E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

Kryeministri: Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare, akt që bëri të mundur që shqiptarët sot kudo që ndodhen të jenë të lirë

Kryeministri i vendit, Sali Berisha zgjodhi Varrezat e Dëshmorëve për të bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule për festën e Pavarësisë. I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, si dhe personalitete të tjera, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe të të rënëve, kryeministri Berisha theksoi se pavarësia është akti më madhor i shqiptarëve, akt që sipas tij, bëri të mundur që shqiptarët të gëzojnë lirinë që kanë sot. “Nderim të gjithë atyre burrave dhe grave që me jetën e tyre, me gjakun e tyre vaditën rrënjët e lirisë që ne gëzojmë sot. Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare, akt që bëri të mundur që shqiptarët sot kudo që ndodhen të jenë të lirë. Pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i luftërave mbinjerëzore të shqiptarëve për liri dhe dinjitet”, - u shpreh Kryeministri, duke kujtuar dhe nderuar në të njëjtën kohë të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës. Duke u ndalur te festimet që janë parashikuar të zhvillohen në 100-vjetorin e Pavarësisë, Berisha kujtoi se në ditët e muajt në vazhdim do të rikthehet në memorien aktuale vepra e madhe, përpjekja e madhe e shqiptarëve që nga Lidhja e Prizrenit deri në ditët e sotme. Pas homazheve që kreu te Varrezat e Dëshmorëve, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj.Liri Berisha, vizitoi edhe panairin “Blej shqip”, të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të veprimtarive për ditën e 28 Nëntorit. Kryeministri Berisha vizitoi stendat e shumta të panairit dhe, së bashku me bashkëshorten e tij blenë produkte të ndryshme vendase, si ushqimore ashtu edhe artizanale. “Ishte një nga panairet më të mirë që kam vizituar, ku prodhuesit shqiptarë kishin paraqitur të gjitha delikatesat e tyre në fushën e gastronomisë; kishin paraqitur krijimet më të bukura popullore artistike, qëndismat, qilimat, statuetat, punimet alabastër, djathi i Kelmendit, në versione holandeze, por i një shijeje si ai; prodhime të tjera artizanale, filigrani ndër më të bukurit”, - theksoi Kryeministri pas vizitës së stendave të panairit. Ndër të tjera ai u shpreh se “bli shqip është blerja më e mirë e botës, pasi nuk ka prodhime më të shijshme se prodhimet e kësaj toke”, ndërsa nënvizoi se përpiqet që në tryezën e familjes së tij të mos ketë gjëra të importuara. Kryeministri Berisha në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 Nëntorit, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, zhvilloi vizita në familjen e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari, si dhe në familjen e Heroit të Popullit, Musa Kame (Fratari).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›