E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Hysi: Mazhoranca me mentalitet monist, urren opozitën

Share

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, komenton progres-raportin e fundit të BE-së duke e parë atë si realist dhe një shuplakë të fortë për qeverinë dhe gjithashtu si një mësim për opozitën për të qenë më shumë llogari-kërkuese ndaj ekzekutivit në Kuvend. Ndërsa strategjinë e mazhorancës për të fajësuar për humbjen e statusit opozitën e cila nuk dha votat e saj për ligjet e reformave Hysi e quan një mentalitet monist të vjetër që synon të neutralizojë opozitën. Ndërkohë paktin e ofruar nga ana e PS-së, deputetja socialiste e sheh akoma si një mundësi të mirë për të nisur dialogun dhe për të bashkëpunuar. Sipas saj asnjë kërkesë e bërë aty nuk është jashtë detyrimeve që vendi ka ndaj integrimit.

Zonja Hysi, Brukseli nuk rekomandoi marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë për herë të dytë radhazi duke shënuar kështu një rekord në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Si e konsideroni progres-raportin e BE-së për vitin 2011, ku në dhjetëra faqe adresohej qartë dhe me argumente problematika e vendit tonë?

Raporti është objektiv dhe gjithëpërfshirës. Ai analizon reformat ligjore, institucionale, funksionimin e institucioneve, efektivitetin e tyre dhe shkallës e realizimit të objektivave që qeveria shqiptare i ka vënë vetes në secilën prej fushave të zhvillimit të vendit. Raporti i BE analizon progresin e bërë nga Shqipëria gjatë një viti, që nga dita kur është publikuar opinioni i mëparshëm i këtij institucioni europian. Në raportin e Tetorit 2010, BE i rekomandoi Shqipërisë mes të tjera, 12 çështje prioritare që duhej të përmbusheshin për të marrë një përgjigje pozitive lidhur me statusin e vendit kandidat. Në fakt, sikurse të gjithë jemi dëshmitarë dhe vetë raporti nënvizon, Shqipëria mbeti në klasë për herë të dytë. Asnjë nga detyrat e lëna nuk u përmbushën dhe në fushat e tjera të trajtuara në raport ka patur shumë pak ose aspak progres.

Në pjesën më të madhe të raportit vihet në pah si progres përgatitja e disa projektligjeve, por shumë prej tyre nuk janë miratuar pasi nuk kanë ardhur ende në parlament dhe shumë detyra të tjera janë të papërfunduara. Si shembull, mund të përmend një ndër prioritetet që adreson Raporti: reforma administrative. Raporti përmend disa nisma ligjore të qeverisë për amendimin e ligjit për shërbimin civil ose projekte fillestare të ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës publike. Këto projekte nuk janë bërë publike, nuk janë hedhur në diskutim në publik që të mundësojnë pjesëmarrjen e gjerë të ekspertëve dhe profesionistëve jashtë administratës publike në diskutimin e tyre. Këta të fundit janë të shumtë dhe shumë prej tyre më të zotë se një pjesë e atyre militantëve që kanë mbushur radhët e administratës publike sot.

Shumë nga këto nisma nuk kanë ardhur ende në parlament. Megjithatë, Qeveria justifikohet se opozita nuk voton ligjet me 3/5 dhe nuk thotë se asnjë nga ligjet që  realizon reformimin e administratës publike, depolitizimin e saj, vënien e administratës në shërbimit të publikut nuk i ka sjellë në parlament se nuk i intereson, ose edhe kur i sjell, ato nuk i janë nënshtruar një diskutimi të gjerë, por përgatiten nga një grup i ngushtë  dhe i njëjtë personash. Edhe kur ftohen grupet e interesit ato dëgjohen për të thënë se procesi është transparent, por shumica e mendimeve të tyre nuk merret në konsideratë. Shumica e ligjeve vijnë në Kuvend në momentin e fundit dhe ligjbërësve nuk i jepet koha e mjaftueshme ti diskutojnë ato.

