E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Grossman: Jeta si izraelit është një jetë me frikë

Share

David Grossman është njëri nga emrat më imponues të letërsisë së sotme bashkëkohore. Izraelit, kandidat për Nobel, aktivist i shquar i paqes në vendin e tij, babai i një djali vrarë në luftën me Libanin, 6 vjet më parë. Ai tregon në Shqip tmerret e luftës së pritshme mes Izraelit dhe Iranit.

Bisedoi: Rudina Xhunga

Vetëm kush nuk ka dëgjuar lajmet e fundit buzëqesh, thotë Bertold Breht. Lajmet e fundit janë që në Izraeli do të ketë luftë, luftë me Iranin. E afërt kjo?

Kjo është një gjë që unë nuk e di. Unë di që do të isha i lumtur nëse Irani nuk do të kishte armë bërthamore, duke qenë se në krye të tij ndodhet një njeri i rrezikshëm, i cili e ka thënë hapur që dëshiron ta zhdukë Izraelin. Po unë di gjithashtu që rruga për të luftuar Iranin nuk është kjo, nuk është rruga ushtarake. Rruga për të luftuar Iranin, sipas meje, do të duhej të ishte rruga e sanksioneve, bllokadës ekonomike, e cila, ndoshta në fund, shpresoj do ta detyrojnë Iranin të heqë dorë nga programi bërthamor. Por nëse do të ketë luftë, do të jetë fatkeqësi për Iranin, do të jetë fatkeqësi për Izraelin dhe për gjithë Lindjen e Mesme. Nëse do të ketë luftë, do të lëndohen dhjetëra mijëra njerëz. Askush nuk dëshiron të shohë Iranin bërthamor, por në rast se Irani do të arrijë të zotërojë më në fund armën bërthamore, Izraeli me dhimbje të madhe dhe me shqetësim të madh, do të duhet ta pranojë këtë. Atëherë do të krijohet një balancë e frikshme midis nesh dhe Iranit. Unë shpresoj që bota do të bëjë të pamundurën për të mënjanuar luftën dhe për të penguar Iranin bërthamor, para se kjo të ndodhë.

Megjithatë vendimi për luftën do të jetë në dorë të Izraelit. Kush në Izrael do të vendosë për këtë luftë?

Në radhë të parë unë nuk jam i sigurt që ti ke të drejtë. Ka shumë mundësi që ky vendim të merret nga Amerika. Presidenti Obama këto ditë tha që të gjitha mundësitë janë të shpalosura mbi tavolinë dhe midis tyre edhe rruga ushtarake. Unë kam dëgjuar edhe Hilari Klinton dhe Leon Panetën që janë shprehur në të njëjtën mënyrë. Nga ana tjetër është e vërtetë që Izraeli dhe udhëheqësit e saj i rezervojnë vetes mundësinë për t`ju përgjigjur Iranit për vetëmbrojtje. Nga këndvështrimi im do të ishte gabim nëse Izraeli do ishte i pari që do të sulmonte, edhe për çmimin e lartë që Izraeli do duhet të paguante, por edhe për shkakun se ne ndoshta kemi mundësinë të shkatërrojmë strukturën bërthamore të Iranit, por jo njohuritë e tij. Por edhe për arsyen se ndoshta kjo do largojë mundësinë për paqe në këtë zonë midis Izraelit dhe Shteteve të tjera Arabe. Për shkak të gjithë këtyre arsyeve unë prapë them se duhet të jetë bota që ta ndalojë Iranin, jo Izraeli. Është së pari në interes të gjithë botës. Irani bërthamor është një shtet i rrezikshëm për mbarë botën, jo vetëm për Izraelin.

 

Po kjo luftë çfarë do të thotë për botën, nëse do të ketë luftë, çfarë do ti shkaktojë ajo botës, në këtë çast, në këtë vit, në këtë kohë?

