INTERVISTA/ Zaganjori: Sjam shantazhuar. Të hapen dosjet, jemi të vonuar
Nga Muhamed Veliu
Top-Channel
Parimet kushtetuesen dhe të drejta themelore në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese është publikimi më i fundit që mban firmën e bashkëautorësisë së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, prezantuar gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë akademikë dhe studentë të çështjeve të drejtësisë. Pas prezantimit të librit, e shkëpusim zotin Zaganjori, ish- kandidatin e maxhoracës, për të gjetur një ambient të freskët në verandën e Hotel Rogner ku do të zhvillojmë intervistën. Me shaka ai na kujton intervistën e fundit ku deklaroi mosgatishmërinë për të qenë kandidat i maxhorancës dhe djersët e shumta që e pllakosën atë moment, për të cilat fajëson vapën.
Një muaj nga dorëheqja për të vijuar garën si i propozuari për kandidat për president nga maxhoranca, e konsideroni vendim të drejtë?
Po padyshim. Unë nuk dua ti rikthehem më këtij problemi. Ne tashmë kemi një president të zgjedhur, i cili së shpejti do të fillojë detyrën dhe me gjithë shpirt i uroj punë të mbarë dhe suksese në detyrën tepër të rëndësishme si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Personalisht nuk do të flisja për shantazh. Debati për ditë të tëra u bë për procesin. Dy- tre ditët e fundit u sulmova individualisht. Dhe unë erdha në emër të konsensusit. Unë u propozova në emër të konsensusit. Në këto kushte duke u sulmuar individualisht për çështje të vendimmarrjes, për çështje të qëndrimit për shumë probleme të tjera, unë krijova bindjen që opozita ska aspak besim tek unë dhe dhashë dorëheqjen.
Deputeti PD Mark Mark në emisionin Shqip të Rudina Xhungës deklaroi se së bashku me kandidatit Artan Hoxha jeni shantazhuar me dosjet e Sigurimit. Ka pasur ndonjë shantazh të kësaj forme ndaj jush?
Nuk ka absolutisht asnjë lloj shantazhi. Përkundrazi, nuk është shtruar asnjëherë ky problem. Së pari unë absolutisht asnjëherë nuk kam punuar në organe të drejtësisë gjatë periudhës regjimit komunist. Unë kam qenë që nga viti 1981 pedagog në Fakultetin e Drejtësisë deri në fillimin e proceseve demokratike, deri në kohën kur u zgjodha për të shkuar ambasador për pesë vjet në Republikën Federale të Gjermanisë. Kam qenë vazhdimisht pedagog, kam punuar në Gjykatën Kushtetuese, ku ende punoj, por ushtroj paralelisht edhe detyrën e pedagogut, përfshi një punë dy vjeçare në institutin Maks Plank në Gjermani. Dosjet në Shqipëri duhet të ishin hapur me kohë. Ne pas 20 vitesh jemi shumë të vonuar. Por ka edhe një lloj hapje të butë të dosjeve, të paktën ajo të ishte bërë. E gjykoj plotësisht me vend faktin që personat që ngarkohen me detyra të larta shtetërore duhet tu hapen patjetër dosjet. Për të parë se çfarë problemesh kanë pasur në të kaluarën.
Karriera juaj do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese apo do të merrni në konsideratë ndonjë propozim për të drejtuar një institucion të pavarur?
Mandati praktikisht më ka mbaruar, Gjykata Kushtetuese për mua nuk është një temë më sepse unë menjëherë sapo të zëvendësohem, më duhet të largohem menjëherë. Mendoj se brenda këtij viti do të largohem. Por ndërkaq mendoj se puna ime si gjithmonë, duke filluar që nga koha kur kam mbaruar studimet, të jetë pranë studentëve në universitet.
A keni ambicie për tu marrë me politikë?
Jo absolutisht. Po të kisha pasur ambicie, mund të isha marrë me kohë. Më ka pëlqyer pozicioni për të qenë i pavarur, pasi liria për mua do të thotë shumë. Sigurisht unë kam bindjet e mija për çështjet e politikës, ato që kanë të bëjnë me realitetin shqiptar, por nuk e shtroj çështjen që të angazhohem në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikë.
