“INTERFACE” sukses në festivalin ndërkombëtar të dancit në Durrës

Trupa izraelite "Kolben dance kompany" çeli mbrëmjen e kaluar në Durrës edicionin e katërt të "Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan", aktivitet që do të vazhdojë deri më 6 maj me prezantimin e shfaqjeve të artistëve nga nëntë vende të ndryshme të botës. Shtatë kërcimtarët e kompanisë "Kolben" në shfaqjen e tyre "Interface" sollën një ndërthurje të botës mediatike dixhitale me ndryshimet e natyrës njerëzore në realitetin e ri. Pamjet filmike të "Interface" gërshetoheshin me gjuhën e pasur dhe të thjeshtë të lëvizjeve, duke shtruar pyetjen: A mund të plotësojmë dëshirat tona për miqësi dhe të harrojmë vetminë që na rrethon përmes komunikimit dixhital? Trupa me përvojë 13 vjeçare, që drejtohet nga regjisorët Amir Kolben dhe Masha Waisiel për më shumë se një orë "mbërtheu" spektatorët artdashës që kishin mbushur sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Duartrokitjet e merituara mbyllën mbrëmjen e parë të kompanisë izraelite, që përfaqëson trupën e parë artistike pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Nesër në mbrëmje ata do të jenë të ftuar në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë me spektaklin "Plusminus". Para shfaqjes "Interface", presidenti i Festivalit, Gjergj Prevazi tha se prezantimi dhe perceptimi i performancave gjatë spektakleve do t'i afrojë më shumë artistët shqiptare të kërcimit me format dhe teknikat më bashkëkohore të dancit duke synuar aplikimin e tyre në shfaqjet tona. Ndërsa kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako duke përshëndetur artistët e nëntë trupave teatrore nga vende të ndryshme të botës, nënvizoi mbështetjen e plotë të bashkisë për të gjitha veprimtaritë kulturore dhe artistike që do të zhvillohen gjatë sezonit të ardhshëm turistik në Durrës. Sot në mbrëmje në skenën e teatrit të Durrësit do të ngjiten kërcimtarët Paul Ibey dhe Anton Pasquerella nga Kanadaja me spektaklin "Coelacanth". Më pas do të performojë trupa sllovene "EnKnapGroup" me shfaqjen "Sky" të koreografit Simone Sandroni. Në ditët në vijim do të performojnë trupa nga Greqia, Anglia, Hungaria, Italia dhe Shqipëria.
...