INTERVISTA E PLOTE/ Ambasadori danez: Shkalla e lirisë për Shqipërinë po zvogëlohet me shpejtësi
“Shqipëria ka shumë pak kohë të mbledhë mendjen, nëse e do një të ardhme europiane, apo, për të qenë shumë i drejtpërdrejtë, nëse do që të kthehet në një lloj forme izolimi si më parë. Populli shqiptar duhet të jetë jashtëzakonisht i papërmbajtur në favor të së parës. Nëse edhe pushtetet e duan këtë, mbetet për tu parë”
Nga Skënder Minxhozi
Zoti ambasador, ritakohemi pas dy intervistave të para në revistën Mapo, në faqet e revistës Java. Kemi pasur mjaft reagime pas botimit të atyre intervistave, të cilat janë rimarrë edhe nga mediat e tjera në vend. Cili ka qenë, sipas jush, motivi i kësaj jehone?
Përveçse u thanë nga një ambasador, nuk e besoj se përmbajtja e intervistave çuditi ndonjë, por, ndonjëherë, ta shprehësh me fjalë dhe ta thuash me zë të lartë atë, që shumë e mendojnë, apo bisedojnë privatisht, mund të jetë një zbulim. Dhe jam i gëzuar që pati jehonë. E ndjeva se të flasësh hapur është e rëndësishme për të ndihmuar politikën të kthehet në udhën e duhur. Shqipëria është një vend Europian. Shqiptarët janë Europianë. Europa nuk mund të jetë kurrë e plotë pa Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Nga sa thashë, Shqipëria, është sigurisht e lirë të zgjedhë kursin e saj, sikurse e ka bërë në të kaluarën. Siç e kam theksuar shumë herë më parë, kam besimin e patundur, që populli shqiptar, punëtor dhe i palodhur, në fund të fundit ka atë që i duhet, për të arritur begatinë, aq më tepër me potencialin e vet të fuqishëm. Por dora e ndihmës së BE-së, e shteteve të saj anëtare dhe e të tjerëve, mund ta vendosë Shqipërinë në një rrugë të shpejtë drejt një të ardhmeje më të mirë. Mendoj se kjo është ajo çka populli shqiptar dëshiron, dhe e meriton.
Vendi juaj sapo ka marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Cilat janë prioritetet e Danimarkës gjatë kësaj presidence?
Përpara së gjithash, t’i paraprijë nxjerrjes së Europës nga kriza financiare; të gjejë zgjidhje; të gjejë mënyrat për të shmangur një krizë tjetër, duke promovuar një Europë ekonomikisht më të përgjegjëshme dhe më dinamike. Do të fokusohemi në bërjen e Europës një vend më të gjelbëruar dhe më të sigurtë për të jetuar. Mendoj se këto do të jenë shumica e titujve kryesorë në media. Por, kjo është vetëm në sipërfaqe, se pas skenës ka shumë elemente të thjeshtë, që janë të domosdoshëm për t’u plotësuar e që në fakt, përbëjnë të shumtën e punës. Shumë do të bëhet për të siguruar që Traktati i ri i Lisbonës të marrë jetë në punën e përditshme të BE-së. Presidenca Daneze, nuk do të jetë një ekspozim blic dhe ndjekje e interesave daneze. Do të jetë relativisht modeste, por e pandalshme, duke u fokusuar në përkujdesjen ndaj interesit të përbashkët për të ardhmen e Europës dhe brezave që vijnë. Ashtu siç tha Ministri im kohët e fundit, ndërsa i referohej një titulli të një kënge të vjetër: Danimarka dëshiron të jetë Ura mbi Ujërat e Trazuara
Çfarë Europe gjen sot presidenca juaj? A përbën kriza e thellë financiare e Unionit një faktor nxitës apo pengues për presidencën daneze?
Në danisht kemi një thënie të vjetër: Është e vështirë të parashikosh, veçanërisht, të ardhmen. Përveç krizës financiare, mendoj se kemi një sfidë të madhe fiziologjike, për të ndihmuar në kapërcimin e krizës së ekzistencës dhe të ndarjes brenda BE-së. Askush nuk duhet të nënvleftësojë ndarjet e krijuara nga pakujdesia në financa e disave dhe efektet anësore të kufizuara, por shumë të dukshme, të zgjerimit të bërë së fundmi, të paktën jo për popullsitë Europiane që ndeshin vështirësi ekonomike dhe krime në rritje.
