E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Ambasadori grek: Zhurma për censusin, e pakuptueshme

Share

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kriza ekonomike dhe pasojat e saj në Shqipëri. Regjistrimi i popullsisë dhe zhurmat mbi censusin. Minoriteti grek, emigrantët shqiptarë dhe integrimi. Intervistë me diplomatin grek.

Nga Genc Mlloja

Nuk është një intervistë e zakonshme kjo me ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë. Mirësjellja e tij për tu përgjigjur, u shoqërua edhe me një vizitë në mjediset e revistës Klan, gazetës Albanian Daily News dhe radios NRG, ku diplomati që prej tre vitesh shërben në kryeqytetin shqiptar, u njoh nga afër me stafin dhe punën e mediave tona. Një konkluzion spikat ndër të tjerët: Dy popujt tanë janë më të afërtit e më të ngjashmit në Ballkan. Ndaj dhe keqkuptimet mes nesh janë si ato mes njerëzish që gëzojnë e vuajnë njësoj. Prandaj duhen tejkaluar.

-Zoti Ambasador, si do ta vlerësonit nivelin aktual të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë? Duket se ka një pauzë sa i përket shkëmbimit të vizitave dypalëshe, përveç vizitës së ekspertëve lidhur me marrëveshjen e ujërave, anullimi i së cilës nga Shqipëria shkaktoi nervozizëm në Athinë 

Marrëdhëniet greko-shqiptare kanë qenë gjithnjë prioritet i politikës së jashtme të Greqisë. Ato janë ndikuar nga historia dhe gjeografia, të dy këta faktorë të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, e po ashtu nga zgjedhje kyçe politike. Këto marrëdhënie gjithashtu reflektojnë një realitet: Ngritjen e Shqipërisë dhe elementit shqiptar në përgjithësi, si një faktor i rëndësishëm në arkitekturën e re të Ballkanit dhe në integrimin e rajonit në strukturat euro-atlantike. Në këtë kontekst, marrëdhëniet tona dypalëshe mbeten dinamike, edhe pse nuk kanë ndjekur gjithnjë një kurs linear e njëdimensional. Megjithatë, këto ulje-ngritje nuk devijojnë nga objektivat tona kryesore: Stabiliteti, paqja, zhvillimi ekonomik dhe përfundimi i rrugës europiane të Shqipërisë të cilën, siç e dini, ne e mbështesim vendosmërisht. Marrëveshja e delimitimit të zonave detare mes dy vendeve mbetet natyrisht, për tu zgjidhur, dhe gjasat janë që të tjera marrëveshje të dalin përpara me kalimin e kohës (siç janë ato për negociatat e anëtarësimit, fjala vjen).

Në këtë kuptim, sigurisht që vizitat dypalëshe janë të rëndësishme, me kusht që ato të kenë objektiva të qarta. Nga ana tjetër, është fakt që janë kryer takime e bisedime të nivelit të lartë, por më e rëndësishme për mua është të siguroj që gjërat të lëvizin dhe të kem rezultate konkrete në punën time. E nga kjo pikëpamje, do tju siguroja se ekziston një bashkëpunim i ngushtë dhe intensive mes ministrive dhe ambasadave respektive, si në Tiranë dhe Athinë. Ndonjë vonesë nuk duhet parë si provë apo pasojë e hapave prapa në bashkëpunimin dypalësh, por përkundrazi, si një pikënisje për forcimin dhe rigjallërimin e tyre. Për më tepër unë besoj fort se ndërsa Shqipëria përparon drejt destinacionit europian, marëdhëniet tona do shohin veç përmirësim drejt nivelit ku meritojnë të jenë, larg nga tema dhe koncepte të vjetra dhe kundër-produktive.

-A ka patur ndonjë moment kur jeni ndjerë keq gjatë mandatit tuaj në Shqipëri, dhe kur keni përjetuar kënaqësi për ndonjë arritje, për festimin e së cilës të keni ftuar miqtë për të trokitur gotat?

Kam ardhur në Tiranë në qershor 2008 dhe deri tani nuk jam ndjerë asnjëherë ngushtë. Padyshim, gjatë qëndrimit tim këtu jam dëshmitar i një volumi të madh punësh, pasi një sërë çështjesh që prisnin zgjidhje u vunë në vijë. Pra nga këndvështrimi profesional, balanca është pozitive.

