E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngujimi i njerëzve, plagë e shoqërisë shqiptare

Nga Ndini R. BARDHI
Njeriu i sotëm shqiptar, kryesisht në zonat veriore të Shqipërisë, krahas shumë dramave të tjera jetësore, përjeton në mënyrë të pakuptimtë një dramë antinjerëzore përkundër jetës dhe përparimit, atë të jetës murgore apo ngujimit, e cila qëndron dhimbshëm në këmbë në mes të ditës dhe kohës moderne të shekullit të njëzet e një. Një fenomen i çuditshëm drithërues po trondit individin, shoqërinë, kombin dhe më tej botën e qytetëruar dhe demokratike. Ky realitet është një shpirt i vrarë, një sy i përlotur, një gërryerje e ekzistencës njerëzore dhe një neveri e pafundme. Këmbëngulja e ngujimit apo jetës murgore të vjetruar për tu bërë një kushtetutë (ligj), i përngjet xhaketës së vjetër e të rreckosur, që e vesh për një xhaketë të re kur ajo sështë e tillë. Të mbjellësh sot në kohët e reja demokratike dhe të të drejtave të njeriut gjëra të vdekura, anakronike, regresive etj., dhe të bësh moralin e njerëzve me anë të konservimit shpirtëror, të rivendosësh në jetën e ndriçuar të brezave të sotëm dogmat e shkoqura, ti shfaqësh përsëri me vrull e bindje si të moralshme, kanunore dhe tradicionale, të vendosësh kanunin, të urosh apo bekosh përsëri vrasjen e njeriut, të ringjallësh vdekjen, të ushqesh fanatizmat, të përdorësh përsëri hakmarrjen, pabesinë dhe pushkën, të mëkëmbësh përsëri bajraktarin dhe bajraktarizmin, të besosh se mund të vendosësh nderin, burrërinë dhe të shpëtosh ndaj vetes dhe të tjerëve koritjen e sëmurë dhe primitive, ti imponosh shoqërisë dhe brezave të sotëm të kaluarën mesjetare, kjo duket e paimagjinueshme dhe e çuditshme.
Për mbjelljen e këtyre fenomeneve në këto zona të ngujuara ka institucione fetare dhe burra të zotë, që janë të përgatitur për këto punë teorikisht dhe mendërisht, që kanë një metode bindëse ndaj njerëzve të thjeshtë, të cilët me artin e tyre, së shkuarës kanunore i japin një ngjyrim ylberi, që e quajnë vend shoqëror i ri, e drejtë ligjore, moral i malësisë apo malësorit, respekt dhe nderim i të parëve gjyshëror e stërgjyshor, krenari e lashtë, traditë e brezave, rregull dhe ligj, fe, kishë dhe Zot; dhe e mbrojnë me jetën e tyre. Kjo është e vërteta dhe realisht ajo ekziston në shumë zona veriore të vendit tonë. Brezat e sotëm në emër të traditës së malësisë e mbrojnë këtë logjikë fenomen si një autoritet të lashtë, traditë e shenjtë e deri në cilësitë e një kushtetute të sotme, kanunore, së cilës i japin një vlerë morale për njerëzit e ndershëm.
Kjo shfaqje është e njohur dhe vlerësuar edhe nga të vjetrit në breza njerëzish të këtyre trevave. Inercia e këtij fenomeni edhe sot në kohët moderne e ruan ndjeshmërinë e vazhdimësisë dhe të rrotullimit të kohërave të kaluara shekullore. Fenomenin kanun, ngujim, ligj, kushtetutë, zakon, traditë etj. njerëzit e interesuar e ndriçojnë si një vlerë burrërie, njerëzore, bajraktari dhe ligjore, ndonëse të pashkruara në letër, por të zbatueshëm në jetën e përditshme njerëzore. Një autoritet i lashtë dhe një traditë e shenjtë dhe e pranueshme nga brezat e sotëm njerëzish. Një kohë e zezë kanunore, ngujore, vrastare njerëzish, shpirtra fëmijësh, mjerimi, analfabetizmi, hakmarrjeje etj. jeton në ditën e sotme plot jetë, dritë, qytetërim, demokraci si logjikë, rend shoqëror, moral edhe pse ajo është anakronike me kohën e re dhe sistemin e vlerave të jetës së sotme moderne.
Për hir të së vërtetës, fenomenin e ngujimit njerëzor të së kaluarës ne e njohim, e vlerësojmë seriozisht dhe frikshëm për vlerat dhe antivlerat, dhe hera-herës ose aty- këtu marrim iniciativën të shkruajmë, të flasim, të falim dhe ndoshta kur është rasti, ta respektojmë; por me kushtin e absolutes, se ajo kohë është e vdekur një herë e përgjithmonë.
