E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Ilir Beqja zbërthen programin e PS-së: Pse duhet të hiqen referencat dhe taksa e sheshtë

Share

Ish-deputeti i Shkodrës në PS, Ilir Beqja, është në fakt një nga ekspertët ideatorë të propozimeve të reja që PS ka hedhur së fundmi për ndryshim të sistemit të taksave. Ai pranon të ndajë me gazetën Tema si lindi ideja për të propozuar heqjen e taksës së sheshtë dhe sistemin e referencave që e shoqëron këtë taksë, impaktin që pritet të ketë në ekonominë e vendit dhe në ekonomitë familjare gjithashtu. Zoti Beqja gjithashtu komenton buxhetin e ri të qeverisë Berisha duke thënë se ai është në fakt një buxhet që pranon krizën ekonomike. Nga ana tjetër ai vazhdon të këmbëngulë në atë që opozita po e thekson çdo ditë e më shumë se borxhi publik po kthehet në një problem të madh për ekonominë e vendit. Sipas Beqjas, janë fatura miliarda dollarëshe që i faturohen në fakt xhepave të taksapaguesve shqiptarë.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Zoti Beqja, programi i ri politik i PS-së ka shkaktuar jo pak impakt në media dhe publik dhe një nga pikat më të ndjeshme të tij është çështja e taksave, ulja e TVSH-së dhe ndryshimi i mënyrës së taksimit. Si një nga ekspertët që jeni marrë me hartimin e pjesës ekonomike të programit, mund të na tregoni si lindi kjo ide?

Së pari, më lejoni tju falenderoj për mundësinë që më jepni që edhe nëpërmjet lexuesve tuaj të shpjegojmë programin e ri të Partisë Socialiste. Unë jam i kënaqur që programi ka nxitur interesin e publikut. Mesa duket kemi bërë, me kongresin e 5 nëntorit dhe programin e paraqitur në të, atë çfarë opinioni publik e paska pritur. Jam edhe më shumë i kënaqur që interesi i publikut është shfaqur për çështje të rëndësishme si rritja ekonomike, që përveçse e qëndrueshme, duhet të jetë përfshirëse dhe inteligjente (bazuar në dije dhe inovacion); tregjet progresive; dobishmëria publike e partneritetit publik privat; sukses sipërmarrës dhe karriere i bazuar tek konkurrenca e lirë dhe puna; zhvillim ekonomik që nuk mbështetet thjesht e vetëm në borxhe e shpërdorim burimesh natyrore; trajtimi i nevojës për arsim, për shëndet, për ujë të pijshëm e për strehim si të mira publike etj. Ne si PS, me programin tonë të ri, kemi përcaktuar qartë vizionin tonë, parimet tona. Ky përcaktim i qartë na e bën më të lehtë edhe hapjen drejt gjithë shoqërisë dhe ftesën për bashkëpunim ndaj forcave politike të të gjithë spektrit. Vlerësimin më të plotë e më të saktë e ka bërë këto ditë prof. Servet Pëllumbi në një të përditshme, kur ka shkruar se PS, me këtë program, e ka ftuar të gjithë politikën në një fazë të re, të dytë të zhvillimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Dhe nuk është e rastësishme. E majta ka në gjenezën e saj nevojën për ndryshim dhe ne, e majta shqiptare, i ofrojmë shoqërisë sonë vizion tonë të ri.

