Meta kundër aleatit Berisha: Emocionet nuk duhet të vendosin për historinë. Komunistët mbajtën barrën kryesore të luftës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri homazhe në Varrezën e Dëshmorëve për Ditën e Çlirimit. Si anëtar i koalicionit qeverisës, që e ka braktisur këtë festë, prononcimi i Metës pritej me interes. Meta e përkujton këtë ditë prej tre vitesh, edhe pse aleati i tij nuk e njeh. Duke folur për mediat, Meta tha se 28-29 Nëntori janë dy ditët më të rëndësishme në historinë tonë. Meta e quajti qëndrim të tyre, por tha se nuk duhet që emocionet politike të vendosin për ngjarjet historike. Ai tha se këtë ditë nuk mund ta përcaktojnë partitë politike apo gjeneratat e mëvonshme. Kreu i LSI deklaroi se të gjithë e dinë se çdo ndodhte me Shqipërinë nëse do ishte rreshtuar në krah të nazi- fashizmit. Meta tha se ka pasur forca politike e rryma në Shqipëri që kanë përkrahur nazistët, por ai u shpreh se nëse nuk do ishte pozicionimi kundër pushtuesve, Shqipëria do ishte ndarë. Meta tha se ai respekton komunistët, duke shtuar se ata mbajtën barrën kryesore të luftës. Por Meta tha se synimi ishte çlirimi i vendit dhe jo vendosja e sistemit komunist.