E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Kjo KQZ në furtunë, rrezik për minimin e zgjedhjeve

amb-holand165Ambasadori holandez, Martin de la Beij shprehet në këtë intervistë të dytë për “JAVA” se 23 qershori është një test lakmusi për Shqipërinë. Ai vë theksin tek nevoja për një KQZ të pavarur nga politika dhe për një fushatë të fokusuar tek axhenda europiane dhe problemet madhore të vendit. De la Beij thotë se qëndrimi i Hollandës nuk ka ndryshuar, që prej tetorit të shkuar, kur u shpreh me rezerva për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë

Nga Skender Minxhozi

Zoti ambasador, Shqipëria vijon me “surpriza” të pakëndshme për bashkësinë ndërkombëtare. Këto orë ka ndryshuar përmes një përplasjeje të fortë parlamentare, përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Cili është komenti juaj për këtë zhvillim?

Në vendin tim, në Hollandë, ne kemi një ndarje shumë të qartë midis betejave elektorale të cilat janë pjesë e një demokracie të shëndetshme dhe administrimit të zgjedhjeve i cili është një proces tërësisht jopolitik (apolitik), i cili ushqen dhe garanton transparencën, lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Komisioni Hollandez i Zgjedhjeve gëzon besimin e plotë të votuesve dhe partive politike dhe demonstron se anëtarët e tij e kryejnë punën që ju është besuar si profesionistë, larg rreshtimeve politike. Ata janë krejtësisht të pavarur. Një gur themeli shumë i rëndësishëm i demokracisë është ndarja e pushteteve!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion i rëndësishëm, i cili duhet (a) të sigurojë që fusha e lojës të jetë e njëjtë për të gjitha partitë politike që dëshirojnë të garojnë në zgjedhje dhe (b) duhet që me sy shqiponje të mbrojë votuesin, në mënyrë që të sigurojë që zëri i tyre respektohet.

Sa do ta afektojë klimën elektorale kjo ngjarje dhe si e prisni fushatën, në të cilën po hyjmë?

Ajo çfarë ne shohim dhe përjetojmë në Shqipëri këto ditë si pjesë e një klime shumë të polarizuar politike është një proces shumë i politizuar i administrimit të zgjedh­jeve. KQZ-ja në Shqipëri duket se është vënë në mes të erërave që fryjnë nga të katër anët, në mes të furtunave, të cilat i mbajnë anëtarët e saj nën një presion shumë të lartë politik, duke minuar kësisoj procesin zgjedhor në vetvete. Si rezultat, të gjithë aktorët e humbasin objektivin real: mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është një objektiv i rëndësishëm që klasa politike në Shqipëri, administratorët e zgjedhjeve dhe votuesit duhet ta kenë në qendër të vëmendjes së tyre, duke u fokusuar dhe punuar fort për ta arritur këtë objektiv me sukses.

Ngjarjet e fundit nuk ndihmojnë që njerëzit të rrisin besimin në procesin zgjedhor. Sikurse u theksua edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, znj. Catherine Ashton gjatë vizitës së saj në Tiranë, është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë besim në procesin zgjedhor dhe është përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve.

Sinqerisht, unë shpresoj që partitë politike do të përqendrohen tek programet e tyre politike, fushata dhe do tju shpjegojnë njerëzve arsyet përse ata duhet ti votojnë. Kjo është ajo çfarë partitë politike kanë për detyrë. Aspekti më i rëndësishëm është të mbeten konstruktive. Thembra e Akilit është bashkëpunimi konstruktiv dhe dialogu i aktorëve politikë, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve.

Ju keni qenë ndër diplomatët e parë në Tiranë, që në mes të debatit për marrjen e statusit të vendit kandidat, në tetorin e shkuar, keni nënvizuar se sfida për Shqipërinë nuk është votimi i disa ligjeve apo rregulloreve, por aplikimi i standardeve demokratike dhe respektimi i shtetit ligjor. A i qëndroni sërish kësaj pikëpamjeje, pas gjashtë muajsh?

Unë mund të rikonfirmoj pozicionin tonë: politika hollandeze strikte dhe e drejtë nuk ka ndryshuar. Opinioni i Hollandës është reflektuar në konkluzionet e Keshillit Europian në raportin e progresit për Shqipërinë, i bërë publik në dhjetor 2012.

Vendi juaj ka bërë një sërë reformash, të cilat ne i vlerësojmë. Pa dyshim që ka pasur një progres të dallueshëm në dekadën e fundit. Hollanda e mbështet aspiratën e Shqipërisë për tu bërë një vend anëtar i Bashkimit Europian. Vendi im ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë këtë aspiratë të Shqipërisë politikisht, por edhe financiarisht, nëpërmjet programeve tona bilaterale dhe atyre të BE-së.

Unë dëshiroj që axhenda e BE-së të luajë një rol thelbësor në këto zgjedhje dhe nuk do të sfumohet/harrohet për shkak të fushatës elektorale. Ajo çfarë ne gjithashtu dëshirojmë të shohim, është një Shqipëri që vazhdon me reformat dhe vazhdon të punojë mbi 12 prioritetet kyçe. Eshtë tejet e rëndësishme, sepse këto reforma ju shërbejnë mbi të gjitha qytetarëve të Shqipërisë. Qytetaret shqiptarë, sikurse çdo qytetar tjetër në BE, meriton një jetë të mirë, një perspektivë të ndritshme, ku çështjet si zbatueshmëria e ligjit, pavarësia e institucioneve, drejtësia sociale dhe zgjedhje të lira e të ndershme, janë një realitet jo thjesht një ëndërr.

Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 23 qershorit për Shqipërinë? Çfarë perspektivash pozitive apo negative mbartin ato?

Eshtë vërtet e rëndësishme që Shqipëria të tregojë se është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithsesi togfjalëshi zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk duhet pare si një ngjarje e vetme dhe e izoluar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme nënkuptojnë një proces përgatitor të ndershëm dhe transparent, një ditë votimi të civilizuar e të respektueshme dhe një menaxhim të matur e të pjekur të rezultateve të zgjedhjeve.

Unë besoj se zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë, do të jenë si një test lakmusi për Shqipërinë. Ky është shansi i klasës politike shqiptare dhe shansi i popullit shqiptar, për ta kthyer këtë sfidë në një mundësi të mirë. Përgatitja e zgjedhjeve tashmë ka filluar të tërheqë shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare, në sytë e ndërkombëtarëve dhe kjo vlen edhe për Hollandën. Ne po monitorojmë nga afër performancën e të gjithë aktorëve dhe faktorëve dhe gjithashtu do të jemi pjesë e misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it.

Dëshiroj të theksoj këtu përsëri rëndësinë e dy gjërave: 1. Përqendrohuni tek qëllimi juaj: zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe 2. Kontribuoni në ndërtimin e një dialogu politik të besueshëm dhe konstruktiv si gjatë, ashtu dhe pas zgjedhjeve, si pjesë e  një demokracie të shëndetshme.

Zoti ambasador, si e shihni situatën e përgjithshme në Shqipëri? Cilat janë sipas jush, problemet kryesore me të cilat përballet aktualisht

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›