E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Denoncova vjedhjen e votave në Ruzhdie, më persekutuan e më lanë pa punë

Foto0620Murat Zazaj sot është pa punë. Mësuesi i shkollës 9-vjeçare të  komunës së Ruzhdies, prej vitesh përndiqet duke u transferuar në zonat më të largëta të qytetit të Fierit. Gjithçka ka nisur në vitin 2009, pas zgjedhjeve parlamentare, ku mësuesi duket se ka dhënë jo pak kontribut në denoncimin e vjedhjeve në këtë komunë nga Partia Demokratike. Murat Zazaj, krahas profesionit të tij që e ushtron prej vitesh, është dhe përfaqësuesi i opozitës në këtë komunë, dhe sa rrëfen ai, duket se historia e përndjekjes së tij, fillimisht me transferim e më pas me pushim nga puna pa një motiv të qartë, lidhet me bindjet dhe me qëndrimin e tij  gjatë zgjedhjeve parlamentare, ku komuna Ruzhdie u identifikua si një zonë problematike.

Zoti Zazaj, ju jeni transferuar disa herë gjatë këtyre tre viteve, a mund të më tregoni si ka ndodhur?

Gjatë gjithë kohës kam punuar si mësues pranë shkollës 9-vjeçare Ruzhdie. Por me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 28 qershor 2009, më kanë transferuar nga kjo shkollë për shkak të një përplasjeje gjatë fushatës elektorale me kundërshtarët politikë, sepse mbaja dhe mbaj ende pozicionin e kryetarit të PS-së për Komunën Ruzhdie. Fill pas kësaj, dhe me fillimin e vitit shkollor 2009-2010, më jepet një urdhër vendimi për lëvizje-transferimi për të kaluar nga shkolla 9-vjeçare Ruzhdie për në shkollën 9-vjeçare Drenie, e cila ndodhej mjaft larg fshatit tim. Për të arritur në shkollën e Drenies më duhej të udhëtoja nëpër baltë tre orë vajtje- ardhje.

Nuk vonoi shumë dhe pikërisht më datë 5 prill 2010 më jepet një urdhër tjetër vendimi për lëvizje-transferimi për të kaluar nga shkolla 9-vjeçare Drenie për në shkollën 9-vjeçare Pishë, në kufi me rrethin e Vlorës. Në këtë kohë, për të arritur në vendin e ri të punës dhe për tu kthyer në shtëpi më kushtonte 1700 lekë të reja çdo ditë. Më datë 2 shtator 2010 me vjen një  tjetër urdhër transferimi për të kaluar në shkollën 9-vjeçare Alush Grepcka në Roskovec. Mendova se gjithçka do të përfundonte këtu. Por me fillimin e vitit të ri shkollor 2012-2013, filluan përsëri tratativat për të më lëvizur. Më datë 18 nëntor 2012, drejtori i shkollës në Roskovec më komunikoi një urdhër me gojë, që sipas tij unë duhej të lëvizja nga shkolla Alush Grepscka në Roskovec në shkollën 9-vjeçare Vlosh, që ndodhet në një zonë që nuk ka infrastrukturë rrugore, por përshkohet vetëm në këmbë 4 deri në 5 orë vajtje- ardhje. Pas shumë kërcënimesh dhe presionesh të vazhdueshme për gati një muaj rresht, urdhri me gojë u bë fakt i kryer dhe pikërisht me datë 15 nëntor 2012 mu dha një urdhër vendimi për lëvizje-transferimi për në shkollën e Vloshit. Por kjo shkresë nuk është në përputhje me gjeneralitetin që unë mbaj, Murat Zazaj, por përmban emrin Murat Laze, si dhe nuk është e konfirmuar nga shefi i burimeve njerëzore. Ky fakt më ka shtyrë që unë të mos e pranoj këtë transferim dhe jam paraqitur në punë në shkollën 9-vjeçare Alush Grebcka, pavarësisht se nuk jam pranuar nga drejtori i shkollës.

Z. Zazaj a jeni ankuar për këto lëvizje  në Drejtorinë Arsimore të rrethit, meqenëse ju ngrini pretendimin se janë të motivuara politikisht?

Jam ankuar dhe drejtuesit e Drejtorisë Arsimore më thonë se nuk kishin çfarë të bënin. Kishin urdhra nga lart për transferimin tim.

U jeni drejtuar institucioneve të drejtësisë në mënyrë që të kundërshtoni qoftë dhe vendimin më të fundit të transferimit, meqenëse dhe urdhri ka gabime, si dhe ju thoni?

I jam drejtuar gjykatës  të rrethit të Fierit me një padi civile, ku kërkoj anulimin e transferimit tim nga Roskoveci në Vlosh, por seancat janë shtyrë dhe nuk është dhënë ende ndonjë vendim. Gjithashtu, i jam drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit, që më ka kthyer edhe përgjigje.

Çfarë thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit?

Aty thuhet se Avokati i Popullit ka kontaktuar me drejtorinë Arsimore të rrethit të Fierit, prej nga është informuar se jam në marrëdhënie pune në shkollën 9-vjeçare Vlosh dhe se argumentet e transferimit tim do të jepen gjatë procesit gjyqësor./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›