte të zhvillohen edhe në teatrot e rretheve. Në funksion të këtij buxheti duhet të selektohen ato vlera që mbartin në vetvete cilësi. Interesi është i jashtëzakonshëm dhe kërkohet një mbështetje me e madhe. TK është përpjekur që ti integrojë të rinjtë në nisma të ndryshme evropiane. Kriteret e pjesëmarrjes në kompeticionin e të rinjve nuk kanë ndryshuar, ndërkaq që projektet fituese do të shfaqen në sallën e Teatrit Kombëtar gjate muajit shtator dhe në përfundim të konkurrimit do të vlerësohen me çmime 7 artistë të rinj, që nga aktori e deri te skenografi dhe regjisori më i mirë. Në fazën e parë të konkursit që u çel dje priten të përzgjidhen 6 vepra, të cilat do të mund të përfitojnë fondin për të prekur skenën, ndërkaq që faza e dytë është ajo e festivalit nga i cili do të shpallet edhe vepra më e arrirë teatrore. Ky projekt, që është iniciuar nga Ministria e Kulturës, synon pikërisht afrimin drejt teatrit të artistëve të rinj, të cilët në skenën tonë i kanë shumë rrallë shanset e prezantimit. Një javë plot projekte dhe shfaqje në konceptime të reja regjisorësh të rinj, ku mes shumë dilemash, prezantimesh dhe emrave, juria shpalli fituesit e festivalit Teatri i të rinjve një vit më parë, ku ishin po 6 projekte teatrore. Ata, aktorët dhe regjisorët e rinj nuk nguruan të ngjisnin në skenë vepra të mëdha, të autorëve të mëdhenj, që denjësisht interpretuan në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Juria e ngritur për të përcaktuar projektin fitues në disa kategori, e përbërë nga aktori i mirënjohur i skenë dhe kinematografisë Ndriçim Xhepa, regjisori i ri Mikel Kalemi dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Joli Gjovreku shpallën fituesit në ambientet e këtij institucioni. Regjia më e mirë u fitua nga Alma Hoti për konceptimin skenik të shfaqjes Shtëpia e Bernarda Albës. Aktori më i mirë protagonist një vit më parë i shkoi aktores së re Klodi Keco, për interpretimin në shfaqjen Morsa, aktori më i mirë jo protagonist u shpall Marsela Lena për rolin e realizuar në dramën Shtëpia e Bernarda Albës dhe skenografia më e mirë i takoi Beqo Nanajt për konceptimin skenik të shfaqjes Morsa nga Luixhi Pirandelo.
Nga Julia Vrapi