Ky është një shembull për të ilustruar sesa keq funksionon procesi u bërjes së ligjeve në vendin tonë dhe që padyshim fajtore është qeveria që merr nismën dhe më pas parlamenti që me forcën e kartonit të mazhorancës kalon ligje të hartuar keq, që nuk i qëndrojnë kohës dhe që ndryshojnë brenda një harku kohor të shkurtër nga miratimi i tyre ose që nuk zbatohen fare.

Ky raport është një shuplakë e rëndë për qeverinë, por edhe një mësim për opozitën e cila ka një rol të madh si pakicë për të ushtruar kontroll të fortë parlamentar dhe të përdorë gjerësisht të gjitha mekanizmat që i njeh ligji. Them opozita, pasi mazhoranca parlamentare është bërë njësh me pushtetit dhe nuk arrin të ushtrojë rolin e saj për të kontrolluar pushtetit ekzekutiv. Por që opozita të luajë rolin e saj kushtetues duhet të demokracia parlamentare të funksionojë. Jo rastësisht, BE e ka renditur demokracinë parlamentare si detyrën e parë që duhet të përmbushet për të marrë statusin e vendit kandidat.

Muaj përpara dhënies së opinionit nga Brukseli qeveritarët aktualë po fajësonin opozitën për këtë përgjigje negative. Fajësimi bëhet për bojkotin e gjatë të Kuvendit dhe më pas për mosdhënien e votave për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ju çfarë përgjigje keni për këtë akuzë?

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i sistemit, mentaliteti monist vazhdon të ekzistojë në mendjen e një pjesë të mazhorancës dhe drejtuesve të saj. Sikurse partia shtet në kohën e diktaturës që, për dështimet e sistemit të asaj kohe dhe paaftësinë e saj, zbulonte herë pas herë armiq të popullit, antishqiptarë, revizionistë ose fajësonte armikun e klasës (lexo të pushtetit), edhe kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit dhe ministria e Integrimit dhe shumë të tjerë në korr, fajësojnë opozitën dhe sipas tyre armiku më i madh i integrimit është z. Rama!! A e kuptoni sesa të vogël dhe e papërgjegjshme është kjo mazhorancë?!

Shqiptarët janë të lodhur me akuza, ndaj sot në përgjigje të akuzave që i bëhen opozitës dua të risjell disa fakte që i përmend raporti. Shërbimi civil vuan nga mungesa e respektimit të parimit të meritokracisë në procedurat e rekrutimit, politizimi i administratës, mungesë progresi lidhur me pavarësinë e gjyqësorit (mos harrojnë që shumë shqiptarë për hallet e tyre trokasin në dyert e gjyqësorit). Lufta kundër korrupsionit, mosdënimi i funksionarëve të korruptuar, çështja e pronës e pazgjidhur, kujdesi i pamjaftueshëm për njerëzit me aftësi të kufizuar, mosbërja e reformës zgjedhore dhe parlamentare janë detyra që duhet ti përmbushë mazhoranca.

Pa dyshim, opozita luan rol rë rëndësishëm, kur nisma që adresojnë zgjidhje të problemeve të tilla vijnë në Parlament ose me iniciativën e saj. Mënyra sesi funksionin parlamenti tregon se kjo mazhorancë nuk skuqet dhe as turpërohet dhe jo të ndjejë përgjegjësi për gabimet që bën, për vjedhjet dhe shpërdorimit e pasurisë publike, për monopolet që krijohen nga njerëz me pushtet ose të lidhur me pushtetin.

Mendoni se opozita i ka luajtur të gjitha gurët dhe ka ofruar të gjitha mundësitë e saj në mënyrë që procesi i integrimit të mos ngecte siç po ndodh realisht. Nëse jo, çfarë mund të bëjë ajo më shumë?

Sikurse e thashë edhe më lart, opozita luan rol të rëndësishëm në kontrollin e pushtetit ekzekutiv mes disa instrumenteve parlamentarë. Opozita ka luajtur disa gurë, madje njërin prej tyre fill pas marrjes së përgjigjes së parë negative vitin e kaluar. Në një seancë të gjatë, maratonë në parlament, opozita i adresoi Kuvendit një dokument- rezolutë që p

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›