Për tu kthyer tek taksa e sheshtë. Ideja është e hershme, që në vitin e parë të miratimit të saj. Në pranverë 2009 ne kemi mbajtur një qëndrim që edhe sot them që ka qenë i saktë për atë kohë. Kishim shumë pak informacion dhe ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal mund të helmonte mjedisin e brishtë ekonomik me krizën që po trokiste në derë. Më vonë, në gjysmën e dytë të vitit 2010, kur rezultatet u bënë evidente, por edhe duke analizuar vështirësinë e buxheteve familjare në përballimin e jetesës konkluduam se me taksën e sheshtë po ndodhte një çarje e madhe në shoqëri. Nëse do të kthehemi prapa në kohë, që prej dhjetorit 2010, shumë deputetë të PS-së në diskutimet e tyre në Kuvend e rimorën këtë çështje. Megjithatë, mendoj se ka qenë një grafik i shpërndarë në rreth të gjerë deputetësh e anëtarësh të Këshillit tonë Kombëtar Ekonomik që na bëri të vetëdijshëm se taksa e sheshtë ishte, jo vetëm një spekulim, por edhe një spostim i barrës tatimore nga kapitali i madh tek të ardhurat e individit. Nuk e di sa me vend është që të ndaj me lexuesit këtë grafik (SHIKO: GRAFIKU 1), por unë po e bëj një përpjekje.

Grafiku paraqet përqindjen që tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat zënë ndaj totalit të të ardhurave tatimore në periudhën 2000 2010. Grafiku flet vetë, por edhe ne mbetëm pa gojë. Madje, bëmë edhe një herë disa llogaritje të tërthorta për të provuar saktësinë e efektit të figurës. Ilustrimin më të mirë të këtij grafiku, e ka bërë me shembuj të gjallë Edi Rama në fjalën e tij në kongres kur ka treguar se sa shumë u rritën taksat e për infermierët dhe si u ul taksa për doktorin kryeministër.

Kritikët e taksës së sheshtë pretendojnë se ska asgjë të keqe tek taksa e sheshtë në vetvete se sa tek mënyra se si qeveria shqiptare e zbatoi atë duke vendosur referencat, si e keni menduar zgjidhjen e referencave në programin e PS-së?

Përkundrazi, ne në PS mendojmë se taksa e sheshtë është e padrejtë në gjenezën e saj, sepse ngarkon më te njëjtën barrë tatimore persona me të ardhura krejt të ndryshme. Është taksimi progresiv ai që trajton në mënyrë uniforme, njerëz me të ardhura të përafërta, pasi kanë nevoja të përafërta, por duhet të përballojnë edhe përgjegjësi të përafërta. Habitem që më pyesni për kritikët, sepse unë me keqardhje konstatoj se nuk ka më mendim kritik për asgjë që bën qeveria. Ndoshta po kaloj në vetëmburrje, por ne në PS për taksën e sheshtë, por jo vetëm, na është dashur të bëjmë edhe researcher-in, edhe analistin, edhe shkencëtarin, edhe politikbërësin, edhe politikanin. Nuk duhet të jetë kështu, sepse kushdo duhet të luajë rolin e tij në shoqëri.

Ndërsa referencat, për mendimin tim, qeveria shqiptare nuk i vendosi për taksën e sheshtë, por për të zbutur efektet në buxhet të uljes së përqindjes së kontributeve. Madje, promovuesit atëherë deklaronin me cinizëm se po përdornin karotën dhe shkopin, a thua se ishin ndonjë regjim pushtues.

Referencat u bënë në kohën e qeverisjes së PD, filli ndriçues i administrimit fiskal. Referenca për numër të punësuarish, për paga, për transaksione patundshmërie, për çmime tregtimi mallrash, etj. Shoqëruar në ndryshimin e shpeshtë të legjislacionit fiskal dhe hyrjen në fuqi me efekte prapavepruese, administrimi fiskal u bë krejt voluntarist dhe me kosto të larta për sipërmarrjen shqiptare.

Ne jemi deklaruar qartë dhe prerë në programin tonë se Të vetëdijshëm se politikat fiskale janë të suksesshme nëse realizohen përmes mirëadministrimit fiskal, ne do të çmontojmë sistemin e referencave.

 

Cili mendoni ju se do të jetë impakti direkt tek njerëzit e thjeshtë, ose pjesës që ju i referoheni si 95 për qind e popullsisë, dhe tek biznesit ose sipas jush 5 përqindëshi i popullsisë? Kur do të fillojë të ndihet ky impakt në buxhetin e qeverisë së socialistëve gjithmonë duke supozuar ardhjen në pushtet në 2013-ën?

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›