E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA E PLOTE/ Ambasadori danez: Vendi është drejt humnerës. Pyetja që shtrohet është se a mund ta çojnë kriminelët vendin drejt BE-së?

Share

Bisedoi: Skënder Minxhozi

Revista JAVA

Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, zbrazet në intervistën e fundit përpara largimit nga Shqipëria. Shprehet i tronditur se korrupsioni është në rritje nga viti në vit. Shton se politika shqiptare nuk ndryshon fytyrë prej 20 vitesh. Deklaron se nuk ka zgjedhje të ligjshme me këtë KQZ dhe habitet se si ka mundësi që Ristani nuk dha dorëheqje pas raportit të ODIHR për zgjedhjet lokale. Deklaron se shanset për marrjen e statusit kandidat për në BE janë të pakta dhe thotë se pyetja që ngrihet është se a mund ta çojnë kriminelët vendin drejt BE.

Pyetja që nuk e dëgjoj ta bëjë askush, por të cilën votuesit shqiptarë dhe analistët politikë me të vërtetë duhet të kishin filluar ta drejtonin prej kohësh është kjo: A ka ndonjë mundësi që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së? Përsëri, po tregohem ekstremisht i drejtpërdrejtë, por mendoj se këto duhen thënë.

Ambasadori thotë se është për hapjen e dosjeve dhe thotë se Sa jetik është kufizimi i korrupsionit, po aq jetik është fshirja e gjurmës së Enver Hoxhës nga manuali i politikës shqiptare. Jo vetëm për perspektivën e Shqipërisë në BE, por edhe për të ardhmen e demokracisë shqiptare dhe rritjes së vazhdueshme ekonomike të vendit.

Shpreh tronditjen e tij për mënyrën se si veproi Basha me Sheshin Skënderbej dhe deklaron se gjendja e mjedisit është alarmante. Ambasadori thotë se politikanët këtu krenohen me pasuritë e tyre të paligjshme dhe në fund jep alarmin për gjendjen ekonomike në vend.

Tani pasuritë e shqiptarëve po shterojnë. Dhuratat janë më të pakta e më të vogla. Ekonomia publike, e cila virtualisht ishte pa borxhe, kur unë mbërrita 4 vite të shkuara, tashmë është mes vendeve të rajonit që janë të zhytur në borxhe. Arka e shtetit po boshatiset dhe Shqipëria duhet t’i drejtohet vendeve shumë të largëta për të kërkuar kredi dhe grante. Duke e vazhduar politikën e vjetër, vetëm sa shpejtohet një prirje e cila ka marrë shpejtësi vitet e fundit. Fatkeqësisht populli shqiptar do të jetë ai që do të vuajë i pari dhe më shumë pasojat. Shumica e shqiptarëve tashmë i ndjejnë vështirësitë e kohëve të ndryshuara.

Më troç nuk thuhen gjërat.

Zoti ambasador, po largoheni nga Shqipëria pas një qëndrimi të gjatë. Me çfarë përshtypjesh largoheni? Si e prisni postin e ri diplomatik në një realitet kaq të largët dhe të ndryshëm, si Kina?

Transferimi drejt një vendi tjetër është një fakt në jetën e një diplomati. Por, jam i trishtuar që më duhet të largohem nga Shqipëria dhe populli i saj, sepse për Shqipërinë e shqiptarët ndjej një dashuri të thellë. Vetë ju jeni pasuria më e madhe e këtij vendi. Nuk jam ndjerë kurrë në ndonjë vend tjetër, më i mirëpritur se këtu. Mikpritja dhe miqësia që më janë ofruar kanë qenë të jashtëzakonshme. Shumë pak shqiptarë kam takuar, të cilët mund të mos i kem pëlqyer menjëherë. Ishte një zbulim për mua ardhja këtu dhe për katër vite të përjetoja këtë vend dhe popull fantastik, i cili për pjesën më të madhe të jetës time ka qenë një xhevahir i fshehur i Evropës. Me të vërtetë besoj se shqiptarët kanë shumë se çfarë t’u mësojnë miqve të tyre evropianë, në fakt edhe gjithë botës, rreth mikpritjes, harmonisë fetare, tolerancës, dhe punës së palodhur. Evropa ka nevojë për rolin e mençur dhe konstruktiv të Shqipërisë në këtë pjesë të trazuar të kontinentit. Më vjen jashtëzakonisht keq që nuk munda ta mësoj kurrë gjuhën shqipe, por mësova fjalën e saj më të rëndësishme: Faleminderit. Nëse ka diçka që dua t’u them shqiptarëve tani që do të largohem, është: Faleminderit!

