Trafiku i armëve, Ekrem Spahia: SHIU është vlerësuar ndërkombëtarisht
Ministria e Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, ardhur si pasoje e akuzave ndaj tij dhe familjareve për përfshirje në trafik armësh, raporton Vizion Plus.
Pavarësisht këmbënguljes se gazetareve për një reagim, numri dy i këtij institucioni, Ekrem Spahia, ka preferuar të deklarojë se SHIU është vlerësuar ndërkombëtarisht, pa prekur vendimin e Zylës. Spahia ftoi opozitën të ngrejë një komision parlamentar, duke shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për një hetim të thelluar në lidhje me akuzat për tregti të paligjshme armesh. Kjo deklaratë e Spahisë vjen në një kohë kur drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes akuzohen nga Partia Socialiste se janë implikuar në trafik armesh. Megjithatë pavarësisht kësaj situate, zv/ministri Ekrem Spahia foli për suksesin sipas tij në fushën e demontimit të armeve me përfundimin e asgjësimit te tyre në poligone dhe përmbylljen e të gjithë procesit në vitin 2013.