Mhill Gecaj: Liberalizimi rrit konkurrencën, cilësinë e shërbimit

Kreu i ASHR-së, Gecaj: Flet për vendimin e fundit të
qeverisë për sistemin e licencimit në sistemin shëndetësor
Të gjitha arritjet në 2 vjet të drejtimit ku spikat ndihma në kohë rekord që u ofrua në tragjedinë e Gërdecit
Prej 2 vitesh në drejtimin e ASHR-së Tiranë (Autoritetit Shëndetësor Rajonal) Mhill Gecaj ka ditur që me profesionalizimin që e karakterizon të ia dal mban sfidave me të cilat është përballur të cilat nuk kanë qenë të pakta. Kreu i ASHR-së Tiranë ka ditur tregojë që gjërat në këtë vend ndryshojnë kur ka dëshirë dhe vullnet politik. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55” zoti Gecaj rrëfen arritjet e institucionit që ai drejton si dhe sfidat më të cilat është përballur si dhe të ardhmen.
Z.Gecaj, Çfarë përfaqëson në vetvete Autoriteti Shëndetësor i Tiranës?
Autoriteti shëndetësor i Tiranës është një institucion i cili përfshin në organikën e tij ose në strukturën e tij, të gjithë shërbimin shëndetësor të rrethit të Tiranës, që nga komunat dhe deri në qytet. Përfshin Drejtorinë e Shëndetit Publik të Tiranës, ku ka të bëjë me shërbimin e higjienës dhe të epidemiologjisë, me higjienën e punës, të parashkollorëve dhe të shkollorëve dhe me ato që ka të bëjë me shëndetin publik. Përfshin në strukturën e saj kujdesin shëndetësor parësor, e cila anonçonte deri në fillim të vitit 2007 të gjithë qendrat shëndetësore në Tiranë. Përfshin në strukturën e saj Drejtorinë e Planifikimit dhe të politikave shëndetësore që nga burimet njerëzore dhe të gjitha kapacitetet e nevojshme që nga akreditimi dhe cilësia e lartë e shërbimit.
Cili ka qenë roli i saj gjatë këtyre dy viteve dhe ku është fokusuar më shumë politika e këtij institucioni?
Në vitin 2007, shërbimi mjekësor parësor në vend u decentralizua, ku qendrat shëndetësore kalojnë në vetëautonomi, në vetëfinancim, ku u menaxhuan totalisht nga drejtorët e qendrave shëndetësore. Në këtë këndvështrim, Autoriteti Shëndetësor nuk e zbehu aspak rolin e tij. Menjëherë filloi ngritja e disa sektorëve të akreditimit të monitorimit, për të monitoruar tashmë këto qendra shëndetësore, të cilat kishin kaluar në një formë vetëautonomie. Ishte hera e parë që kjo ndodhte në Shqipëri. Prioriteti kryesor ka qenë Drejtoria e Shëndetit Publik, që është marrë me të gjithë menaxhimin e situatave epidemiologjike, në monitorimin e ujit, vaksinimin që është një nga detyrat më të rëndësishme të kësaj drejtorie në qytetin e Tiranës, problemi i higjienës jo vetëm në tregjet ushqimore, në institucionet publike siç janë shkollat,
kopshtet dhe qendrat studentore e të tjera. Është bërë një punë e madhe gjatë këtyre dy vjetëve që unë drejtoj këtë institucion.
Në këto që ju përmendët, kë mund të quani si arritje?
