E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTEGRIMI, SI SASI DHE SI CILËSI



1-Bashkia e kryeqytetit është vënë në qendër të vëmendjes për shkak krizës që ka shkaktuar mosmiratimi i buxhetit i vitit 2009. Ndërkohë, kryetari Rama duket se është në një pozicion të vështirë për shkak se i duhet të vendosë midis kandidimit për deputet dhe vazhdimit të mandatit të kryebashkiakut. Cilat mendoni se janë shkaqet e vërteta të bllokimit të buxhetit? Si e komentoni pozicionin e z. Rama përballë dy alternativave që thamë më lart?

Nuk di nga ta kapësh këtë ngjarje. Ajo shkakton shumë trishtim. Rrënjët janë të thella e të shtrira. Por mua për vete më mbeti mendja vetëm tek një gjë. Në fakt tek një pyetje. Gjithë ajo sallë e ajo renditje hierarkike e kolltukëve, me shilte e shpinore të ndryshme për çdo të ndenjur e shpinë “këshilltari”, gjithë ajo lëkurë vishnje dhe parket kafe, gjithë ai ndriçim luksi e salltanet, ç’lidhje të kenë vallë me këta njerëz që ulen mbi to? Me këta përfaqësues të kryeqytetit që sillen më keq se krokodilët në një pellg gjysmë të tharë uji, diku andej nga Kalahari? Asnjë lidhje nuk gjeta. As atëherë, e as sot.

2- Sllovenia ka bllokuar ratifikimin e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Autoritetet sllovene kanë garantuar se nuk kanë probleme drejtpërdrejt me Shqipërinë. Sa mendoni se e pengon procesin e plotë të anëtarësimit kjo pengesë e papritur e Sllovenisë?

E para, problemi nuk është aspak i papritur. Vende të ndryshme kanë probleme të ndryshme mes tyre. Disa mbartin probleme historike, ndarje pasurish, ujërash e deri ndarje kufijsh. Të tilla janë problemet që Sllovenia p.sh. ka me Kroacinë. Nuk është aq e lehtë t’i hedhin ato mbas krahëve vetëm e vetëm sepse neve “po afron data e samitit të NATO-s. Po afron, e po punë e madhe, – thonë ato. Le të shtyhet pak samiti po të dojë. Ne, Greqisë, fjala vjen, nuk i kishim asnjëfarë borxhi dhe na u desh të prisnim dy vjet, deri sa Parlamenti grek, i fundit fare, të na ratifikonte MSA-në. Edhe atë me zor të madh e bëri, duke kapur ca koncesione të tjera – në fakt të paprecedent, që krerët tanë ia dhanë pa llafe, vetëm që të dilnin të dalluar me axhendën e BE-së.

Në këtë rast të fundit me Slloveninë situata për mua nuk është aspak shqetësuese. E para, nuk është shqetësuese sepse konflikti i mësipërm në fakt nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë. Është një problem pezull që ajo ka me Kroacinë. Shqipëria, këtu “digjet” vetëm për pasojë. Është siç i thonë oficerët e luftës sot “një dëm kolateral”. Djegia jonë vjen nga fakti se jemi në procesin e anëtarësimit në NATO, ne jemi në një “kartë të përbashkët” me Kroacinë. Nuk hyn Kroacia, nuk hyjmë dot as ne. Por shyqyr në këtë rast nuk e ka kush me ne. Dhe kjo është pak çliruese apo jo. E dyta, kur them se situata nuk është dhe aq shqetësuese kam parasysh stadin e zhvillimit dhe civilizimin e dy republikave nën tension: Kroacisë dhe Sllovenisë. Ato kanë zgjidhur momente shumë më të rënda në historinë e tyre të afërt të viteve ’90. Janë vende në një stad të lartë integrimi evropian e atij në NATO: njëra kandidate e tjera anëtare e konsoliduar me të drejta të plota. Patjetër që do ta kapërcejnë edhe këtë situatë dhe Protokolli do të ratifikohet edhe nga Sllovenia. Në mos këtë javë, javës tjetër.

***

Është rasti këtu për një koment të vogël për sasinë dhe cilësinë. Është bërë zakon këtej nga lëmi shqiptar i politikës që gjërat t’i masim me numra. Me numër ditësh, me shifra GDP-je totale, me shpejtësi ratifikimi. Shumë pak shohim cilësinë e procesit se ç’do të thotë kjo për shoqërinë shqiptare, për shtetin, institucionet, lëvizjen dhe mirëqenien e qytetarëve. Sigurisht që një formalizim i shpejtë i hapave integrues bëhet mjet presioni për më shumë shtet e reforma, por nga ana tjetër në raportin mes shpejtësisë dhe cilësisë, mirëqeverisjes dhe standardit për njerëzit, përparësi marrin këto të fundit, sepse shpejtësia e sasia e raportuar, në vetvete, ka edhe një rrezik: krediton në mënyrë të padrejtë qeverisjet e këqija dhe sidomos personat me ambicie kulti e autoritarizmi. Prandaj mua personalisht (të them të drejtën) nuk më ha dhe aq malli të dëgjoj në radio ndonjë lajm “të papam” se si mbrëmë bashkësia X e pranoi Shqipërinë anëtare pa kushte e me gjithë të larat e të palarat bashkë. Këtë nuk e dua aspak. Më mirë të na japë vazhdimisht nga një lavazh të ashpër nga ata që largon tutje, jo vetëm baltën e prapambetjes, por edhe shkaktarët e së keqes. Ndryshe këta të fundit mbi kurriz do t’i kemi. Me ratifikim apo pa ratifikim të kartave integruese.

