Mjerimi i një heroi antikomunist
... Është shtruar tri herë në Sanatoriumin e Tiranës brenda pak muajsh, piktori i famshëm i flamurit pa yllin komunist në Kryengritjen e të Burgosurve Politikë të Spaçit, Mersin Vlashi, i rënduar prej një sëmundjeje të mushkërive dhe gjendja e tij rrezikon seriozisht... Nuk e besova që zëri i zvargur, i lodhur, i tjetërsuar që më erdhi nga valët telefonike ishte ai, i Mersin Vlashit, mikut, bashkëvuajtësit dhe bashkëluftëtarit tim të paharruar. U rrëqetha kur më tha: “Eja se mund të jetë hera e fundit qe piqemi...! E gjeta me aparatet e sofistikuara të frymëmarrjes, por gjithsesi, me mendje të kthjellët. I largoi aparatet nga fytyra sa për të më kumtuar gëzimin që po më shikonte... “Mos u mërzit, - i thashë, - kam bindje se Zoti do të të ndihmojë edhe këtë herë... Do të të jap kënaqësinë morale e shpirtërore: të firmosësh me dorën tënde dëmshpërblimin e vuajtjeve të tua me dekada (Mersini ka vuajtur 31 vjet burgjeve si i burgosur politik. I martuar me tre fëmijë, pensionist, banon në Kamëz, në një shtëpi përdhese)... Në fund të fundit, - i thashë, - kot Ai (Zoti) nuk t’i dha tre fëmijë, njëri më i mirë nga tjetri. Baba i mirë është ai çfarë u lë fëmijëve mbrapa. Po u lë një emër të nderuar e të respektuar që do t’i krenojë brez pas brezi... Edhe ekonomikisht... Nëse ka një Zot në qiell, besoj do ta japë lumturinë e asaj dite që fëmijët e tu të shtrenjtë t’i shohësh jashtë mjerimit të tejskajshme...”
E ndërpreva bisedën se atë e mbytën lotët. Donte të fliste... ndoshta të falënderonte ose të kundërshtonte... pse jo, edhe të më qortonte për naivitetin tim, por e ndryshova mendimin menjëherë, sapo ai hoqi aparatin, më shtrëngoi dorën e më tha: “Rrofsh! Por nuk të zemërohem, se ti kështu ke qenë gjithmonë me ne, kurajoz dhe shpresëdhënës. Faleminderit që uron ditë të bardha për fëmijët e mi! Harrove të thoshe që po u lë edhe miq e dashamirës plot si ju... bashkëvuajtësit e mi...
S’e kisha parë kurrë të qante me lot në sy heroin e përnjëmend të burgjeve komuniste, zotin Mersin Vlashi...