Në nivel personal, nuk jam ndjerë kurrë i huaj këtu. Qëndrimi im në Shqipëri ka qenë i këndshëm dhe ajo që ka më shumë rëndësi, më ka dhënë mundësinë ta njoh më mirë vendin. Sidoqoftë, me raste duhet ta pranoj se ngarkesa e punës është mjaft e rëndë. Natyrisht që ekzsitojnë ende shumë çështje delikate. Gjendja aktuale kërkon nga të dyja palët, një këndvështrim më krijues dhe me sens praktik. Duhet ti japim prioritet përmirësimit të imazhit publik që kemi për njëri-tjetrin, që në disa raste është i shfytyruar. Besoj vendosmërisht se perceptimi i saktë i problemeve, shoqëruar me largimin nga sentimentalizmat e dyshimet sterile, do ti lehtësonin goxha përpjekjet tona për mirëkuptim reciprok. Në disa raste jam çuditur me mënyrën sesi janë prezantuar disa çështje, sesi janë politizuar në mënyrë të paarsyeshme apo janë paraqitur si konspiracione ku qenkëshin përfshirë armiq imagjinarë. Për mua është një sfidë e vërtetë të merrem me këto dukuri. Por më lejoni të pohoj edhe një herë se përvoja ime këtu është pozitive dhe përpjekjet ja kanë vlejtur.

-A mendoni se kriza ekonomike globale që goditi keqaz Greqinë, do të prekë edhe Shqipërinë, duke pasur parasysh praninë e madhe greke në shumë sektorë, përfshirë sistemin bankar? 

Greqia po përjeton një krizë ekonomike që në mënyrë të pashmangshme ka lënë pasoja në shumë fusha të jetës publike. Ajo lidhet drejtpëdrejt me krizën që po torturon krejt Europën. Disa ekspertë argumentojnë se kjo krizë e ka rrënjën tek mënyra sesi është konceptuar eurozona, të tjerë e lidhin me gabimet në nivel kombëtar. Në këndvështrimin tim, të dyja argumentet janë të vlefshme, përderisa në një ekonomi globale, izolimi është i paimagjinueshëm dhe proteksionizmi nuk është më opsion. Për pasojë, asnjë ekonomi nuk mund të jetë e mbrojtur. Rrjedhimisht kjo vlen edhe për Shqipërinë, për më tepër që partnerët e saj kryesorë ekonomikë janë vende europiane të prekura nga kriza. Nuk mund të analizojmë gjerësisht këtu, madhësinë dhe intensitetin e pasojave që do ketë ekonomia shqiptare, por duhet thënë që ato lidhen pashmangërisht me modelin e rritjes ekonomike të vendit, fjala vjen me balancën mes konsumit dhe investimeve, rolin që luajnë prurjet e emigrantëve etj. Një gjë megjithatë është e sigurtë: Për të tejkaluar krizën, kërkohen përpjekje të përbashkëta dhe solidaritet. Më konkretisht, kur flasim për praninë greke në sektorin bankar shqiptar, dua tu siguroj se nuk ekziston asnjë rrezik. Autoritetet mbikqyrëse shqiptare, e para Banka e Shqipërisë, monitorojnë nga afër bankat dhe u kërkojnë atyre zbatimin e standardeve strikte. Në të njëjtën kohë, Banka e Greqisë në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qëndrore Europiane, merr të gjithë masat e nevojshme për të siguruar që bankat mëmë të marrin mbështetjen e duhur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Në këtë pikë, dua të theksoj faktin që kursimet e njerëzve janë absolutisht të sigurta dhe bankat greke do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet profesionale të cilësisë së lartë, si ndaj qytetarëve, edhe ndaj kompanive që veprojnë në vend. E së fundi, por jo më pak e rëndësishme, një numër kompanish të mëdha greke kanë besim tek ky vend dhe ushtrojnë aktivitet këtu, duke ofruar vende të reja pune dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

-Në Shqipëri përfundoi procesi i censusit. Pjesë e zhurmës që e shoqëroi atë, ishte edhe çështja e minoritetit grek. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky regjistrim, veçanërisht lidhur me minoritetin? 

Censusi është një mjet thelbësor në përcaktimin e përbërjes së popullsisë së një vend

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›