Parë kështu pra, nuk mendoj se kjo gjë sjell ndonjë shqetësim. Madje as teknikisht nuk do ta pengojë procesin derisa të mblidhet samiti i prillit i NATO-s. Këta janë hapa që do të kapërcehen parimisht mes atyre dy vendeve, duke na çliruar edhe ne “për pasojë”.

Edhe nëse kalon kjo e hënë dhe, fjala vjen, nuk i del fjala zonjës Topalli, e cila nën shtysën e vet të pashtershme për protagonizëm, nxiton të na sigurojë se “ka fol’ në telufon dhe ditën e han’ kjo pun’ asht’ e marume” ne nuk duhet të mërzitemi shumë. Ka edhe çështje teknike dhe procedurale. S’duhet të kujtojmë se gjithë bota ndjek “kalendarin tonë”. Parlamentet kanë prioritete e tyre në çdo vend. Mos shihni ju buzëqeshjet dhe premtimet pas atyre fotove dyshe që bëjnë ata kur takojnë homologun shqiptar, me fytyra të çelura kthyer nga blicet e kamerat. Sa kthehen në zyra, shohin që kanë plot punë të tjera për të bërë. Më shumë durim pra, e më shumë reforma prej vërteti.

3- Bashkësia Islamike e Shqipërisë ka nisur një aksion për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sa efektive mund të jetë një nismë e tillë? A mund ta përdorim përkatësinë fetare të shumicës së popullsisë për të arritur një objektiv politik e kombëtar, siç është pavarësia e Kosovës?

Bashkësinë Islamike të Shqipërisë e nderon shumë fakti që mendon për çështjen kombëtare, qoftë ajo në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Kjo nënkupton se ata janë fetarë, por janë edhe shqiptarë të mirë dhe si të tillë ndiejnë përgjegjësi e peshë për zhvillimet e fatin e bashkëkombësve. Deri këtu asnjë problem nuk ka. Më tutje po. Problemi fillon me “modelin” e zgjedhur, me “approach-in”. Ai s’mund dhe nuk duhet të jetë fetar. Kjo nuk të çon asgjëkund. Madje edhe sikur të mendojmë tjetrën, që një mobilizim i tillë është i domosdoshëm për të balancuar rolin e madh që luan feja tjetër, pra Kisha, tek qëndrimet antishqiptare të qarqeve politike të disa prej fqinjëve tanë në Jug, Veri apo Siberi, përsëri është rasti të kujtojmë se nuk është kjo rruga që çon drejt aspiratës sonë modernizuese të Kosovës (ashtu si edhe të Shqipërisë). Identitetet fetare janë një çështje tjetër, në rastin tonë krejt e ndarë nga statusi politik i vendeve tona. Është pasuri e madhe që si Shqipëria, ashtu edhe Kosova i kanë të dyja: edhe larminë fetare edhe (dhe kjo është edhe më e rëndësishmja) harmoninë fetare. Kemi plot arsye të krenohemi me këtë

Ndërsa, ndërmarrja e një nisme të tillë nga një bashkësi fetare në një shtet laik si yni, e paragjykon qysh në fillim vetë produktin e nismës. E komprometon atë. Se këtu ka një dilemë që shfaqet që në fillim. ǒdo të thotë në fakt lëvizje fetare në një shoqëri kaq multifetare sa jona dhe Kosovës. ǒdo të thotë ajo në një proces që synon finalizime demokratike e integruese? Mos do të thotë më shumë ndarje sesa bashkim? Si do tia shpjegojmë ne këtë komshiut tonë të krishterë ose edhe bashkëshortes a bashkëshortit, dhëndrit, nuses e krushqive aq të shumta ndërfetare? A kanë menduar ndopak për këtë partizanët e aksionit islamik të Shqipërisë? Se nuk qenka as lëvizje e Bashkësisë Islamike të Kosovës, por qenka këtej kufirit zyrtar që ata vetë do të kërkojnë për njohje ndërkombëtare.

***

E dyta, çështja edhe teknikisht duket pak gabim: Bashkësia Islamike e Shqipërisë do të vërë në lëvizje vendet e Konferencës Islamike. Për ata që nuk e dinë, duhet thënë se në Konferencën Islamike anëtarësohen shtetet dhe jo komunitetet fetare. Firmën atje e ka hedhur ministri ynë i Jashtëm dhe jo kryetari i ndonjë bashkësie fetare, sado që Konferenca frymëzohet nga parimet islame, etj. Të 57 vendet anëtare të saj japin e marrin përmes institucioneve shtetërore edhe pse shumë nga vendet janë tërësisht republika islamike. Natyrisht edhe bashkësitë e komunitetet jo-shtetërore mund të komunikojnë me njëri-tjetrin, të japin e të marrin, por qëndrimet zyrtare trajtohen nga zyrat e shtetit.