Përveç këtyre që përmenda më lart, mund të theksoj: Në vitin 2007, në Tiranë ngritëm tre qendra komunitare të shëndetit mendor dhe një qendër për rehabilitimin e fëmijëve. Shërbimet e psikiatrisë që ne i kishim nëpër poliklinika dhe qendra shëndetësore, u shkëputën nga sistemi parësor dhe kalojnë në qendra komunitare të shëndetit mendor ku përfshiheshin psikologë, punonjës socialë, psikiatër, terapistë. Ekipet multidisiplinare u ngritën në një kohë rekord, ku tashmë ato janë të kulturuara, të mirë pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme që ky shërbim të ofrohet ndaj qytetarëve që kanë nevojë, duke pasur parasysh vitet e fundit kalimin nga një sistem komunist në një sistem tjetër. Njerëzit kanë nevojë për këtë shërbim. Se dyti, Shërbimi i urgjencës mjekësore, falë ndërhyrjeve me reforma, mirë pajisjes me mjetet e domosdoshme për këtë shërbim, si në aparatura mjekësore dhe ne medikamente dhe me kryesore, një koncept komplet tjetër për të ofruar këtë shërbim shumë të rëndësishëm për qytetarët, kemi arritur të marrim vlerësime pozitive edhe nga qytetarët, por edhe nga institucionet e drejtuesit e shëndetësisë. Së treti, falë bashkëpunimit serioz me Prefektin e Tiranës dhe Drejtorinë Arsimore, kemi arritur të kemi një shërbim shëndetësor cilësor në sistemin shkollor dhe parashkollor, si atë dentar dhe atë të kujdesit shëndetësor. Si rezultat i këtyre që përmenda më lart, kemi arritur të menaxhojmë disa situata deri në tragjike.
Mund të na i detajoni këto situata tragjike dhe cili ka
qenë roli i Institucionit tuaj?
Në fillim të vitit 2007 kemi pasur rastet e Hepatit të banorëve dhe bashkëpunimi me të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë me drejtorinë e shëndetit publik dhe me drejtorinë e ujësjellësve dhe kanalizimeve, dha rezultatet e duhura në kohë. Në qendrat shëndetësore bëmë të mundur izolimin e vatrave në kohë rekord, por normalisht edhe trajtimin dhe mjekimin e këtyre të sëmurëve të cilët patën këtë problem. Tragjeditë më të mëdha kanë qenë ajo e Lundrës, ku patëm rreth 16 të vdekur. Gjithë shërbimi ynë i urgjencës mjekësore u fokusua jo vetëm për të dhënë ndihmën e shpejtë, por edhe për të transportuar ato kufoma nga liqeni i Lundrës. Pastaj më vonë, në tragjedinë e Gërdecit, e cila për mua do të ngelë gjatë në kujtesë....
Pse e theksuat këtë?
Për shumë arsye. Në radhë të parë, angazhimi jonë ka qenë maksimal, që Ministrisë së Shëndetësisë t’i zbardhej faqja. Këtu dolën në pah shumë dukuri të punës dhe organizimit tonë. Si funksionim i mirë i shërbimit të urgjencës, të gjithë autoritetet shëndetësore arritën të menaxhojnë situatën. Ne, për 15 minuta kemi pasur 16 autoambulanca në vatër. Unë kam qenë gjatë gjithë ditës dhe natës në këtë shërbim dhe është bërë një punë shumë e lavdërueshme. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin
përfundimtar, na dha vlerësimet maksimale ku duhet të kishim
ndoshta edhe një medalje.
Çfarë do të veçonit në këtë tragjedi, nga të gjitha historitë që keni parë ju si mjek?
Në dy muaj përpara se të bëhej tragjedia e Gërdecit, ngritëm Komisionin e Emergjencave Civile pranë autoriteteve shëndetësore që drejtohej nga unë. Të gjitha qendrat shëndetësore dhe strukturat tona, përfshirë edhe qendrat shëndetësore në Vorë, kishin marrë udhëzimet e qarta se në rastet e një tragjedie,
aksidentet të cilat mund të ishin të rënda, të funksiononte sistemi zinxhir i marrjes së njoftimit. Unë për tetë minuta kam qenë në këtë ngjarje si pasojë e mirëfunksionimit të këtyre hallkave zinxhir. Ne u përballëm aty me njerëz të plagosur, me njerëz të cilët nuk dinin nga të shkonin, me njerëz të çorientuar, por profesioni jonë na obligon që të jemi gjakftohtë dhe të rregullt për dhënien e ndihmës së shpejtë. Pastaj, filluam dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera shtetërore dhe u bë e mundur që ajo tragjedi të minimizohej.
