Ministria e Financave hedh poshtë shpifjet dhe trillimet e deputetëve të opozitës
FMN, partneri më serioz i qeverisë shqiptare, reagimet e opozitës, thjesht shpifje Ministria e Financave ka reaguar dje pas deklaratës së nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, duke vënë në dukje se shpifja, trillimi dhe xhelozia janë baza e vetme e deklaratës së përfaqësuesit të opozitës. Sipas njoftimit për shtyp, theksohet se qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave kanë përmbyllur një nga raundet më të suksesshme të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar, negociata që konkluduan rishikimin tejet të suksesshëm të raundit të fundit të marrëveshjes PRGF-EFF dhe konsultimet mbi projekt buxhetin e vitit 2009. “Ky projekt-buxhet në ndryshim nga ato që thuhen nga zyrtari i PS-së, është projekt-buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, është buxheti që akomodon dhe jep zgjidhjen për të gjitha problemet me të cilat ndeshet vendi, është projekt buxheti që realizon të gjitha premtimet e qeverisë për mandatin e saj dhe që me anë të kontigjencave të larta, krijon marzh të lartë sigurie për çdo të papritur që mund të ketë ekonomia shqiptare nga kriza botërore financiare”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Financave. Ndërkaq, zyrtarët e FMN-së, deklaruan se Shqipëria do të ketë rritjen absolutisht më të lartë të PBB-së në rajon dhe më gjerë, dhe asnjë inat, shpifje apo trillim i ardhur nga politika e re e kryetarit Rama nuk mund ta errësojë sadopak këtë realitet. Gjithashtu, ministria e Financave hedh poshtë me neveri shpifjet sipas të cilave FMN u përzu nga Shqipëria në vigjilje të zgjedhjeve me qëllim manipulimin e financave të shtetit dhe deklaron se Fondi Monetar Ndërkombëtar është dhe do mbetet një nga partnerët më seriozë të qeverisë shqiptare jo vetëm sot por edhe në të ardhmen. Një nga përfaqësuesit e PS-së, Erion Braçe, në vijim të tjerrjeve të manipulimeve dhe trillimeve, theksoi dje se qeveria shqiptare po përpiqet që të largojë FMN-në, në mënyrë që të manipulojë financat. ...