Nga ana tjetër askush nuk duhet të nënvleftësojë ngjitësin që e mban Europën të bashkuar. Mendoj se shumë e kuptojnë që ne do të ishim të gjithë në gjendje shumë më të keqe pa BE-në. Zgjidhja e problemeve nuk është të heqim dorë apo të shkatërrojmë atë që është arritur në të shkuarën. Por ta rregullojmë atë. Të ndërtojmë mbi të. Ky është programi ynë.
Ku qëndron Shqipëria dhe procesi i saj i integrimit, në presidencën daneze? Si e parashihni rolin tuaj diplomatik në Tiranë, në “kostumin” e ri të krye-europianit?
Roli i Presidencës, në BE ka ndryshuar rrënjësisht me Traktatin ende të ri të Lisbonës. Nga pikëpamja operative, tani, Presidenca luan një rol shumë më pak të spikatur. Megjithatë, procesi i zgjerimit është një fushë ku Presidenca vazhdon të luaj një rol kryesor. Kjo përgjegjësi është sigurisht e një rëndësie të veçantë për mua si Ambasador në Shqipëri, duke qenë se ky është një vend aplikant, dhe zgjerimin e kemi për zemër.
Danimarka ka qenë mes ithtarëve të parë të zgjerimit të NATO-s dhe të BE-së, si dhe një nga arkitektët e perspektivës së BE-së për Ballkanin. E di qysh në ato fillime, sepse edhe unë kam luajtur një rol në të. Që nga fillimi i viteve ’90 Danimarka vazhdimisht ka vijuar të mbështesë dhe investojë jashtëzakonisht për ta bërë Europën e Re një vend më të sigurtë për brezat e ardhshëm dhe për veten tonë.
Por, ashtu si Shqipëria, edhe Danimarka është një vend i vogël. Ne mund të mos jemi kurrë në gjendje të mburremi me shifra absolute. Megjithatë, kontributi danez për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan – në financime, burime, jetë njerëzish të humbura është mes më të lartave të cilitdo komb. Pra, ne kemi një interes konkret për ta bërë perspektivën e BE-së një realitet, për Shqipërinë, për Kosovën e për gjithë Ballkanin.
Për ta përmbledhur, përgjigjja ndaj pyetjes tuaj se cila do të jetë detyra ime kryesore gjatë Presidencës tonë është shumë e thjeshtë. Do të bëja çfarëdo që të mundesha për të ndihmuar shqiptarët në Shqipëri e Kosovë të përparojnë më tej drejt anëtarësimit në BE.
Fatkeqësisht, politika në Shqipëri është njollosur nga kaq shumë keqinformim dhe propagandë politike, saqë është vështirë të çuditesh me ata të cilët ngatërrohen se çfarë është lart a poshtë, përpara a prapa, e vërtetë apo e gënjeshtërt. Besoj që ndërkombëtarët duhet të ndihmojnë të shpërndajnë mjegullën, dhe shpjegojnë sfidat sa më qartë dhe sinqerisht që të jetë e mundur. Kjo është ajo çka unë përpiqem të bëj, edhe me këtë intervistë.
Në fund të presidencës daneze do të zgjidhet kreu i ri i shtetit shqiptar. Mandati i presidentit ka qenë i turbulluar nga një konflikt i gjatë dhe i ashpër me institucionet e tjera, përkatësisht qeverinë dhe parlamentin. Sa e ka dëmtuar kjo në sytë e Brukselit, imazhin dhe perspektivën e Shqipërisë në BE?
Ju ngrini një pyetje thelbësore. Ajo çka është me të vërtetë në rrezik, anashkalohet në shumë debate politike.
Unë mendoj se vetëm zgjedhjet demokratike nuk e sigurojnë demokracinë, sepse shumë nga diktatorët erdhën në pushtet nga kutia e votimit. Ja përse institucionet janë kaq jetësore për një shoqëri demokratike. Institucionet, jo politikanët, janë mburoja të demokracisë nga etja e politikanëve për p