Çfarë nxori në pah kjo ngjarje?
Rezultate, por edhe disa mangësi. Shërbimin e urgjencës mjekësore unë e kam parë me një këndvështrim tjetër, pasi ky shërbim duhet patjetër të rikonstruktohet. Po t’i referohemi disa vendeve të tjera të Bashkimit Europian, ka një koncept komplet tjetër për shërbimin e urgjencës. Ne sot në Tiranë, që është 1 milion banorë, kemi vetëm një pikë të këtij shërbimi. Kemi disa autoambulanca, kemi një numër të caktuar personeli. Ka ardhur koha që këto autoambulanca të hapen në disa pika në Tiranë. Vetë fjala urgjencë është dhënia e ndihmës së shpejtë. Ky është funksioni i tij. Kur kam ardhur në këtë detyrë kam gjetur një shërbim jo shumë efiçent. Falë këtij koncepti, ne filluam ta ndërtojmë atë. Lidhëm marrëveshje me Radiotelevizionin Shqiptar për sinjalin përmes antenave të Dajtit. Ambulancat tona u pajisën me radio, me mjetet e domosdoshme, që nga oksigjeni dhe të tjera. Në qoftë se këto autoambulanca do të jenë të përhapura në disa pika në Tiranë, qytetarët do ta marrin ndihmën më shpejt në kohë, duke ulur ndjeshëm rrezikshmërinë. Një problem tjetër ishte i numrave telefonikë. Ne arritëm marrëveshje me Albtelekomin dhe kompaninë celulare, ku vendosëm shumë shpejt numrin tre shifror 127 ku në çdo moment qytetari do të merrte përgjigje, për problemin që paraqiste. Në çdo vend në botë, në rast se nuk ka një shërbim urgjence të konsoliduar dhe mirëfunksional, nuk mund të quhet se mund të ketë shërbim shëndetësor bashkëkohor, që t’u përgjigjet kërkesave. Ne, për këtë problem kemi ndërtuar platformën tonë, kërkesat, në bazë të eksperiencave, mangësive dhe e kemi bërë prezente (kemi propozuar) dhe shpresojmë që qeveria shqiptare për vitin 2009, nëpërmjet buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, të shikojë edhe këtë godinë e cila duhet të ndryshojë jo vetëm pamjen, por edhe infrastrukturën brenda. U hodh një ide për të privatizuar transportin e këtij shërbimi, për të cilën nuk mund t’ju them asgjë se ku ka ngelur.
A është i përhapur ky model?
Po, ky model është i përhapur.
Ju përmendët pak më parë decentralizimin në shërbimin parësor, a mund të na thoni diçka për këtë shërbim?
Duke pasur parasysh që këto qendra shëndetësore kanë kaluar nga një vetëmenaxhim dhe vetëfunksionim, duhet që këto qendra shëndetësore të menaxhohen dhe të kontrollohen. Në qoftë se ne në shërbimin tonë parësor nuk do të kemi pajisjet laboratorike, atëherë qytetarët detyrimisht do të largohen. Ministria e Shëndetësisë duhet t’i vejë fre përfundimisht vizitave ambulatore në qendrat shëndetësore universitare. Ne këtë vit kemi marrë një buxhet të konsiderueshëm nga qeveria shqiptare, sipas kërkesave dhe planit që është bërë nga ne në vitin 2007, për ta pajisur me mjetet e nevojshme si me ato laboratorike. Problem tjetër ngelet dhënia e statistikave ose thithja e të dhënave nga periferia drejt qendrës, ku sipas nismës se fundit të ministres Godo, sistemi i informacionit do të pësojë një transformim të plotë. Ka pasur një çoroditje në këtë drejtim. Ne kemi një program kombëtar si për vaksinimin ashtu edhe për të dhënat e statistikave që nga niveli i sëmundshmërisë. Këto janë disa statistika që ne i dorëzojmë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pastaj, sipas marrëveshjes me organizatën botërore të shëndetësisë, hartohen projektet për të ardhmen. Por, sipas nismës së fundit të ministres Godo, sistemi i informacionit shëndetësor do të pësojë një transformim të plotë.
