Legalizimet, 200 mijë lejet e para në muajt maj-qershor
ALUIZNI ka nisur punën në terren. Shehu: ”Në maj nisim dhënien e lejeve për ndërtimet informale”
Erald Kapri
Legalizimi i ndërtimeve informale duket se do të fillojë shpejt. Agjencia e Legalizimeve ka nisur punën në terren, ku po evidenton ndërtimet informale në bazë të vetëdeklarimeve të qytetarëve. Zëvendësdrejtori i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, i prononcuar për gazetën “Albania”, shprehet se me ndryshimet e reja në ligj që ka bërë qeveria, puna pritet të përshpejtohet. Sipas tij, aktualisht janë gati dosjet për 200 mijë ndërtime informale, të cilat janë në procedurat e fundit të procesit ligjor. “Ne shpresojmë që në muajt maj-qershor të ndajmë lejet e para të legalizimit. Njëkohësisht në mbledhjen e ardhshme do të nisim në KRRTRSH edhe 29 zonat e fundit informale për t’u miratuar”, - shprehet Shehu. Aktualisht, numri i ndërtimeve informale pritet të jetë më i madh se 400 mijë, por deri në këto momente ALUIZNI ka përcaktuar ndërtimet e para informale, të cilat do të legalizohen pa probleme, sipas ligjit dhe që llogaritet nga vetë Agjencia në 200 mijë ndërtime. Tashmë procesi ndodhet në verifikimin në terren dhe menjëherë do të kalohet në regjistrimin si pasuri e paluajtshme dhe me pagimin e tarifave përkatëse.
Ndryshimet ligjore
Këshilli i Ministrave miratoi pak javë më parë ndryshime të shumta në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale. Qeveria, me ndryshimet e bëra, i ka rritur kompetencat Agjencisë së Legalizimeve për të përshpejtuar dhënien e legalizimit si dhe kalimin sa më të shpejtë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’u hipotekuar përfundimisht. Fillimisht, në legalizimin e ndërtimeve informale, hipotekimin e tyre, urbanizimin si dhe kompensimin e çdo ish-pronari që është ndërtuar në truallin e tij në mënyrë të paligjshme. Qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet dhe çdo veprim do të bëhet me formular, pa u kontaktuar me zyrtarët. Mbas vetëdeklarimit të ndërtimit informal, dokumentacioni do të verifikohet nga ALUIZNI dhe ekspertët e tij do të dalin në terren për evidentimin e ndërtimeve pa leje për të parë nëse ka përputhje me vetëdeklarimin dhe fotografimin ajror, sipas ndarjes kadastrale. Ndërtimet informale që do të legalizohen sipas ligjit do të ketë një dokumentacion të plotësuar nga ALUIZNI, i cili do të japë edhe lejen e legalizimit. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit.
Legalizimi
Agjencia e Legalizimit, mbas plotësimit dhe verifikimit të plotë të vetëdeklarimit pajis me lejen e legalizimi personin që ka bërë ndërtimin. Ky rregull do të zbatohet edhe për objektet me leje, me shtesa informale në ndërtim, ku leja e legalizimit është e barasvlershme me lejen e shfrytëzimit, të përcaktuar sipas ligjit. Kriteret dhe procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale për objektet me leje, por që kanë shtesa informale në ndërtimin, do të përcaktohen disa muaj më vonë nga qeveria, ku do të paraqitet i plotë i gjithë formulari. Njëkohësisht edhe formulari i legalizimit që do të paraqitet, do të miratohet pak më vonë nga Këshilli i Ministrave. Menjëherë mbas verifikimit të ndërtimit pa leje, ALUIZNI, mbasi jep lejen e legalizimit, e dërgon atë ne ZRPP, e cila do të japë edhe letrën e hipotekimit, nga ku finalisht mund të quhesh pronar i ligjshëm i ndërtimit. Leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik dhe kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar, paraqiten nga ALUIZNI në ZRPP për regjistrimin fillestar të objektit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, do të bëhet sipas ligjit të ndryshuar, që do të thotë se ndërtimi do të hipotekohet menjëherë.
Si do të bëhet urbanizimi sipas ligjit
Ligji parashikon se urbanizimi i zonave informale, por të legalizuara, do të kryhet në bazë të studimeve urbanistike, në përfundim të procesit të legalizimit. Hartimi i studimeve urbanistike realizohet ose porositet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Në çdo rast studimet urbanistike duhet të respektojnë planet e miratuara nga KRRT-ja e bashkisë ose komunës, të hapësirave dhe shesheve publike, për investime në rrugë, infrastrukturë dhe objekte social-kulturore. KRRT-ja e këshillit të qarkut miraton studimin urbanistik për bllok-banimet me ndërtime të legalizuara për qarkun respektiv. Bashkia ose komuna vepron për të gjitha territoret brenda vijave të verdha. Miratimi i studimeve urbanistike për zonat me ndërtime të legalizuara nga KRRTRSH-ja bëhet në mbledhjen e saj më të afërt, pas miratimit të tyre nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse dhe pas dorëzimit në KRRTRSH.
Si duhej të bëhej urbanizimi sipas Bankës Botërore
Banka Botërore shprehet se ka edhe pika të dobëta të ligjit të legalizimeve. Sipas hartuesve të këtij raporti, ka disa çështje që ligji nuk arrin t’i zgjidhë, ose mund të konsiderohen edhe si kosto shtesë. Këto kosto vijnë edhe si rezultat i tranzicionit të zgjatur. Raporti përmend se ligji përballet me çështje të pazgjidhura që kanë lidhje me zbatimin e tij. Fillimisht specialistët shprehen se ka akoma pretendime të përbashkëta mbi të njëjtën pronësi ose kompensim. Njëkohësisht, duke i dhënë prioritet procesit të legalizimit ligji lë për një kohë të mëvonshme urbanizimin e vendbanimeve informale si për shembull, përcaktimin e të drejtës së kalimit mes pronave. Kjo sekuencë lë të kuptohet që bashkive do t’u duhet të riblejnë përsëri tokë për hapësira publike brenda lagjeve me çmim më të lartë sesa banorët do të paguanin për të marrë titullin e pronësisë. Ligji nuk trajton nevojat e mëdha financiare për infrastrukturën e këtyre vendbanimeve. Bazuar në eksperiencat e para të zhvillimit në Shqipëri dhe duke iu referuar krahasimisht vendeve të tjera, këto kosto do të vlerësoheshin, në rreth 3000 dollarë për familje, ose dhe më shumë, në varësi të distancës nga rrjetet ekzistuese të infrastrukturës.
11 Shkurt 2008