Është shumë e vështirë për mua të filloj të përshkruaj se çfarë shkatërrimi do të jetë këtu në Izrael dhe atje në Iran. Të dyja këto shtete, Izraeli dhe Irani janë superfuqi në fushën ushtarake, me një fuqi shkatërrimi të paimagjinueshme. Unë mendoj që kjo do të sjellë lëkundje të fuqishme edhe në Shtetet Arabe pranë nesh. Këto janë gjëra që ne i dimë si fillojnë por skemi as më të voglën ide sesi mund të rrokullisen dhe përfundojnë. Unë do them edhe një gjë; ka në Iran një shtresë të mesme shumë të madhe, laike, të ditur, të arsimuar, shumë më pak fondamentaliste se udhëheqësit e saj. Besoj se një ditë, në të ardhmen e largët, kjo shtresë e mesme nga e cila dolën dhe njerëzit që u ngritën kundër Ahmadinexhadit para 2 vjetësh, kjo shtresë e mesme mund të bëhet partnere e Izraelit, aleate e tij. Nëse Izraeli do ta sulmojë Iranin nuk do ta kemi më këtë shtresë të mesme për partneritet në të ardhmen.

 

A ndihet një erë lufte në Izrael? A janë gati për luftën, izraelitët?

Ka gjithë kohën biseda mbi luftën. Ti hap radion dhe dëgjon vetëm për luftën. Dhe në mënyrë të çuditshme nuk ka lëvizje të gjerë izraelite që ti thotë qeverisë që të mos sulmojë Iranin. Megjithëse Izraeli është vend demokratik, pothuajse nuk gjen artikuj nëpër gazeta, kundër sulmit ndaj Iranit dhe unë pyes veten pse ndodh kjo? Kjo ndodh për shkak se shumica e izraelitëve nuk i dinë të gjitha të dhënat. Ndoshta Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, dinë gjëra që qytetari i thjeshtë nuk i njeh dhe prandaj i lënë ata që të vendosin. Por ndoshta kjo ndodh edhe për shkak të shqetësimit të thellë nga Irani. Në Iran është një udhëheqës që thotë ta fshijmë Izraelin nga faqja e dheut dhe imagjinoni që ai të ketë edhe mundësinë bërthamore për ta bërë realitet këtë kërcënim. Ne izraelitët jemi një popull që ka kaluar trauma të genocidit jo shumë larg, as 66 vite larg, ndaj kemi tendencën ti marrim seriozisht këto kërcënime, pa nënvlerësuar asgjë. Po. Përgjigja ime për pyetjen që më bën, është po. Ka luftë në ajër, ka kërcënime nga të dyja palët. Unë shqetësohem shumë se edhe këto kërcënime kanë dinamikën e tyre. Dhe kush kërcënon: si Irani dhe Izraeli, në fund të fundit do ndihen të detyruar të bëjnë këto kërcënime dhe pa e kuptuar do ta gjejmë veten në luftë.

 

Megjithatë nuk ka njerëz që po ikin nga Izraeli, nuk ka njerëz që po e lënë Izraelin, tani, ndërsa flasim.

Për shkak të gjendjes aktuale? Jo, jo. Edhe në periudha më të vështira nga ana e sigurisë, gjatë viteve të fundit, kanë qenë të paktë izraelitët që janë larguar nga Izraeli, duhet të them. Njerëzit e braktisin Izraelin për arsye ekonomike, largohen nga Izraeli pasi duan të mësojnë nëpër Universitet e botës, por njerëzit nuk do ta braktisin atë për shkak të kërcënimit iranian. Duhet të na kuptosh ne, për të kuptuar çfarë po them. Kjo ka lidhje me diçka mjaft të thellë, me dëshirën që kanë izraelitët për shtëpinë e tyre, me ndjenjën që nuk kanë shtëpi në një vend tjetër, me bindjen që ne jemi një popull që dimë të jetojmë me ndjesinë e luftës. Unë mund të kujtoj që para 5 vjet e gjysmë, kur ishte lufta e dytë me Libanin dhe libanezët bombardonin Galilin, njerëzit i lanë shtëpitë e tyre dhe shkuan në vende më të sigurta. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë Luftës së Gjirit Persik në 91, kur Tel-Avivi pothuajse u boshatis për tu mbrojtur nga raketat që lëshonte Sadam Huseini. Izraelitët lanë shtëpitë për tu mbrojtur, por nuk u larguan nga atdheu. Nuk e lanë atdheun dhe kjo është shumë interesante.

 

Çdo të thotë të jesh qytetar hebre, qytetar i një vendi gjithmonë në pritje të një lufte?

Jeta si izraelit është një jetë që në fund të fundit nuk është normale. Kjo është një jetë me frikë. Një jetë me ndjesinë që e ardhmja jote dhe e njerëzve të tu të shtrenjtë nuk është asnjëherë e sigurt. Unë mendoj që të jetosh gjithë jetën, prej 3-4 brezave, me shqetësim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›