E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT-i, në muajin dhjetor 2007 çmimet u rritën 1.3 për qind

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2007 arriti 115.7 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.3 përqindësh krahasuar me muajin e kaluar. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” shënoi një rritje prej 2.9 për qind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 11.1 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të kastravecëve dhe patëllxhanëve me mbi 50 për qind, specave me 47.9 për qind, spinaqit me 31.5 për qind, ullinjve me 8.6 për qind, fasules me 3.5 për qind etj. Çmimet e disa zarzavateve të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, ku mund të përmendim uljet e çmimeve të karotave me 6.4 për qind, lule-lakrës me 6.0 për qind, domateve me 2.5 për qind, lakrave me 1.7 për qind etj. Indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 10.8 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të mollëve me 3.1 për qind, dardhave me 3.4 për qind, limonëve me 1.8 për qind, kivit me 1.7 për qind, mandarinave me 1.2 për qind, etj. Gjatë muajit Dhjetor çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “vajra dhe yndyra” me 0.4 për qind, “qumësht, djathë e vezë” me 0.9 për qind, “bukë e drithëra” me 0.9 për qind, “peshk” me 0.6 për qind, “mish” me 0.2 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi nëngrupi “veshje” dhe nëngrupi “këpucë” shënoi një rritje prej 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje 0.1 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 11.7 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 1.0 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimeve të karburantit me 1.4 për qind, biletave të autobusëve interurban me 6.3 për qind dhe pagesës së taksive me 3.1 për qind.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›