Kjo veç të tjerash dëshmon edhe për atë që interesat që i vënë në lëvizje shtetet e Konferencës Islamike për ta njohur Kosovën – nuk frymëzohen dhe aq nga motive vëllazërie fetare. Të ishte kështu, vende si Egjipti, Sudani, Azerbajxhani, nuk do të shpreheshin aq prerë kundër njohjes së Kosovës. Të ishte kështu edhe “harta” e njohjes së Kosovës do të ishte pak më e ndryshme. Merrni hartën e njohjes së Kosovës dhe krahasojeni me hartën e Konferencës Islamike dhe do të shikoni mospërputhje të mëdha. Tjetër gjë që Konferenca Islamike bëri dikur një rezolutë (nga të parat organizata që e bëri atë) për njohjen. Ama vetë njohja është punë e çdo shteti të veçantë, të cilat nuk po lëvizin aq shpejt, edhe pse jemi bashkëfamiljarë në një organizatë, madje edhe pse kryeparlamentarja apo kryediplomatët tanë kanë aq qejf t’i vizitojnë sidomos zonat më të pasura të asaj bashkësie.

Është pra edhe realiteti historik ai që rrëzon si të thuash “zyrtarisht” këtë mendësi mobilizimi e lobingu fetar – gjoja në dobi të Kosovës: harta e njohësve të saj, shtet i pavarur. Ky realitet dëshmon se nuk janë “vendet e Konferencës islamike” ato që po vrapojnë të parat në këtë njohje të Kosovës shtet i pavarur, por përkundrazi, vendet më të zhvilluara të botës perëndimore, SHBA-ja dhe shtetet e Bashkimit Evropian, me të cilët ne, jo vetëm ndajmë vlera e një kulture përtej feve, por kemi edhe aspirata të përbashkëta integruese për të ardhmen. Pardje Parlamenti Evropian përsëri miratoi një rezolutë të posaçme ku bën thirrje për kompletim të këtij procesi njohjeje të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Nga vjen kjo shtysë, nga feja? Këtë në rastin tonë s’mund ta themi apo jo.

***

Më lejoni të them. pra se mua kjo më duket e gabuar. Së paku pa bereqet në kuptimin e bereqetit të synuar: lartësim-modernizimin e shtetit të ri të Kosovës. Thënë ndryshe, mendoj se nëse çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës do të kalojë nga rrugë e shtigje fetare, rezultati final që unë perceptoj, nuk mund të jetë kurrsesi pozitiv. Them “rezultati final” sepse analiza duhet bërë në të dy vështrimet: edhe atë afatshkurtër, ku ne vërtet mund të shtyjmë nja 2-3 vende më shumë që ta zgjasin listën e njohësve, por edhe afatgjatë, ku problemi nuk është më numerik, por bëhet çështje imazhi mbetës përgjithmonë në sytë e mendjes e botës. Dhe kjo botë është e madhe dhe nuk përbëhet vetëm nga ato pak vende që ndodhen krejt jashtë rrezes së zhvillimeve dhe interesave tona gjeopolitike.

Kam frikë madje se kjo ide (nuk e di kujt i ka shkuar ndërmend të luajë një rol që nuk përfshihet as në mekanizmat zyrtarë të njohjeve ndërshtetërore dhe as madje të lobingjeve e avokative për atë qëllim) vjen për të prishur punë. Domethënë, më shumë sesa një argument që nxit botën ta bëjë me zell e me bindje këtë njohje, mund të jetë një lajm që e step botën para atij vendimi. Se më thoni ju, përse do të ishte shumica e vendeve të botës e interesuar ta shohë Kosovën përkrah, si shtet të lirë e të pavarur me të drejta të plota. Për shkaqe fetare? Domethënë për shkakun se atje ka një shumicë popullsie myslimane? E pastaj? Unë mendoj se jo vetëm vendet “joislamike” që do të ngelnin pak ngushtë para këtij “lobingu fetar”, por edhe vetë “vëllezërit islamikë” do të na shikonin shtrembër pas kësaj. Bota politike ka shekuj që nuk lëviz më përmes kryqëzatash dhe anti-kryqëzatash. Nga ana tjetër një “lobing” i tillë do të ishte karburanti më i mirë për dogmën sllavofile se çështja e Kosovës është çështje myslimanësh(!). Kur të gjithë e dimë se nuk është fare kështu, se së paku kombi ynë (dhe për këtë jemi të sigurt nga historia) – kurrë nuk ka lëvizur mes flamujve fetarë, por vetëm me atë kombëtar në ballë dhe se shqiptarët e mirë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri mund të jenë daç myslimanë daç të krishterë ashtu si edhe shqiptarët e këqij mund të mbijnë në çdo emër e çdo përkatësi fetare. Nuk ka si të gjejmë lidhje shkakësore në këtë punë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›