Rama: Po afrohet 21 Janari, vrasësit enden të lirë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur dhe një herë pakënaqësinë në prag të 1 vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit. Në faqen e tij zyrtare është shprehur se teksa po afrohet 21 Janari, vrasësit vazhdojnë të enden të lirë. Ndër të tjera Rama shkruan:
“...tek po mbushet viti i vrasjeve të 21 janarit vrasësit enden të lirë, urdhëruesit e vrasjeve qeverisin familjet e vrarëve pyesin të dëshpëruar kur do të vendoset drejtësia, për vrasjen e njerëzve të tyre, prokuroria endet në labirintin e provave të manipuluara dhe gjurmëve të fshira, opozita ngulmon tek domosdoshmëria e drejtësisë, ndërkombëtarët presin në heshtje rezultatet e një hetimi që pa qëndrimin pa ekuivok të botës demokratike ndaj masakrës së 21 janarit nuk do të çojë askund deri kur janarët t’i gjejnë në pushtet ata që urdhëruan vrasjet, të cilët pushtetin gjyqësor e kanë kthyer në varrmihësin e krimeve të tyre”.
Ashtu si kartolina e fundvitit kryetari i Partisë Socialiste ka zgjedhur që edhe këtë herë të komunikojë me publikun më anë të imazheve duke vendosur një pikturë të artistit Gerhard Ritcher, e cila është ekspozuar në Londër këto ditë. Në pikturë duken pamjet e një burri të vrarë, i cili gjendet i shtrirë në tokë dhe i gjakosur.