Betonizimi, alternativa e vetme e Edi Ramës
Ditët e fundit është sajuar një debat i madh nga opozita mbi projektin e zhvillimit të integruar të zonës bregdetare të Jugut. Unë si ekspert mjedisi nuk dua të hyj në këndvështrimet e ndryshme që mund të kenë njësi të caktuara të institucionit financues, por dua të shikoj aspektin pozitiv që sjell ky projekt në mbrojtjen e mjedisit shqiptar.
Së pari, mendoj se çdo njeri, sado dashakeqës që të jetë, është dakord që një zonë turistike të zhvillohet mbi bazën e një projekti integral ku përcaktohet zhvillimi i zonës, infrastruktura, bujqësia dhe kultura në funksion të zhvillimit turistik. Shembuj të zhvillimeve turistike alla Haxhi Qamiliste pa projekte kemi me shumicë, bregdeti i Durrësit deri në Golem është rezultati më i shëmtuar i këtij modeli. Ky projekt i Bankës Botërore përgatit një plan të përdorimit të tokës duke përcaktuar një vijë të kuqe në një largësi nga deti ku nuk mund të ndërtohet, gjithashtu paraqet edhe zonat ku mund të ndërhyhet me ngjyra dhe ato që duhet të ruhen si pasojë e vlerave mjedisore. Dhe kjo zonë pastaj u lihet në dispozicion njësive të qeverisjes vendore për të përcaktuar planet turistike dhe të zhvillimit të saj duke hequr kompetencat e centralizuara nga qendra. Por nuk e di se ku qëndron interesi i opozitës që bën kaq shumë zhurmë për abuzime, korrupsion etj., etj.
Për ta kuptuar këtë po ju paraqes një hartë të këtij projekti të miratuar nga qeveria socialiste në vitin 2005 ku paraqitet vetëm një zonë e caktuar ku mund të ndërtohet dhe pjesa tjetër është e pastudiuar. Menjëherë mund të lindin mendime që politika e djeshme është prekur në krenarinë e vet profesionale dhe nuk është dakord që projektet e saj të hidhen poshtë dhe të zëvendësohen me harta të tjera më komplekse dhe që bëjnë një miratim të përdorimit të tokës për gjithë gjirin e Jalës. Por mbrojtësit e këtij projekti duhet të jenë patjetër autorët e tij, Lamja me shokë dhe jo kasnecë të grupit parlamentar të PS-së që flasin për ekonominë, naftën, Gërdecin dhe tani për turizmin. Por problemi i vërtetë nuk është fare xhelozi profesionale, por mbrojtje e interesave të klaneve ekonomike. PS-ja dhe një pjesë e grupit të saj parlamentar janë kthyer në avokat të firmave ndërtuese /botuese pranë zotit Rama.
Në katalogun e firmës Edil Al të botuar në vitin 2006, faqe 36, është reklamuar “Fshati Turistik i Jalës” Fshat rezidencial me ndërtesa 2 dhe 3-katëshe me një sipërfaqe prej 45 000 m² me sipërfaqe rezidenciale 4100 m² dhe 2200 m² hotel i cili duhet të përfundonte sot në vitin 2009.
Pra, ajo njolla e miratuar në 2005-n nga Lamja me shokë nuk është asgjë më shumë se ky fshat turistik i miqve ndërtues/botues të z. Rama të cilët kanë ngelur zbuluar nga miratimi i projektit të Bankës Botërore.
Ky është shkaku i vërtetë i armiqësisë së PS-së me projektin e Bankës Botërore pikërisht në Jalë dhe jo në një zonë tjetër të bregdetit.
Ju zotërinj avokatë të firmave të ndërtimit nuk ju djeg mjekra për fshatarët e shkretë që u janë prishur ndërtimet pa leje, por për Edilet dhe kocilet që kanë humbur milionat e tyre të sigurta. Ju, avokatë të betonit, nuk bëheni merak për 12 shtëpi të prishura apo për votuesit e tyre, por shqetësoheni për apartamentet e premtuara nga pronarët që kanë humbur nga zbatimi i këtij plani. Unë vazhdimisht kam menduar se çfarë e lidh zotin Rama me betonin. Fillimisht dyshova mos është profesioni i tij i parë si pikturues muresh dhe ndërtues skulpturash heroike. Por tani e kam kuptuar se ai është mik i betonit dhe betoniereve sepse është mik i ngushtë i pronarëve të tyre. Tani e kam kuptuar se pas çdo betonimi të një sipërfaqeje në Tiranë apo bregdet qëndron një mik ndërtues i PS-së dhe kryetarit të saj. Tani e kam kuptuar se ryshfetet në ndërtim janë më të majme edhe në natyrë se në ndonjë fushë tjetër.
Por, sinqerisht më vjen keq për shumicën e kolegëve socialistë që janë njerëz të ndërtuar dhe nuk mund të shprehin kundërshtinë e tyre për këtë qëndrim institucional të PS-së. Më vjen keq shumë edhe për PS-në që është kthyer në një parti të betonizuar, jo nga mbyllja ideologjike, por nga rrethimi më ndërtues dhe betoniere që bëjnë ligjin në të. Ndërsa për disa 99-sha të rinj mund t’ju them se edhe duke ndërtuar, edhe duke betonizuar mund të shkatërrosh njësoj si me rruspull.
Deputet i PD-së