Ju lutem, a mund të na thoni diçka në vendimin e fundit
të Qeverisë për sistemin e Licencave në sistemin shëndetësor? Ju jeni për një sektor privat më të përhapur në mjekësi?
Sigurisht që nuk mund të le pa e përshëndetur vendimin e Qeverisë për këtë problem, është një vendim i drejtë dhe i domosdoshëm për dy arsye. Së pari: liberalizimi rrit konkurrencën dhe nëpërmjet kësaj dhe cilësinë e shërbimit. Së dyti, po ju jap një shembull për një laborator i cili hapet në Sarandë, apo një farmaci në Has. Nuk kanë së pari qytetarët pse të humbasin ditë dhe kohë dhe burime financiare, kur vetë Ministria e Shëndetësisë i ka aktorët, pra Drejtoritë e shëndetit publik atje. Në kohën e sotme, sektori privat nuk duhet të minimizohet. Sektori i licencave, i cili do të ngrihet pranë këtyre institucioneve dhe pastaj sektori i monitorimit dhe i vlerësimit të cilësisë duhet të jetë ai që edhe do t’i kontrollojë dhe duhet t’i monitorojë, për të pasur një shërbim cilësor dhe të standardizuar, që të përafrohet me vendet e tjera të BE-së, dhe besoj se ne i kemi kapacitet jo vetëm për ta ofruar këtë shërbim, por edhe për ta monitoruar. Në lidhje me fillimin e pyetjes tuaj, nuk mund të le pa përmendur se nuk mund të presin qytetarët dhe biznesi me muaj për të marre një licencë, sepse nuk do njeri apo tjetri dhe nuk mblidhet komisioni etj etj, siç ka ndodhur deri tani. Sepse tregut privat i duhet dhënë akses patjetër, duke zbatuar të gjitha rregullat, por jo për ta bllokuar atë, sepse bllokohet zhvillimi ekonomik i vendit.
Po për nismën e fundit të Ministrisë për të krijuar drejtoritë Rajonale të shëndetit publik, cili është komenti juaj?
Pyetje interesante kjo: duhet të shikojmë në dy aspekte: së pari, edhe shërbimi shëndetësor dhe organizimi i tij, duhet të shkojnë paralel me të gjithë sekorët tjerë administrativë, siç janë arsimi, sigurimet shëndetësore, etj. Së dyti, nuk mund të pretendohet që të kemi të njëjtën administratë si në një rreth të një kategorie të dytë dhe tretë, kjo vetëm për nga numri i popullsisë. Dhe sidomos mbajtja e disa spitaleve në disa njësi administrative, të cilat jo që nuk shfrytëzohen nga qytetarët, por kane një kosto jo efektive për të mbajtur. Kështu që është dhe duhet parë si pozitiv.
A janë shtuar shërbime të reja dhe sipas jush, a po behet aq sa duhet nga shteti për rimëkëmbjen e tyre? Gjithashtu, po hapet edhe poliklinika e re e specialiteteve në Paskuqan. Kur mendoni se do të fillojë puna normalisht ose kur do të përfundojë rikonstruksioni i poliklinikave, për kthimin e tyre në një gjendje standarde?