Mirëpo, vetë njeriu me besëtytnitë, besimet e verbra dhe hipokrite, paragjykimet misterioze dhe reale e kultivon me dije dhe padije, me ndërgjegje dhe me forcë, në mënyrë të shëndetshme këtë kohë të shkuar, duke e bërë pjesë të jetës së tij, që do të thotë për më tej, të skllavërosh me duart e tua veten tënde dhe të tjerët. Sado që janë gangrenë për të, ai përsëri nuk i shkul dot, sepse është i pafuqishëm, i nënshtruar prej tyre që në kohëra të hershme. Ato kanë dhëmbë që të kafshojnë, kanë helm të sheqerosur, i cili nuk të vdes, por të drogon, të mpin dhe të kthen në një kufomë me frymë mbi tokë. E llahtarshme dhe e tmerrshme! Aty-këtu i gjori njeri i lodhur, i rraskapitur nga kjo jetë ngujore, shpërthen, proteston, kërkon dhe kapet fytas me të keqen, lufton dhe përsëri lufton në mënyrë të pandërprerë, sepse e ka mbërthyer fataliteti si njeri, fati i keq për të qenë i dënuar përjetësisht dhe të luftojë dhëmb për dhëmb me të keqen fantastike. E kaluara e së keqes i ngjason një hijeje të padukshme dhe është e vështirë të kapet dhe të shpërndahet si gjurmë e fantazmave të jetës së njeriut.
Të marrë frymë jeta murgore, ngujore dhe kanunore në mes të shekullit të njëzetë e një, është sa e çuditshme, keqardhëse, paradokse, dhe anakronike për botën demokratike dhe të qytetëruar në shoqërinë shqiptare. Është e kobshme kjo jetë njerëzish që, padrejtësisht, u privohet për të gëzuar jetën e mbushur me dritë dhe dashuri. Fenomeni i ngujimit të njerëzve të të gjitha moshave në zona të hershme fetare, kryesisht katolike, merr trajtën e një bashkësie, komuniteti, kuvendi, kolegji, kanuni, ligji, feje dhe zoti, ku në mes të kësaj lirie dhe demokracie të sotme qëndron krenar dhe ballëhapur. Një kanun si një kushtetutë e kohës moderne, të qëndrojë në mes të qytetërimit shkodran, lezhjan e më gjerë, si një ligj moral për individin, familjen, shoqërinë, komunitetin është një anakronizëm i paparë. Sot jemi në kohëra të reja evoluimi të shpirtrave njerëzor, të brezave, të ideve dhe koncepteve progresive, të cilat e çojnë përpara jetën njerëzore dhe jo ta ndrydhin, ta poshtërojnë dhe masakrojnë si në mesjetë. Fenomeni ngujim është realisht i gjallë, aktiv dhe veprues. Ka një portret të vizatuar dhe një fytyrë të sfumuar. Për këtë nevojitet të bëjmë dallime, qartësime dhe shpjegime të kujdesshme, sepse është fenomen, tradicionalisht i njohur, i mbjellë në dheun, në ndërgjegjen dhe shpirtin e njerëzve. Duhet të respektojmë, por duhet edhe të luftojmë për të mirën e njerëzve. E vërteta është flakërimë, cilësi, karakter, origjinë dhe asnjëherë nuk gabon, sepse ajo është e saktë në shfaqjen e saj, nuk e njeh hipokrizinë dhe gënjeshtrën e vërtetë në mes të ditës.
Jeta kanunore rrjedh sipas normave zakonore në mënyrë që ajo të ekzistojë si e tillë për vijueshmërinë e fisit, gjakut atëror dhe komunitetit në tërësi. Në këto raporte ka se çtë mësosh gjëra të kaluarës njerëzore, por ka edhe vlera të thjeshta në dukje që meritojnë ti vlerësosh, ti ndriçosh dhe ti vështrosh me syrin e kohës moderne.
I rëndësishëm është thelbi, shqyrtimi dashamirës dhe i thelluar i këtij fenomeni, pra i ngujimit kanunor apo zakonor edhe në ditët e sotme të lirisë jetësore dhe të veprimit ndaj njeriut si njeri, individ, familje e shoqëri. Le ta vlerësojmë si një çështje e gjallë, që ende qëndron në këmbë. Kjo çështje vërtet merr frymë si një qenie e gjallë, por në vetvete ka disa anë misterioze, të frikshme që na bëjnë, përherë ta vështrojmë me keqardhje drejt e në sy.
Njeriu i sotëm, duke qenë në shekullin e njëzet e një, një zëri, të gjithë jemi kundër mbylljes ngujore të fëmijëve, burrave e grave në shtëpitë e tyre. Kush shikon ngujim, do të thotë vdekje. Jeta e njeriut të gjorë kalbet, shkoqet dhe tretet; shpirti i tij është plot dramë, trauma mendore e godet dhe e bren në pafundësi. Një murtajë e vërtetë, që bren shoqërinë dhe kombin. Le ta pranojmë që të gjithë si përgjegjësi njerëzore dhe përherë këtë çështje ta vështrojmë drejt e në sy. Kjo jetë e detyruar murgore, aq mizore dhe e pashpirt, nuk është jetë natyrore normale, sepse nuk ka liri dhe oksigjen; dhe nuk është kafaz zoologjik, sepse nuk është kafshë e egër ky njeri i ngujuar, sepse nuk ka liri dhe dritën e jetës njerëzore. Ngujimi është një burg i vogël dhe i errët, që njeriu brenda tij ndahet nga bota reale njerëzore, ku jeta e tharë e tij shndërrohet në rrezik vdekjeje e, më tej, në errësirën e varrit të pritshëm. Kjo çështje na tmerro

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›