Gjithashtu, më ka bërë me të vërtetë përshtypje ritmi i shpejtë i ndryshimeve këtu. Shqipëria ku unë erdha është krejtësisht e ndryshme nga Shqipëria nga e cila po largohem. Duke parë se çfarë mund të arrijë zgjuarsia dhe vendosmëria shqiptare, të kombinuara me punën e pabesueshme e të palodhur, u bëra optimist për të ardhmen e këtij kombi.

Por, edhe e kam kuptuar që potenciali i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, është sakrifikuar vazhdimisht nga politika jofunksionale, aq shumë sa kjo e fundit rrezikon të zhdukë edhe perspektivat evropiane të Shqipërisë për të ardhmen e afërt, madje edhe potencialin e saj ekonomik, nëse  nuk do të ndodhin shpejt ndryshime themelore dramatike. Populli shqiptar duhet të thotë me vendosmëri: MJAFT!, te kutia e votimit që ato të ndodhin.

Përsa i takon emërimit tim në Kinë, shumë sinqerisht, nuk kam pasur kohë ta mendoj apo të përgatitem. Por vajtja atje ishte një dëshirë personale, tani që më duhet të largohem nga Shqipëria. Më duket tërheqëse të kem mundësi të jem i pranishëm në një nga qendrat më të rëndësishme të rendit të ri botëror dhe shkoj në një vend, i cili me mënyra të jashtëzakonshme ka qenë në gjendje të ecë me hov e në një kohë rekord, drejt së ardhmes, duke i luajtur kartat siç duhet. Por Shqipëria dhe shqiptarët gjithmonë do të kenë një vend të veçantë në zemrën time.

Intervista juaj e fundit në Java (7 janar 2012), ka shkaktuar një valë të gjerë reagimesh në opinionin publik. Interes kanë ngjallur edhe deklarime, intervista apo fjalime të tjera tuajat. A mund të na thoni me sinqeritet, në fund të eksperiencës tuaj në Shqipëri, përse ambasadori Karsten ishte kaq i veçante në komunitetin diplomatik në Tiranë?

Realisht nuk më takon mua të gjykoj, por sigurisht që nëse zgjidhni të flisni publikisht rreth diçkaje për të cilën shumica flasin vetëm privatisht, atëherë mundet që dikush të zemërohet e ca të tjerëve t’u vijë hidhur. Por mendoj se ne, ndërkombëtarët, kemi një përgjegjësi morale dhe politike për të ndihmuar shqiptarët në përmbushjen e dëshirës së tyre për t’iu ribashkuar Evropës. Askush nuk e do dhe nuk e meriton më shumë atë. Askujt nuk i janë mohuar vazhdimisht mundësitë, si shqiptarëve. Më ka udhëhequr besimi se mënyra më e mirë për të ndihmuar është ta themi të vërtetën ashtu siç është dhe në një formë që njerëzit ta kuptojnë. Në fund të fundit, janë shqiptarët ata që vendosin për të ardhmen e tyre, prandaj duhet të jenë të informuar për sfidat.

Nëse ne, për tu dukur të sjellshëm, përdorim në publik një gjuhë ku gjembaçët quhen trëndafila, dështimet etiketohen suksese të pjesshme dhe mashtruesit, rastësisht mbështeten si liderë, atëherë si mund të presim që populli shqiptar ta kuptojë se çfarë duhet bërë ose jo, që vendi t’i bashkohet Evropës? Si mund të presim që populli shqiptar, i

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›