Po bëhet rikonstruksioni i tre poliklinikave, dhe do të vazhdojë projekti edhe për disa të tjera. Këtë vit nga Qeveria Shqiptare janë dhënë fonde të konsiderueshme, sa për 10 vite të shkuara të marra se bashku, për pajisje mjekësore dhe mobilie, të cilat do t’i shërbejnë mirëfunksionimit dhe diagnostikimit. Pra, specialistët tonë do të kenë se çfarë t’ju ofrojnë qytetarëve.
Si paraqitet aktualisht situata higjieno sanitare në klinikat private (të ndryshme: stomatologjike, laboratorë, etj) në Tiranë, qytet apo komuna? A janë ushtruar kontrolle në to dhe sa? Ka pasur raste të konstatimit të mosrespektimit të dispozitave apo rregullave, apo raste të ndërrimit të destinacionit të klinikave private? Cilat janë masat që janë marrë në raste shkeljesh?
Klinikat private mjekësore (me ose pa laborator), stomatologjike, laboratorë të veçantë e farmaci, janë pajisur me Leje Higjieno-Sanitare "për objektin" (dmth që përmbushin kushtet higjeno-sanitare si objekt & mjedis) dhe tërë këto klinika, etj, edhe në vijim, nga kontrollet e ushtruar, rezulton që përmbushin kushtet higjieno-sanitare; për çdo rast, kur është ndryshuar destinacioni (përgjithësisht behet fjale për "shtim & zgjerim" aktiviteti), apo ndonjë ndryshim, është vlerësuar si i tille nga kontrollet e ushtruarq, subjektet (klinika, etj) janë ri-paisur me Leje “të re” Higjeno-Sanitare. Për çdo rast kontrollet, sipas programimeve, janë të përmuajshme dhe, për periudhën janar 2007- shtator 2008, nuk kanë rezultuar shkelje të dënueshme "me gjobë". Veç Inspektoratit Sanitar, këto subjekte për probleme të tjera (për rrezatimet, ndikimet ne mjedis, etj, përfshi edhe licencimin) kontrollohen edhe nga organe te tjera shtetërorë (psh edhe Inspektorati i Mjedisit).
Si paraqitet situata higjieno sanitare nëpër bare, restorante dhe pikat e tregtimit të mishit dhe produkteve të qumështit? Sa kontrolle janë ushtruar, kur dhe a janë konstatuar raste shkeljesh?
Edhe këto subjekte (bar-restorante-lokale tregtimi mishi dhe produkteve të qumështit) kontrollohen në vazhdimësi nga Inspektorati Sanitar, pajisen me Leje Higjieno-Sanitare, por kontrollohen dhe pajisen me lejet përkatëse edhe nga organe të tjera: Inspektoratet e Ushqimi, Mjedisit, Veterinar (kryesisht subjektet e Mishit), etj (gjithnjë ne vartësi edhe të aktivitetit përkatës). Çdo muaj, nga inspektorët sanitarë të Tiranës, kontrollohen pothuaj të gjitha, sipas zonave të inspektimit të çdo grupi inspektoresh, rreth 1000 kontrolle/muaj për këto lloj subjektesh. Sidomos në "sezonin e nxehtë" të 2008 janë kontrolluar, qe nga muaji Maj ’08, tërë subjektet e prodhim akullore, pastiçerie, të ujit të ambalazhuar, mish & qumësht, etj. Kështu, për subjektet e prodhim/tregtim akullore janë bërë analiza për gjithsecilin prej tyre (rreth 30 të tillë), duke bërë bllokimet provizore (4 subjekte të tillë) dhe gjobitur (2 subjekte të tilla); kontrolli intensiv ka përfshirë edhe subjektet tregtuese të qumështit të ambalazhuar (që në Tiranë kryesisht vjen nga rrethet) dhe janë bllokuar & asgjësuar disa herë sasi qumështi që kanë rezultuar jo në rregull persa i përket ngarkesës bakteriale.
...